Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi S.Qazimi: Ballkanas, edhe në metropolin kanadez

473
Ndjehem i lumtur, në një kend të ngushtë shikimi, që jam prej gjashtë muajsh, pa politikë, pa lajme marramendëse dhe ekstravgante shqiptare, pa dasma e vdekje, pa kafe të shoqëruar me thashethemnajë të sinqertë te ‘Deliri’ i Jovanit, apo te ‘palma me prefiks’ të lartë,pa ata dy që nuk u del koha as te ngjatjetojnë, pa atë e këtë…Kjo gjendje më bën që të merem me detaje e cikërrima më shumë pa vlerë të madhe se sa me ose pa rëndësi. Ja një nga këto ndodhira amalgamë të këtushme, në këtë metropol me mbi gjashtë milionë banorë prej gjithë kontinenteve. Kam 26 ditë që shoqëroj nipin për në kamp veror ditor. Largësia nga shtëpia tek kampi është gjashtë stacione autobusi urban dhe unë e bëj për 16 minuta në këmbë me ecje ‘për qejf’, por nipi afërsisht pesë vjeç, nuk e bën dot këte rrugë në këmbë dy herë në dite, prandaj prindët e tij më kanë siguruar dy bileta-abone mujore (secila nga 55 dollarë kanadezë) ku theksohet: për fëmijë nën pesë vjeç dhe të moshuar mbi 65 vjeç. I mësova stacionet, rregullat e hipjes e të zbritjes dhe paraqitjen e biletës tek shoferi sepse këtu autobusat nuk kanë fatorino.Kompania e kësaj linje,si gjithçka këtu në këtë shtet supermodern imperialist,është private. Në mëngjes, tek kampi na shpie babai i nipit sepse ka rrugën andej për në punë kurse në drekë vete unë më këmbë dhe e marr nipin për të ardhur në shtëpi,me autobus.Çdo gjë në sinkron, e rregullsi të plotë dhe kjo më lumturon sepse i tillë u edukova qysh në bangot e shkollës. Shoferët, zezake femër, kinez mashkull, evropin me kollare, me gjyslyke dhe një mandarin pa flokë, një i bardhë në pamje mendjemadh- më njohin tashmë dhe kur unë iu paraqes dy biletat me dorën e djathtë duke mbajtur me dorën e majtë për dore nipin tim, me thonë:”Thank You” dhe unë kur zbresim ua kthej :”Thank you”. Një ditë shiu korriku kanadez(këtu shiu është me valë dhe me rrebesh, me erë dhe me furtunë, që po të zuri jashtë të mposhti,po të zuri brenda, ta bën zili), pasi kishin pushuar edhe pikat e fundit dhe kishte dalë dielli i fshehur pas reve, por tepër i nxehtë, tok me nipin , presim pak sekonda në stacion, që këtu quhet “ndalesë autobusi”. Erdhi autobusi,Gjyshi,- bërtiti nipi me gas kur e pa tej në ceprrugën e mbushur plot me makina shumëllojëshe e shumë ngjyrëshe. Ndaloi. Zbritën dy vajza kineze. Hipa unë me nipin për dorës së majtë dhe në të djathtën, si gjithnjë, kisha biletat. Sot kisha edhe një trastë me dy ombrella. E kalova atë në të majtën, pa lëshuar nipin dhe me të djathtën i tregoj dy biletat shoferit, të cilin nuk e kish hasur më parë në linjë. Shoferi, fytyra e sertë e të cilit m’u duk si një copë dru lisi e ashpër e prerë me sopatë në formë afërsisht katrore dhe mbi të disa qime floku si gjembat e iriqit shqiptar, nxorri një breshëri fjalësh në gjuhën ruse, nga të cilat unë kapa Malçik, …gavarit paruski,…gaspodin… U gjenda krejt i boshatisur për t’iu përgjigjur, ndonëse di të komunikoj në rusisht aq sa që të merrem vesh. Shtanga duke e vështruar drejt e në sy,shoferin që m’u bë sikur koka e tijj ishte një copë druri e palatuar.Ai ma ktheu aty për aty të folurën në gjuhë angleze. Tani e mora vesh se ç’po më thoshte: “Duhet të paguash për fëmijën se kjo biletë nuk pi ujë” dhe nuk me la të flisja prapë, por shtoi, po në anglisht: “Unë jam nga Maqedonia, ti nga je”. Autobusi ishte në stacion dhe kish rreth 16 vetë brenda,shumica të ulur dhe pak në këmbë. Shumëkush donte që të fillonte lëvizja, ndokush shihte me kurreshti, e ndonjëri s’e kish mendjen fare se çfarë po bënte shoferi me një pasagjer.Mora frymë thellë dhe iu përgjigja, në gjuhën angleze, me një zë paksa të qetë nga zori, me ngadalë dhe shkoqitur :”Zotëri, unë di të të flas rusisht, por këtu do komunikojmë vetëm anglisht. Biletën e kam të rregullt. Unë jam shqiptar. Ku është shqetësimi yt? ” Ai, kokdruri, po e quaj pa dashur aspak ta fyej,me duart në timon dhe me shikim çuditërisht qortues nga unë ma kthen:”Armen apo shqiptar?”(Kjo mëdyshje e tij ndoshta i kish lindur, mendoj unë në rastin më të mirë, ngase fjalët ‘shqiptar’ dhe’armen’ në veshin e një njeriu që nuk e dallon dot gjuhën angleze në detaje,kanë afërsi tingujsh. Por mund të ishte jo mirë me dëgjimin, apo… këtë saktë e di vetëm ai). Ia përsërita theksueshëm :”Shqiptar”, dhe pa nxjerrë tjetër fjalë po e shikoj me kujdes në mënyrë pyetse. Ai vijoi me mimikë të sertë: “Mos u mërzit, as mos u shqetëso për këtë radhë. Shiko për të ardhmen.”Nuk e di pse më erdhi pak si turp, paksa keq, disi inat, a ku ta di se si më erdhi dhe me pak gjeste i thashë këto fjalë: “E ardhmja ime është këtu”, – duke i treguar thinjat e mia që më zbardhin si leshi i deleve kur i ka larë shiu.Ai, pa ia vënë veshin çka i thashë vazhdoi: “Jo për ty, por për fëmijën e kam fjalën”. Tani nuk m’u durua dhe i them thuajse me ton të ashpër: “Ky fëmijë kanadez, duket qartë që është i vogël, është vetëm katër vjeç! Dhe bileta që ju tregova është për fëmijë deri pesë vjeç. E kupton?”Dhe, pa marrë përgjigje, ktheva trupin e kokën rrëmbimthi nga korridori i autobusit dhe çapita i shpejtuar drejt thellësisë së autobusit sepse nipi ndërkaq, ma kish lëshuar dorën dhe kishte shkuar e qe ulur atje në rreshtin e fundit, që i duket si “presidium” nga ku e shikon tërë autobusin…Duke ecur me buzën ironikisht në gaz dhe kokën pak të ulur thashë me vete: “Ja ballkanasi thuajse i pagdhendur, qe dashka të … edhe këtu e tregon veten.!”Zbrita me nipin katërvjeçar nga dera e daljes dhe nuk i thamë shoferit as “Thank You” e as “Good bye”.
Sigal