Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi S. Qazimi: Dyqani pa derë

758
“Siç e shihni, në këtë dyqan me sipërfaqe tre metër katror dhe me një lartësi një metër e tridhjetë centimetër, që nuk ka derë por vetëm një dritare, shes unë, ish-oficeri i rangjeve të larta të ministrisë. Më nxorën në lirim me reformë që me gjasa do të zgjasë… Nëpërmjet dritares në mëngjes prej trotuarit, hyj, pastroj e reklamoj mallin, pastaj filloj e shes, dal më darkë vonë, po prej kësaj dritareje…, dhe përsëri këtë punë e bëj mëngjesin tjetër… Një ditë, erdhi tek unë, këtu, një qytetar me uniformën e policit. Nga fytyra dukej se ishte për të ardhur keq sepse m’u lut: “Jam ngushtë nga paret, a më jep një bombol gazi dhe një reflektor me gaz, se s’kam me se të ngroh kalamajtë dhe dimri këtë vit qenka i ashpër!”. Dhe pa pritur përgjigjen time shtoi: “Lekët do t’i gatis shpejt e do të t’i jap”. E pashë një herë nga koka te këmbët dhe, të them të drejtën, m’u dhimbs. Ia dhashë të dy ato që më kërkoi. Ai u gëzua dhe me tha se shtëpinë ku banonte me qira e kish aty diku afër dyqanit tim. Prita shumë ditë e muaj, por ai polic nuk u duk më në dyqanin tim. U interesova për të dhe mora vesh se kish blerë edhe shtëpi, rreth dyqind metra karshi por nga prapa dyqanit tim pa derë, i cili mund të jetë i vetmi i tillë në Shqipëri. “E po ndofta ka për t’u kujtuar” thashë me vete. Shtëpinë e tij ku kish banuar me qira e kishte lëshuar me qira tek një tjetër qiraxhi. Duke biseduar me klientë të ndryshëm mora vesh se, ai polici që s’kish ku të ngrohej, ishte bërë kuadër madhor i policisë së kryeqytetit. Madje kishte ndërtuar një vilë trekatëshe dhe qe larguar përfundimisht prej rajonit ku kish qenë më parë me qira. Ditë më pas, një klient i ri, serioz dhe i mbajtur, vjen e më thotë: “Të lutem, më ndihmo. Kam një bombol gazi nga ato të mëdhatë që nxënë 15 litra gaz dhe një reflektor, që m’i fali pronari i shtëpisë që kam marrë me qira këtu afër” dhe ma tregoi me dorë e shenja. “Mua nuk më lipsen dhe me që ti tregton të tilla, mendova se mund të m’i blije, mbase të hyjnë në punë”. “Mirë, ore, silli”, i thashë të panjohurit. Dhe ai erdhi pas pak. Kur ç’të shihja?! Ishin pikërisht ajo bombol dhe ai reflektor që i pata dhënë atij policit dikur… Dhe me që duhej të mbaja fjalën, bleva përsëdyti mallin tim. M’u turbullua pakëz mendja, por shpejt e mora veten dhe u ndjeva disi i qetë se, në fund të fundit, rreth e qark dyqanit tim pa derë, shumë njerëz shisnin e blinin emrin, nderin, karakterin, veten kurse unë ribleva vetëm bombolën e reflektorin…”
Sigal