Suplementi Pena Shqiptare/ Izet S. Çulli: Për Ilia Laskën, në 75-vjetorin e lindjes

727
Sigal

Më 12 korrik të këtij viti, publicisti dhe poeti Ilia Q. Laska do të mbushte 75 vjeç; por ja që sivjet i kujtuam edhe ndarjen nga jeta të tij (më 9 qershor 2010). Ne e humbëm atë në një moshë kur mund të jepte më shumë në fushën e publicistikës, të studimeve historike dhe për letërsinë e kultivuar, poezi e fabula.

Veçoria dalluese e Ilias gjatë gjithë jetës ishte ajo e dashurisë së pamasë për krahinën emërmadhe të Zagorisë dhe sidomos për fshatlindjen e tij të dashur, Sheperin, ku ai shkonte për vit. Atje kishte ringritur shtëpinë e vet të dikurshme, kur të tjerët iknin e iknin pa kthyer kokën pas. Ilia nuk ishte kurrsesi dakord të braktiseshin ato vende me burime dhe erë trëndeline. Nuk duhet harruar se atje mes malesh është edhe Çajupi me fushëtirën e pakundshoqe, e cila të shëron me erëmimin e gjithkohshëm, ujin e kristaltë, klimën e freskët dhe të shëndetshme. Ai ishte, si të thuash, i ndarë më dysh: në Tiranë dhe në Zagori.

Dashurinë për vendlindjen, Zagorinë (që ai e quante në një vjershë “Ti-Dielli im!”) ua ka injektuar si bashkëshortes, Violeta, edhe fëmijëve: Anilës dhe Ervinit dhe nipit të tij që e mbante gjithnjë pranë, Erionin.

Unë kam shkuar disa herë me të në Sheper dhe kaloja orë e çaste të këndshme e të paharruara. Ilia ishte i dashur dhe i përzemërt, interesohej për të gjithë, por zagoritët që vinin për ndonjë hall apo shqetësim në Tiranë, sidomos shëndetësor, ai bënte njërën për ta, falë edhe njohjes së shumë mjekëve në spitale e poliklinika. Njerëzit shpreheshin gjithnjë të kënaqur duke thënë se kemi Llikon(siç i flisnin përkëdhelisht) në Tiranë dhe do të na ndihmojë.

Po Ilia Laska, gjithashtu, veç mirësisë shpirtërore dhe humanizmit, ka lënë shumë libra për krahinën në përgjithësi, Sheperin dhe poetin A. Z. Çajupi në veçanti. Ja disa nga titujt që flasin vetë: “Zagoria- histori dhe tradita” e ndarë në gjashtë krerë, ku përfshihen shkrime nga autorë të njohur si prof. Ramazan Bogdani, Naxhi Kasoruho, Evjen Peri, Eftimi Mila, prof. Bedri Dedja, prof. Jorgo Bulo, prof. Dhimitër Shuteriqi, Nonda Bulka, prof. Kristaq F. Shabani, Arben Duka, Spiro Dede etj. Botim tjetër, posaçërisht për fshatin e tij është “Sheperi- një vështrim historik”(me bashkautor).”Njeriu mal apo mali njeri-Çajupi” u përgatit mbas një pune hulumtuese disavjeçare, që i kushtohet poetit të madh kombëtar, i paraprirë nga një studim hyrës të vetë Ilias.

Dhe tani për kënaqësi të lexuesit nga dy veprat e tij “Motive Zagorie” me poezi (2009) dhe tjetri me fabula “Stani me breshka” (2006) po iu shkëpus nga një krijim:

Dhjetë diej në luginë

Vargmalet e larta lidhur sup më sup,

dhjetë diej rrezëtin faqes mbi luginë.

Bukuria jote për ta pirë në kupë,

Zagoria ime, e mira krahinë!

 

Vajzat dredhin vallen, pa ç’këndojnë djelmoshat!

veshja zagorite për shtat sa u shkon;

melodi’ e këngës josh të gjitha moshat,

lumi ndalon rrjedhën, dhe një çast dëgjon…

 

Dhjetë fshatrat diej të kënaqin synë,

po tani më duken sikur perëndojnë.

Mblidhuni vëllezër, t’u shtojmë hijeshinë,

ejani vëllezër, prapë t’i popullojmë!

 

FEREXHE

 

Sorkadhet zhurmonin shumë,

nudo banjonin në lumë…

 

Një sorkadh duke kaluar,

hapi sytë i çmeruar.

 

Ato me shumë miklime,

duart në zonën intime.

 

Ç’mbulim zeza,- u hodh njëra,-

ai na njeh të tëra!

 

U nxifsha, u hedhsha zgjyrën,

më mirë mbuloni fytyrën.