Suplementi Pena Shqiptare/ Izet Shehu, “Pishtari i demokracisë”

825
Izet Shehu lindi në Lushnjë më 15 dhjetor 1942. Mbaroi gjimnazin në Lushnjë më 1960, ndërsa studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, dega gjuhë letërsi shqipe. Më 1995 ka kryer Kolegjin e Mbrojtjes së Shqipërisë. Ka punuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Lushnjë dhe Elbasan. Krijimtarinë letrare e nisi qysh në bankat e shkollës. Botoi dendur gjatë viteve gjashtëdhjetë, por, për shkak të biografisë politike, pasi iu pezullua vëllimi poetik “Gjaku im”, do t’i hiqej përfundimisht e drejta e botimit deri në vitin 1990. Është një prej nismëtarëve dhe themeluesve të Partisë Demokratike dhe në vitin 1991-1996 u zgjodh deputet i kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë. Është dekoruar si mësues me urdhrin “Naim Frashëri të klasit I” dhe me medaljen “Pishtar i demokracisë”. Pas viteve ’90-të boton artikuj, polemika, ese, prozë e poezi në disa nga organet më të rëndësishme kombëtare.

Ka botuar këto libra :
“Çiltërsi lirike”, përmbledhje poetike
“Vjeshtë njerëzore”, përmbledhje poetike
“Ëndrra trëndafilash në borë”, përmbledhje poetike
“Brohorima e një dimri”, përmbledhje me tregime dhe novela
“Troku i fatit të verbër”, përmbledhje poetike
“Mjegulla e trishtimit”, përmbledhje me tregime
“Fatkeqja e bukur”, novelë
“Perëndimi në zabelin plak”, përmbledhje me tregime
“Mbi qerpikë çlodhet agu”, përmbledhje me poezi
“Drithërime muzgu”, përmbledhje poetike
SA TË KAM PRITUR
Eh, sa shekuj të kam pritur,
Po Ti nuk m’u shfaqe kurrë,
Gjersa vdiqa i uritur
Mbi një gur a nën një gur.
Eh, sa shekuj të jam lutur
Ty, o shenjt me gjymtyrë ajri,
Gjersa ika i përhumbur,
Rrugës që la i pari.
Eh, sa shekuj dhe s’janë pak
Të vërtetën për ta situr,
Gjersa Ti, o shenjti plak,
Si askurrë sot je venitur.

LOTËT E GRUAS
Lotët e gruas duke numëruar
Ndjen dridhje shpirti,
Ndjen lagështirë thellësish.
Shenjti, thonë, duke i yjëzuar
Bënte me to paragrafë shenjtërish.
Pa ato rruaza do të zotëronte shterpësia,
Pa ato rruaza do të zotëronte shkretëtira.
Lotët e gruas duke numëruar
Bëhesh më njerëzor, i gjerë sa hapësira.

JAM
Jam lulja e egër në buzën e përroit,
Hija e hirtë që rrëshqet mbi rrëpira,
Bakërima e varfër, e shterpët, e pagojë,
Gur i durimit në zheg e shira.
Një bekim të blertë kurrë s’ma dhanë
Ata që erdhën e shkuan matanë.
Jam gorga ku ngrohin vezët stuhitë,
Ku e shkuara dhe e sotmja
Kacafyten përditë.
Jam çasti kur zbuten shemrat e misterta,
Mbi tokë e reja,
Nën tokë e vjetra.
Jam Drita me dy krahë
Që s’e ndal fluturimin,
Bakërima e verbër që ëndërron blerimin.

VYSHKJE TRËNDAFILI
Një strehëz të bardhë të kem në breg të detit,
Një kopsht të vogël me limoj e portokalle,
Kujtesën ta var në degën e plepit,
Të luaj me zogjtë
Me perëndimet ngjyrë alle.
Një strehëz të thjeshtë, ku të rroj i mënjanuar,
I plagosur nga ndonjë pikëllim i beftë.
Mbase gjej paqen e mohuar,
Mbase gjej lirinë e vërtetë.
Një strehëz të qetë, ku të më zërë bora,
Tek shpurrit hiret e zjarrit të shuar.
Mbase më kuptojnë njerëzit,
Mbase më kupton koha,
Se jo për nam, po për shpirt kam shkruar.
Një strehëz ju kërkoj,
Plotësomani këtë dëshirë,
Këtë vyshkje trëndafili në një buzëmbrëmje të ngrirë.
Kështu, kur të iki, s’do më tundojë frika
Kur t’ju them zëshuar:
Natën e mire! Ika!
Sigal