Suplementi Pena shqiptare/ Ismail Kadare- Nëna

513
Sigal

Në mbrëmje u kthye ai në shtëpi
i lodhur, i ngrysur, me traktet në gji.

Mesnatës së shurdhër, së errët, së shkret’
do ngjisë ai traktet kudo në qytet.

-Mesnatës ti sonte, o nënë, më zgjo!
-Mir’, biri nënës, fli, bir! – tha ajo.

Ai si i vdekur në gjumë! ra pastaj
dhe nëna mbi të nuk i ndan sytë e saj.

Shikon ajo traktet dhe lutet mbi të
“Fli, biri i nënës, se ora s’është një.”

Akrepi lëviz, me ngadalë lëviz
pas perdesh, pas xhamash: e zezë nata pis.

Në ëndërr ai buzëqesh e po sheh,
një fushë të bukur, një qiell pa re.

Dhe nëna e tij me të bardha vallëzon,
në fushë të sahatit me dorë tregon.

Akoma akrepi s’ka shkuar në një,
ndaj nëna s’e zgjon, ndaj akoma po fle.

Por befas në fushë u dëgjua që larg
një krismë përreth: trak a trak, trak a trak!

Dhe nëna u zhduk si në mjegull atje,
sahati i thyer seç ra përmbi dhe.

I mbytur në djersë u zgjua ai
“O nënë”, dhe dorën e vuri ne gji.

Atje trakte s’ka. “O nënë ku je!”
Pas perdesh, pas xhamash po gdhin ditë e re.

((O nënë!)), por nëna nuk është më përqark
diku mitralozi troket: trak a trak!

Diçka nëpër mendtë atij shpejt I erdh’
u hodh drejt nga porta: kuptoi e u zverdh.

Në dor’ revolverin, në rrugën e shkret’
vrapoi n’errësirë, kudo në qytet.

“O nënë, o nënë, o nënë, ku je!!!!”
Ja, zbardhin mbi mure ca trakte atje.

Vrapon, po nuk duket gjëkundi ajo,
… “Ndal!” ndihet tek-tuk. Vrapo shpejt! Vrapo!

N’agim afër pyllit, në an’ të një përroi
pas drurëve ai u mbështet e vajtoi.

…Që biri të flinte i qetë gjer n’agim,
mesnata për nënën s’do ketë mbarim.