Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi S. Qazimi: Brenda atij që ngrihet e ulet…

-Skicë-
Dje, aty nga dreka, për të derdhur ca kartona te koshi i atyre që riciklohen, m'u desh të ulesha me ashensor. Gjeta brenda një grua plakë thataruqe, e bardhë, me nje qen-kone spirranike për dore. I thashë: “mirmëngjes” dhe ajo ma ktheu ashtu thatë, por me farë përzemërsie. Një kat më poshtë në ashensor hyri një burrë ezmer rreth 48 vjeç me një tok çantash nëpër duar. Pas tij çapiste një grua që unë e çmova nja 95 kg me një qen të bërdëllemë të madh me kokë e trup, i cili e kish me mëdyshje hyrjen në kutinë lëvizëse vertikale të pallatit. Por kur plaka thatuqe i tha: “Hyrë, se ashensori tjetër vonon" ajo e para, tok me qenin vunë këmbë brenda. E ‘shava’ me mendje të moshuarën fytyrëthatë që bëri ftesën nga çka po shihnja tek plaka që hyri. Një trup obez keqas i deformuar, dhe kjo ishte fatkeqësi me të cilën askush nuk mund të përflasë, ngase ajo mbante mbathur pantallona të zeza ngjitur pas trupit deri te kërciri. E përfytyroni dot se si ngjan ky lloj trungu? Dhe qeni i saj filloi menjëherë nga puna për të nuhatur mjedisin e ngushtë të dhomëzës katrore, duke hundëkontrolluar pantallonat, kërcinjtë,këpucët, noçkat e këmbëve të njerëzve si dhe nënbishtin e qenit tjetër-kone. Pra u bëmë dy gra, dy qen dhe dy burra. Një kat më poshtë ndaloi dhe u hap ashensori. Ishte një grua me një tufë fëmijë, e cila kur e pa ashtu gjendjen, tha "nuk po vij", por plaka thataruqe nxorri nga goja shpejt e shpejt formulën: "Hajde, se ashensori tjetër vonohet". Se ç'e kish këtë ftesë ajo plakë turistafidhe, nuk e mora dot vesh.Gruaja indiane me tre djemtë e saj nga katër deri tetëmbëdhjetë vjeç u rras duke u ngjeshur në ashensor, i cili për fat ka të shkruar peshëmbajtjen 915 kg. Qeni i bërdëllemë vijonte punën e tij si qen, ndonëse e zonja që zinte vend sa për dy njerëz ia shtrëngonte rripin (se nuk e kish me zinxhir). Konia bënte të lëvizte nëpër boshllëqet e ngushta midis këmbëve tona, por ngatërrohej me bishtin e qenit tjetër dhe duart e fëmijëve indianë. Asnjë nga fëmijët nuk qante, bile dy ishin entusiaztë. Pra, tashmë u bëmë pesë burra, tri gra dhe dy qen që po zbrisnim për në katin e parë. Mirëpo në katin e dytë ndaloi dhe u hap përsëri dera e ‘fap’ u dha një burrë. Sa e pamë të gjithë e njohëm. Ishte beqari i stazhionuar rus (mjaft i njohur në pallat), me kapele verore strehëgjatë me qenin e tij hashari, të hardallosur, të kuqëremtë e shtatlartë sa një mëz pele arabe. Ai u mat të hynte, aq më tepër kur dëgjoi edhe ftesën e plakës turifishkur verdhacuke, por seç ia tha dikush, diçka në tru, mbase xhebraili dhe u zbraps furishëm duke e tërhequr me forcë krahu qenin e tij gojëhapur që bëri të hynte me duf... Ne burrat qëndronim fytyrëngrysur, sikur të na kish ngrënë gomari bukën - siç shprehen në ca krahina të vendit tim atje larg në Mesdhe. Gratë nuk e ndryshonin aspak pamjen, njëra e zeshkët, tjetra pa ngjyrë, si skulptura në studio. Vetëm gruas plakaruqe i kishte mbetur buzëgazja paksa e ngrirë që kur bëri ftesën e fundit në katin e dytë... Erdhëm, lavdi zotit, në katin e parë! Qentë u treguan të durueshëm, kurse ne, njerëzit filluam të delnim vrulltazi siç hidhen zogjtë e vegjël të inkubatorit në govatën e madhe të etiketimit para së të shkojnë për t'u ushqyer e më pas për t'u therur...