Suplementi Pena Shqiptare/ Ismail H. Xhaferri: Vallja labe

628
Sigal

Valle rëndë e Labërisë,

Dallga që ngrihet mbi dete,

Rrotullohet fustanella,

Dhe mbështjell një mal nën vete.

 

Vallja që na mbledh së bashku,

Herë e sertë e herë e butë

Diku shtron një sofër dasme,

Diku jep kushtrim për luftë.

 

Vallja që nuk ndali kurrë,

Duket sikur lind nga zjarri,

Shkrep si vetëtimë në qiell,

Ngre të vdekurin nga varri.

Valle burrash, valle trimash,

Sup më sup përballë stuhive,

Një nga një dalin legjendat,

Që nga palët e shamive.

 

Vallja që s’ka vdekje kurrë,

Vallja që gjëmon së largu,

Klithma që ka dalë nga dhimbja,

Flaka që ka dalë nga gjaku.

 

Valle rëndë e Labërisë,

E tund tokën si tërmete,

Rrotullohet fustanella,

Dhe mbështjell një mal nën vete.