Suplementi Pena Shqiptare/ Izet Shehu: Kënga

402
Sigal

Unë zën’ e dytë e bëja mirë,
Babai bënte zën’ e parë,
Në mes të barit në çair,
Ku iso mbante plep i bardhë.

Dhe trembesha mos binte kënga
Si zog i kaltër përmbi bar,
Unë zën’ e dytë e thekja mirë,
Babai thekte zën’ e parë.

Eh kur një ditë m’i morën të gjitha:
Babanë, çairin, plepin e bardhë,
Unë zën’ e dytë e ‘qava’ mirë
Po s’gjeja dot zërin e parë!

***
Mbaj mend
Nga mesi i muajit maj
M’u bë sikur një melodi:
Zërin e parë bënte babai
Dhe ishte krejt si zë i tij.

Dhe unë pas zën’ e dytë,
Një zë të dridhur si në vaj.
Me lot krejt m’u mbushën sytë,
Këndoja unë dhe babai.

Kënduam këngën e përjetësisë,
Se s’duhej lënë përgjysmë kënga.
Ah, dheu ynë! Më i shtrenjti vis,
S’të ndamë asnjë çast nga zemra!

’2006