Suplementi Pena Shqiptare/ Jakup B. GJoça: Dy lot, pa lamtumirë

544
Sigal

– Çfarë jam Unë për Ty? – më pyete.
– Dashuria ime e parë, – t’u përgjigja.
– Vetëm kaq? Asgjë më shumë, tani që të gjeta prapë, – këmbëngule të mësoje.
Unë nuk gjeja dot fjalë të të përgjigjesha, sado pyetja jote trazoi gjithë shpirtin tim.
– Nuk më dashuron akoma? – më pyete e dyshuar.
– Vetëm e dashura jote e parë kam mbetur tek Ty. Po Ti, më dashuron? – të pyeta.
– Jam e guximshme. E papërmbajtur për dashurinë për Ty. Prandaj të gjeta…
Heshta.
Nuk guxova të të thosha që të ëndërroja  çdo ditë, që Ti më mungoje, Unë të kërkoja. Vitet që rridhnin më gërryenin besimin se ndoshta një ditë do të të takoja sërish. Por erozioni i vitndarjes tonë nuk e shkuli shpresën se një ditë, kur të të takoja, edhe sikur të kishe vrarë të gjithë dashurinë tonë, të paktën, të më thuash: – Pse? Pse ike? Kaq pak më dashurove, sa nuk më fale fajin tim të parë? Kaq pak i besove dashurisë sime, sa nuk luftove ta fitoje, por e braktise në vështirësinë e parë?
Atë natë nuk iu përgjigja pyetjes tënde. Akoma të dashuroja, por trembesha nga vetvetja ime. Po sikur ta vrisja për herë të dytë? Si do të jetoja më, pa dashurinë tënde dhe me shpresën e vrarë?
Fjeta në natën e zezë të heshtjes së pyetjes tënde: – Vetëm e dashura e parë jam për Ty? Nuk më dashuron akoma?
Kur u zgjova një mëngjes kishte gdhirë. Ngjyrat ishin çelur të gjitha në sytë e mi. Dhe Ti më shtoje akoma ngjyra, të papara, që nuk ekzistonin për mua, para se të më gjeje.
U futa në botën tënde me shpirtin tim lakuriq.
Nuk thashë fjalë, ato që më mbyllnin dyshime.
Lashë ndjenjat e tua të krijonin mbi mua, në ëndrrat e mia, në shpirtin tim, në trupin tim botën tënde. Atë që kërkoja në çdo ditë të vitndarjeve tona…
Të besova.
U dorëzova tek dashuria jote….
Dhe ngjyrën e kuqe të jetës time.
Dritëhëne në Sytë e mi. Për të parë Erotën tënde.
Dhe paskëtaj,
ndera Zemrën time në Diellin e ndjenjave të Tua.
Tê vërteta të ëmbla të dëshmonin dyshimet që fshiva…
Ishe Ti që u bëre Unë.
Isha Unë që u bëre Ti.
Porse Natën e Parë të Erotës sonë,
Natë që zbritëm nga Ëndrrat tona dhe e jetuam një Erotë,
Erdhi papritur një Stuhi dhe ende pa më shpjeguar
Nuk më mbajte më dorën, duke lënë lakuriq gjithë ndjenjat e mia të lagen…
Dallgët morën me vete të gjithë dashurinë
Dhe erërat e zemëruara shkulën nga buzët tona të gjitha të puthurat,
edhe ato ende të pa njomura,
Duke i shpërndarë gjithandej nëpër brigje të panjohura…
Lotuan edhe yjet e asaj Nate të parë të Erotës sonë,
që nuk mundëm në mëngjes të japim Betimin e Dashurisë.
Atë mëngjes
Dy lot
Vetëm dy.
Një për mua
Një i Yti.
Vetëm dy. Kaq mundën të rridhnin. Përrenj të thellë gërmuan në fytyrën time.
Më mbytën përbrenda…
Dy lot. Një lot për Hënën që u zhgënjye. Loti i dytë për mëngjesin, që lindi pa diellin e shpresës së dashurisë tonë.
Dhe nuk pastroi më mendimet. Lotët ndenjën të thara në fytyrën time, monument i humbjes tënde, Portret i dhimbjes sime…
Dy lot, pa “Lamtumirë!”….
Një, që të më mbartë mua
Dhe loti i dytë, Ty
të na derdhë në detin e dhimbjes…