Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi Qazimi: “Zyra nr 11”

723
Sami Skutinën e kishin kthyer nga shërbimi i gjatë diplomatik si ambasador të shtetit të vet në Perëndim dhe tani kish filluar punë në një ministri. Ishte një nga zërat më të njohur të diplomacisë shqiptare dhe nga më të besuarit e udhëheqjes së lartë të partisë e të shtetit. Kish fituar aq përvojë, sa atje ku kish shërbyer e quanin “dekan” dhe këtu i thoshin “profesor”. Kish dy fëmijë të rritur e të shkolluar. Fqinji i tij i vetëm i ri në katin e tretë të pallateve “Shallvare” dukej të qe njeri me kulturë pune e jetese. Përshëndeteshin sa herë që takoheshin në shkallë ose poshtë hyrjeve. Gratë e tyre, siç e kanë zakon në tërësi të gjitha gratë, bënin biseda edhe më të zgjeruara, me që ishin ende të pacaktuara në ndonjë punë. Gruaja e fqinjit kish pranuar të pinte kafe edhe në shtëpinë fqinjës që kishte ‘bredhur’ nëpër shtetet e shumëzhvilluara kapitaliste. Veç mjaft orendive të bukura, asaj, i kish bërë përshtypje që në ballkon të fqinjës “diplomate” ishin mbjellë në dy vazo të mëdha edhe dy bimë të larta, me kërcell e gjethe jeshile, që ajo nuk i kish parë kurrë dhe me naivitet femëror e kish pyetur fqinjën për to, e kjo, qetazi i kish thënë: “këto janë kanabis” . Gruaja fqinje, pastaj, pa pyetur më tej, iu gëzua shumë çiftit aq të bukur të kanarinave në kafaze që kishin marrë një koncert në “do minor” si duket për nder të dëgjueseve. Një ditë vjeshtë me re të murrme e pak erë që lajmëronte se duhej të vishej palltua, paskësh ardhur në shtëpinë e profesor Samiut një i panjohur dhe e kish kërkuar. Gruaja e profesorit i pat thënë: “është akoma në punë”. Ai, i ardhuri i panjohur që nuk u prezantua direkt, por që u kuptua se kush ishte me ato që tha, kish lënë detyrë: “Kur të vijë profesori, i thoni që të paraqitet në orën 20.00 në rajonin e policisë së qytetit, zyra nr.11.” Posa erdhi nga puna, qysh sa hapi derën, profesorit gruaja iu hodh në grykë si kurrë ndonjëherë: “Çfarë ke katranosur? Do të na marrësh më qafë!” Dhe duke gulçuar mezi i tha: “Të kanë kërkuar në rajonin e policisë…” “Profesori, i qetë si gjithnjë, me ngadalë, pasi hyri në korridor, pa i ndarë vështrimin joqortues gruas, me një buzëgazje të ëmbël, zbathi këpucët, hoqi kollaren, zhveshi xhaketën dhe për ta qetësuar i thotë me një zë të ulët por të sigurt, një nga ato fjalitë diplomatike që nuk tregojnë gjë: “Asgjë nuk ka e nuk do të ketë, moj grua!”Ajo po habitej me atë qëndrim thuajse indiferent të të shoqit dhe vërdallisej shumë e tronditur nëpër dhomë, duke i shtruar tavolinën për të ngrënë. Pasi hëngri bukë, pyeti të shoqen se si e kish kaluar ditën, Samiu vendosi të pushojë pakëz. Edhe pse nuk e jepte veten, diçka kish filluar ta brente ndërgjegjen e tij. “Çfarë mund të ketë bërë vaki?!” Skanoi -siç kish dëshirë të shprehej ai shpesh, kur bëhej fjalë për sjelljen ndërmend të së kaluarës së afërt, veprimet e takimet e javëve të fundit, dhe asgjë nuk i delte se do të kishte të bënte me ata të policisë, që dikur, gjatë periudhës së gjatë të shërbimit të tij i përfshinte dega e punëve të brendshme të qytetit. Nuk mori askënd në telefon. Afër orës së caktuar ai u gjend pranë zyrës ku e kishin kërkuar dhe u paraqit duke u