Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi S.Qazimi: Çikoret amerikane

522
Plakut, në vitet e fundit të jetës, i vete mendja për të provuar shijen qoftë edhe vetëm një herë të shumë gjellëve të moshës së rinisë së tij. Kjo është kërkesë e natyrshme. Të paktën kështu e konsiderojnë studiuesit e fushës së psikologjisë sociale. Plaku i tregimit tonë kish fluturuar tek e bija si vizitor në një qytet verior të Amerikës ku ajo ka ndërtuar jetën e saj me familje e fëmijë. Ai kish shkuar më tepër nga malli se nga halli. Çdo ditë e më shumë ndjente, me atë të tijën, se detyrat e tij ndaj fëmijëve ishin realizuar tashmë dhe si pa e kuptuar as vetë po i mëshonte më tepër anës tjetër: të kërkonte plotësimin e detyrimeve të fëmijëve ndaj tij, edhe kur ata për një arsye apo një tjetër, harronin. Ishte në rolin e shoqëruesit të dhëndrit të vet një ditë me qiell gri e me erë therëse, ku lëvizjen si lumi të makinave e shoqëronin etshëm klithmat e çjerra të pulëbardhave dhe xixëllimat sistematike e të heshtura të semaforëve. Do të shkonin për psonisje që këtu i thënkan “shoping”. Në maksi-marketin dhjetëra hektarësh në sipërfaqe, mbuluar me një konstrukt metalik bojë qielli dhe mbushur e mbipopulluar me njerëz-shumica e të cilëve mbajnë syze miopie- ku sundon sasia e cilësia e mallrave kineze, atij, plakut, i shkoi syri tek një bimë që i ngjau me atë lloj barishteje të cilën në fshatin e tij e quajnë çikore. Si zakonisht dhëndri atij, jo vetëm që nuk ia prish, por e josh që të kërkojë pa kurrfarë droje çdo gjë që vjehrrit i pëlqen për çdo lloj arsye jetese:ushqimi, veshmbathjeje,kozmetike, studimi, koleksionimi, argëtimi,etj . Plaku ndaloi te kutitë-këtu iu thonë bokse- ku qenë reklamuar barishtet jeshile. Ah sa e pëlqen këtë ngjyrë plaku; ajo i kujton fëmijërinë kur loste nëpër lëndina me bar e lule në fshatin e lindjes, tutje në një vend të vogël afër Mesdheut. I sjell ndërmend vitet e rinisë së tij të blertë që ia rrëmbeu të gjitha jeta në ushtri. I kujton edhe disa aspekte të viteve të pleqërisë…Dhe i tregoi dhëndrit se donte të blinte një tufë(atij i pëlqen të thotë fjalën xhufkë ) me çikore. E mori dhe po e tororiste nëpër duar atë tufë me çikore sikur të ishte fëmijë dhe dhëndri vuri re që sytë e të vjehrrit shprehnin sa gëzim aq edhe habi. Me mendjen e vet plaku po bënte krahasimin me çikoren që ai ka ngrënë qysh në fëmijëri, me pas në rini më rrallë, dhe tani në vitet pas të gjashtëdhjetave. Ato, çikoret e vendlindjes së tij janë aq të bukura, të kolme, fletëhollë që të kujtojnë vajzat belkëputura, rrënjë kuqe që me një herë sjellin në mendje flakën e zjarrit bubulak në vatër. Çikoret atje në vendlindje duket sikur rrezatojnë ëmbëlsi natyrore dhe dëshirë për mirëbërësi humane, ndaj kur i shikon të detyrojnë që t’i përkëdhelësh e më pas t’i pastrosh e t’i përgatisësh për gatim. Kurse këto, çikoret amerikane, që bleu këtu, plakut po i duken si bimë abrashka, të stërzgjatura sikur kanë dashur të arrijnë diellin për një gjysmëdite,me kërcell të trashë jo si degë lisi( eh, të ishte lis , ku ta gjeje, se ai është simbol i fortësisë pellazgjike!) po më tepër si degë -lastar e lodhur mëlleze që thyhet me një herë. Pastaj pjesa e bardhë e kërcellit ishte aq shumë e gjatë sa ngjante me ato fotot e revistave që ekspozojnë hiret e poshtme të grave. Por neise! Ai vendosi që të provonte shijen e çikoreve amerikane. Në shtëpi i tha së bijës se çikoret do t’i pastronte,përgatiste e gatuante vetë. E bija, për t’ia bërë qejfin i tregoi se edhe ajo i pëlqente dhe i përdorte shpesh. Pasi i lexoi edhe një herë etiketat lidhëse e mbështjellëse të shkruara në gjuhën angleze, plaku filloi ritin e tij të pastrimit gjethe për gjethe, grirjen me merak, rilarjen, kullimin dhe hedhjen në ujë të valuar për rreth njëzet minuta, e me pas do të vijonte uthullimin, vajimin, kripimin…dhe servirjen. Mori nga rafti një tenxhere alumini me fund ngjyrë të zezë, që kurrë nuk do t’i shkonte në mend se ishte lëndë midis plastikës dhe llastikës,e mbushi me ujë,e vuri mbi vatrën e ndezur në maksimum të sobës dhe, sa të nxehej uji, u ul në kanape që të hedhë një sy dy gazetave të javës së atij qyteti. Por s’kaloi as minuta dhe ra zilja e alarmit të hyrjes së pallatit. Kuzhina u mbush me erë të djegur e tym të paparë. Vajza e shqetësuar prej dhomës tjetër erdhi me shpejtësi “Ç’na bëre more babi!? ” klithi ajo dhe pasi fiku sobën, hoqi tenxheren…por veprimet e teknologjisë së lartë amerikane sollën në katin e tetë të pallatit zjarrfikëset, inspektoratin e mirëmbajtjes së mjediseve dhe ruajtjes së njerëzve,tri makinat autoambulanca…Plaku tashmë tepër i tensionuar doli te dritarja kur ç’të shihte: Shumica e banorëve (të cilët janë të ardhur nga të tërë kontinentet) me fëmijë në krahë e pleq nëpër këmbë kishin dalë sakaq në sheshin para pallatit sipas instruktazhit mujor që u bëhet dhe u shkruhet për kujtesë në derë dhe në hyrje të ashensorit. Plakut i hipi një çehre e verdhë si meiti. Zemra po i rrihte si kurrë më parë këtu në këtë vend të largët. Ç’nuk po sillte ndërmend e ku s’i shkonte fiqiri. Mallkoi veten duke folur më zë: “Më mirë të më kishin helmuar ato virane çikore!” Menaxheri indian i pallatit i shqetësuar, por edhe i preokupuar që të mos ndëshkohej aq rëndë…por nuk pati kohë për meditime të tjera. Situata u vendos nga specialistët. Të nesërmen erdhi fatura e gjobitjes me shumën sa dy qira mujore. Plaku tha: “Paskam hyrë në moshën që babai im e quante ‘belaja më e madhe për fëmijët’. Nuk është Amerika për mua” dhe kërkoi që t’i pritej bileta për t’u kthyer me një herë të nesërmen në atdhe.


Sigal