Suplementi Pena Shqiptare/ Izet Shehu: Për Kongresin Kombëtar të Lushnjes

740
Sigal

Në tryezën ngjyrë dhelpre të Konferencës së Parisit më 1919, po luhej një nga tragjeditë më absurde mbi shpinën e kombit tonë, nga më të vjetrit, më krenarët dhe nga më bujarët në Gadishullin e Ballkanit. Fuqitë e Mëdha u treguan kasapë të pamëshirë më kufijtë e Shqipërisë në vitin 1913. Qeveria e Turhan Pashë Përmetit u tregua e qulltë për të mbrojtur çështjen kombëtare. Në këto rrethana, Shqipëria kërcënohej nga dhëmbët prej ujku të fqinjëve shovenë. Këtë detyrë jashtëzakonisht të vështirë dhe kyçe e mori Komisioni Organizator i Mbledhjes Kombëtare, që përbëhej nga patriotë të kulluar me emër, si: Eshref Frashëri, Shef Ibrahim Karbunara, Ferid Bej Vokopola e Nebi Sefa. Më 1 janar 1920 komisioni i drejtoi vendit thirrje për një mbledhje kombëtare. Pse u caktua pikërisht Lushnja për këtë eveniment historik mjaft të rëndësishëm?
E para ishte në qendër të Shqipërisë. Pra, faktori gjeografik. Në një letër që “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” më 7 janar 1920 i drejton komitetit thuhet se: “paria e Lushnjës tregoi në krahasim me vendet e tjera një kurajë civile më të madhe e prandaj duhet me i çue asaj një letër përgëzimi e mirënjohje”.
Pra, thamë, pozicioni kyç. Arsyeja e dytë: në këtë qytet kishte atdhetarë të vendosur.
Së treti: populli i kësaj treve ishte aktiv në Rilindjen Kombëtare. Në fillimet e shek. XIX Abaz Bej Lushnja drejtoi “Besëlidhjen e Beratit”, apo pjesëmarrja aktive e banorëve të kësaj treve etnikisht e pastër shqiptare në aktin historik të ngritjes së flamurit në Vlorë më 28 Nëntor 1912 me përfaqësuesit e saj: Nebi Sefa, Ferid Vokopola etj. Së katërti: Lushnja është zonë tranzitore, ku përzihen gegë e toskë.
Duke pasur këto përparësi, patriotët lushnjarë u lidhën me personalitete kombëtare nga më të spikaturit e kohës.
Dua të theksoj në këtë trajtesë se, në dhjetor të vitit 1919 në Teqenë me emër të Ibrahim Sheh Karbunarës, u bënë disa takime pune për organizimin e këtij Kuvendi Kombëtar, ku ishte i pranishëm dhe konsulli anglez M. Iden, i cili përkrahu pa rezervë këtë ide kombëtare. Komitetin Organizator e kryesoi Sheh Karbunara. Rol në këtë komsion luajti Eshref Frashëri, i cili në këtë kohë punonte në Lushnjë. Duke qenë anëtar i komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” ai bashkëpunonte me atdhetarë me emër, si: Hoxha Kadria e Sali Nivica. Pra, siç e thashë që në fillim, kjo veprimtari me përmasa kombëtare synonte mbrojtjen e viseve shqiptare nga shovenë grekë e serbo-kroato-slloven.
Meqë s’kishte ndërtesë shtetërore të përshtatshme, Komisioni caktoi shtëpinë e Fugëve, sepse plotësonte kushtet.
Në çastet kur jam duke hedhur në letër këtë trajtesë, kam ndër duar një dokument autentik arkivor për këtë Kongres, nga më themelorët e historisë sonë.
Dihet se 1913 na sakatoi pa mëshirë, na cungoi, na preu gjymtyrët. Edhe sot jetojmë të shpërndarë në pesë shtete. Jemi unikal për këtë fatkeqësi në mbarë planetin.
Ia bëmë vetes apo ramë në grackën e atyre që as na kanë dashur, as na duan dhe as kanë për të na dashur kurrë. Se ne i kemi tashmë të qartë miqtë dhe armiqtë tanë tradicional. Delfinët dhe peshkaqenët. I kemi të qartë. Po, atëherë, përse luajmë rolin e të paditurit?
