Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi S. Qazimi: Emigranti dhe milingona

692
I ulur në një stol duke kruar kokën e i menduar pyeste veten.”Po pse vallë unë jam këtu? Në këtë cep të globit më solli vetëm halli për fëmijët? Kot nuk kanë thënë që halli e malli …” desh të meditonte më tej, por syri i zuri një milingonë. Ia qepi shikimin asaj. Atij i duket se ajo vjen vërdallë para këmbëve të tij,por nuk është ashtu. Pak më tej saj shfaqet një milingonë tjetër me bereqet në gojë. Janë të dyja me të njëjtën ngjyrë, gjatësi dhe dy grepat mbajtës i kanë të njëllojtë. Me sa duket janë një fis. Ai po ndjek me kujdes lëvizjet e tyre,por më shumë përqendrohet tek milingona e parë e cila sapo e gjeti një kokërr gruri të egër të thatë dhe e ‘mbërtheu‘ në gojë. Mbledh fuqitë, i jep trupit pak përpara dhe nis të lëvizë. Ajo ecën drejt, me të njëjtin ritëm, me kokrrën e grurit të egër të porsagjetur. Këmbët e saj duket sikur duan të kapin njëra-tjetrën. Ecën për ta shpënë kokrrën në fole, duke e mbajtur fort në gojë. Nuk ndalon. Vetëm ecën. Nuk e pengon asnjë nga “rradhonjtë” (grimcat e çakllit të bardhë); as “pellgjet”(bulëzat e ujit të mbetur nga shkundja e pemës së mështeknës prej erës së pasdrekes); as lisat(fijet e barit të njomë e të thatë)… Ajo vetëm ecën me shpejtësi e ritëm të pa ndryshuar. Ai vuri re se insekti punëtor lëviz vetëm drejt dhe në rrugën më të shkurtër, pa bërë dredha, duke e ndërprerë rrugicën dymetërshe që njeriu ka hapur e shtruar me zhavorr të imët. Drejtimin,miza e ka nga lëndina me lagështirë. Ai po e ndjek deri sa i humbet nga sytë… Milingona e dytë ecën pas të parës me një largësi që as e zvogëlon e as e rrit. Edhe kjo me kokrrën e grurit në gojë, por me që kokrra ka kashtë mbështjellëse të gjatë, kjo e ka hedhur paksa mbi ‘supe’ peshën…Të lumtë moj milingonë – i thotë ai,me zërin e mendjes. Qysh tani në qershor ti mendon për ushqimin e dimrit!Vallë e ke instinkt apo mençuri! Eh ç’pyetje që po bëj , -i thotë vetes -. E ç’ rëndësi ka kjo! Ajo po bën një punë shumë të madhe për vete e për familjen. Po jep një mësim akoma më të madh, edhe për mua tru thartuarin që kam emigruar këtu, edhe për tërë njerëzimin! Ai nuk e di se sa e ka jetën ajo: një ditë, dy apo tetë muaj, një apo dy vjet!Por ai tani po kupton se milingona e ka jetën e saj vetëm punë. I kujtohet mësuesi i klasës së dytë fillore kur u thoshte se milingonat janë punëtore dhe u tregonte atë përrallën me gjinkallën. “Po unë vallë, pse nuk mendova si ti që të kisha siguruar ushqimin për dimrin tim-pleqërinë, atje në vendin tim ku linda,që të mos ma bënte tani ‘tërrt’ syri?,- iu duk sikur i foli vetes me zë ai. Pse nuk punova në atdheun tim ashtu siç punon ti, këtu në dheun tënd, këtu ku të ka falur natyra? Sakaq milingona e dytë iu zhduk nga sytë. Kish hyrë në ‘pyllin’ e lëndinës me fije bari, hostekë të pa rritur dhe lule këshille.“Unë nuk e di se sa e kam jetën,pesëdhjetë, shtatëdhjetë apo më shumë vjet! Por ama para teje qenkam një hiç! Ti moj milingonë je më e ditur se njeriu. Thoshte mirë edhe një miku im agronom: ‘Krimbi i mollës është më i mençur se njeriu, më i zgjuar, sepse ha mollën më të mirë!’Eh sa të ëmbla janë mollët atje në atdhe! E ç’nuk është e ëmbël në vendlindje!?… Po ti je e ditur se e fiton jetën me punë të ndershme. Sa shumë ka njeriu për të mësuar nga kafshët e insektet. Por nuk e le krimbi i mendjemadhësisë dhe ai për pasuri e makutëri…” Këto po kuturiste në kotnajën e përditësirës si i papunë ai, ndërsa dielli doli nga reja dhe po lëshonte një vezullim të mekur. Ishte duke u larguar tutje mbi valë të deteve të padukshëm për t’iu dorëzuar gjumit. Ai u ngrit nga stoli dhe u drejtua për nga pallati ku banon përkohësisht dhe me qira. Dielli i tha “Mirupafshim nesër…” Edhe e nesërmja, për të do të jetë përsëri ditë emigranti që kërkon punë…
Sigal