Suplementi Pena Shqiptare/ Jakup Gjoça: Nata e erotës tonë Lirikë

493
Sigal

Kur mbylle portën e shtëpisë tënde, atë çast duke të parë Ty para meje, edhe pse drita e syve të tu kishte akoma një perde mosbesimi se Unë e Ti këtë çast ndodheshim përballë njëri – tjetrit, kuptova se kisha zbritur nga Ëndrrat e mia dhe ndodhesha vërtet para Teje….
Sa e kisha dëshiruar këtë çast. Të të kisha kaq pranë syve të mi. E dëshiroja kaq shumë, sepse kisha një bindje, që kurrë nuk do të të gjeja…
Ti, e para erdhe pranë meje. Më shikoje drejt e në Sy. Më pyesje. Kërkoje lejen e Syve që të më përqafoje…
Nuk durova dot më. Të rrëmbeva në gjoksin tim dhe të mbajta kaq fort shtrënguar, sa të bindja vetveten se nuk isha në ëndërr duke të përqafuar. Ti ishe vërtet në Përqafimin tim derisa ndjeva se buzët e mia u përmbytën nga dallgët e buzëve të Tua…
Kisha puthur edhe herë të tjera,
por asnjëherë nuk e kisha ndjerë shijen e së puthurës…
E puthura jote më dha të kuptoja që Jeta ime varet e gjitha nga kjo e puthur…

Të ngrita peshë, kaq lartë sa ti iu kacavirre e tëra trupit tim për t’u bërë Unë e Ti një Trup e të jetojmë në simbiozë dashurie.
Trupat tanë luanin simfoninë e Erotës me muzikën e tyre dhe notat e saj merrnin ngjyrë nga patosi dhe Erota pikturonte patosin tonë dhe Piktura e Erotës që jetonim në Natën e Parë të Dashurisë tonë do të mbetej e gjallë në ndjenjat tona, sado vite të rrjedhin, për ta përjetuar çdo çast që do jetonim…
Nuk flisnim sa kohë trupat tanë valëzonin Valsin e Erotës. Nuk kishim më fjalë çfarë të flisnim, i kishim thënë njëri – tjetrit të gjitha para se të takoheshim sonte fizikisht.
Tani, kur trupat tanë kërkonin Himnin e Erotës fjalët na dukeshin të zbrazura, të shurdhëta, pa kuptim, pa asnjë domethënie, pa esencë.
Flisnin trupat tanë duke psherëtirë pasthirrmat e zemrës dhe flisnin të gjitha ato që donin shpirtrat tanë të dëgjoheshin. Erdhën edhe Heshtjet dhe thërritën, thërritën që të dëgjoheshin edhe ato…
Simfonia e Erotës po mbaronte së kënduari në Botën magjike të Dashurisë tonë, të gjitha ndjenjat tona dallgë ngritën stuhi në trupat tanë sa na përmbytën, nga frika mos ndoshta vetmia na burgos sërish…
– Këtu jam! Për Ty. E Jotja! – dëgjoja pasthirrmat e rrahjes së zemrës tënde.
Dhe Trupi im afrohej edhe më pranë trupit Tënd, që të mos humbiste asnjë ngjyrë nga kënga e Erotës tënde….
Koha kishte humbur kufijtë e saj në Dhomën tënde në Natën e Erotës tonë…
Dhoma ishte ngjyer e tëra me ngjyrat e Perëndimit dhe të Lindjes…

Të gjitha i kujtoj të asaj nate, sa jetuam. Kujtoj puthjet tona. Kujtoj buzët tona të puthitura nga e thithura e patosit që urë e bënim të kalonte shpirti yt tek shpirti im dhe shpirti im të vinte tek shpirti yt. Kujtoj nga e puthura jonë çfarë dhuroja, çfarë më jepe ty, çfarë ndjeja për ty. Dhe gjithmonë do ta kujtoj. Kur ishim tek dhoma jote, e drita që vinte nga dritarja të thosha që zili na kishte… Kujtoj të qeshurën tënde, teksa derdhej bashkë me mushtin e buzëve të tua dhe çelte mbi buzët e mia gonxhet e puthjeve të zjarrta… Kujtoj duart e tua kurorë mbi kokën time. Fitimtari i Erotës – më quajte, pushtues i pari tek buzët e tua. – Jam triumfi yt, – më the. Merrmë në krah dhe çomë ku të duash ty… Kur trupi yt dridhej si varkë në duart e mia  e ty më the se ndjen stuhitë e ndjenjave të mia e do që të mbytesh përgjithmonë në oqeanin e përqafimit tim… E ti më luteshe të merrje pak frymë nga fryma ime, duke pushtuar trupin tim… Të gjitha i kujtoj të asaj nate sa jetuam  në dhomën tënde të vogël…

Nuk ka rëndësi, që Erotën e jetuam një natë të vetme. Nuk ka më rëndësi që tani jemi prapë larg njëri – tjetrit. Por nuk jemi më të huaj për njëri tjetrin. EROTA E madhe njëherë jetohet. EROTA Nuk është e përjetshme. Edhe larg fizikisht njëri -tjetrit, sado që flemë në përqafime të tjera, Unë dhe Ti e dimë që mund të prekim trupa të tjerë në krevat, por ndjenjat tona bëjnë Erota bashkë!
Unë e Ti e dimë që dashuria jonë që lindi atë çastin e takimit tonë të parë është Ekzistenca jonë.
Ai çast i parë i yni na lindi tek njëri – tjetri atë dashuri, që i ngjan Yjeve.
Që lindin të ndriçojnë edhe një natë të vetme. Pastaj shuhen në Agimin që vjen….