Përse? Përse në muzetë historike ende vegjetojnë mediokër e të molepsur? Të parët që duhen ballafaquar me dosjet e diktaturës duhet të jenë ata!
Po u citoj disa rreshta nga procesverbali arkivor i ditës së parë të Kongresit të Lushnjës:
Çelja e I-rë e Mbledhjes Kombëtare
21/01/1920
Sot, ditë e Mërkurë 21/01/1920 ora 10 p.Drekë, tue qenë dita e caktueme për çeljen e Mbledhjes Kombëtare, me gjithë vonesën e letërthirrjeve nuk kanë arritur shumica e Delegatvet, delegatët e arrijtun u mblodhën më Sallën e Mbledhjes në shtëpi të Z. Kaso Fugës, e, pasi u bë një lutje prej të përndershmit Sheh Ibrahim Karbunarës, Zotnie Ferid Bej Vokopola, në emën të Komisjonit të Lushnjës, mbajti një ligjëratë për mirëseardhjen e Delegatvet. Shkëlqesia e Tij Z. Aqif Pasha Elbasani, ju përgjigj kësaj ligjerate me fjalë patriotike të flakta. Mbas kësajë ceremonie, komisjoni i përmendun u hoq e mbledhja filloj nga punët.
Përkohësisht u emnue si sekretar i Kuvendit Z. Ferid Vokopola. Për të këqyrun letërpërfaqësimet e Delegatve u zgjodh një komision i posaçëm prej (5) pesë vetash:
Irfan Bej Ohri, Qazim Kokoshi, Kostaq Kotta, Fasli Frashëri dhe Adem Peqini. Mbas kësaj zgjedhje u vendos që mbledhja t’i pushojë punët për derisa të mbrrijë shumica e Delegatvet”.
Morën pjesë në këtë Kongres gjithsej 37 delegatë. Delegatët e Shkodrës dhe të Lezhës s’mundën të mirrnin pjesë. Senatorët e këtyre Prefekturave u la të zgjidhen nga vetë Prefektura.
Mbas këtij vendimi Z. Xhaferr Ypi, delegati i Durrësit propozon “që me qenë se Lushnja mori iniciativën për këtë Kongres t’i jepet për nderim e drejta me u përfaqësue veçanërisht në Senat.
Delegati i Lushnjës i përndershmi Sheh Ibrahim Karbunara, tue iu falë Mbledhjes së Kombit, thotë se Lushnja nuk e bani për shpagim, por e quajti për detyrë. Atëherë Z. Eshref Frashëri, delegat i Korçës, propozon t’i shkruhet popullit të Lushnjës një letër falnderimi prej anës së Mbledhjes Kombtare që t’i mbetet kujtim n’arkiv të katundaris së Lushnjës.
Delegate i Mallakastrës, Z. Bektash Cakrani, propozon në kabinetin qeveritar zotrinjtë: Sulejman Delvina, Iliaz Virjoni, Amet Zagolli, Sotir Peci, Ndoc Çoba, Mehmet Konica. Z. Iliaz Virjoni për shkaqe të veçanta nuk pranoi: u propozua Z. Hoxha Kadria, i cili u pranua.
Votimi u bë çeltazi (fjalë e përdorur në arkiv). U bë betimi i delegatëve dhe i Këshillit të Naltë.
U zgjodh kabineti:
Kryeministër Z. Sulejman Bej Delvina
Zëvendës Z. Eshref Bej Frashëri
Ministër i P. Mbrendshme Z. Ahmet Bej Zagolli
Ministër i P. të Jashtme Z. Mehmet Bej Konica
Ministër i Arsimit Z. Sotir Peci
Ministër i Drejtësisë Z. Hoxha Kadria
Zëvendës Z. Hysen Bej Virjoni
Ministër Finance Z. Ndoc Çoba
Zëvendës Z. Idhomen Kosturi
Kongresi u hap më 21/1/1920 dhe mbaroi punimet më 31/1/1920.
Duke paraqitur në këtë trajtesë disa çaste të marra nga burimi arkivor autentik, dua të hedh dritë mbi ca të vërteta. Për falsifikatorë e retushues të këtij Kongresi dhe protagonistëve të tij të shquar do të merrem në një shkrim tjetër. Koha është si deti. Herët a vonë gjërat i nxjerr në breg. Herët a vonë.