prezantuar. Aty e priti një oficer policie që duhej të ishte ai i shërbimit të rojës, i cili, pa i lënë shteg për bashkëbisedim të shkurtër njerëzor, i thotë me ton të ashpër urdhërues: “Sonte do të qëndroni në dhomën e ndalimit, dhe nesër do të vijnë personat që do të merren me ty!” Sakaq ai urdhëroi policin përkatës “Shoqëroje zotninë!” Polici mendueshëm hezitoi për një moment, por zëri prepotent i shefit të tij qe kundërmonte era pije alkoolike: “Polic, bëj detyrën!” e solli në vete. Ky lloj qëndrimi urdhërues, fyes , nëpërkëmbës dhe krejt i papritur për diplomatin, qe një lloj goditjeje shpirtërore jo e lehtë. Mirëpo ai kish kaluar lloj-lloj situatash në jetën e tij që po i afrohej treçerekshekullit, që nga Lufta partizane, nga koha e zhdukjes së pasojave të Luftës Antifashiste, nga vitet e rindërtimit të vendit, dhe më pas, dhe më shumë andej matanë kufijve, ku kish kaluar jo pak vite. Mundi t’i thotë oficerit të policisë vetëm: “Shikojini edhe një herë me përgjegjësi këto që thoni zotëri!” dhe shkoi në dhomën e ndalimit. Me përvojë në momente kritike, ai ruajti gjakftohtësinë ndaj atyre dhe vetes. Aty, e para gjë që i sollën në mendje fjalët “Bej detyrën!” ishte tregimi i partizanit Avni Kodra në një situatë luftarake në afërsi të Beratit. “Togkomandanti mua më dha urdhër”: Avni! Shko te ai ballisti atje sipër, tek ajo shtëpia me oxhak të gjatë dhe i thuaj “O na jep informata, se ku janë forcat balliste, ose ndryshe do ta kesh pisk punën!” Ato që do të të thotë ai mbaji mend mirë; po s’të dha gjë, bëj detyrën!” Dhe unë, vijonte tregimin Avniu, të cilin Sami Skutina sa herë e kujtonte aq herë gajasej së qeshuri, vajta atje lart vet i dytë. Hapa derën me kondak të belgjikut dhe i ryra brenda në konak. Ai rëndë- rëndë, nuk më qasi fare në muhabet. Disa gra vinin vërdallë nëpër dyer e në konakët e shumtë të shtëpisë. Thirra me zë të fortë sa ma dha çaçka e kokës: “Prapsuni, ju kërma!” Dhe krrau-krrau mbusha belxhikun me fishekë dhe ia drejtova atij surratsëzi që nuk pranoi të fliste, duke iu betuar: “Për Abas Alinë, t’i numërova në kokë! Ngrehu, gjidi pizeveng…!” Por kësaj radhe ambasadorit nuk i shkonte mendja tek të qeshurit… I kaloi ato orë aq të gjata të asaj nate aspak të zakonshme të jetës së tij, nën presionin e mendimit se kush e di se ç’do të ketë punuar e shoqja duke rrahur telefonat. Nuk kish asnjë dëshirë që emri i tij të lakohej as në media e as nëpër zyra shefash. Ishte mësuar që të bënte punën pa lavde, pa sherre, pa tam-tame. Të nesërmen në mëngjes, ora tetë, e shoqëruan për në një zyrë tjetër. Aty gjeti dy ish-nxënësit e tij, në vitet kur kish qenë mësues i lëndës së botanikës, emrat e të cilëve nuk i kujtonte dot tani. Ata, Mersini me Paulinin, pas përshëndetjes me shumë mirësjellje, prezantimit se kishin filluar punë në policinë hetimore, filluan bisedën e profesionit të tyre. “Ju lutemi profesor, a mund të na shpjegoni, nëse ka ndryshim ndërmjet kërpit dhe kanabisit? A është kërpi drogë?” Profesor Skutina u befasua, pse kjo pyetje në gojë të dy hetuesve. Parandjeu diçka, por falë përvojës së tij të gjatë diplomatike nuk e dha veten. Torri lloj-lloj hamendjesh në kokë dhe pastaj filloi t’u përgjigjej djelmoshave si dikur në orën e mësimit. U tregoi se ç’janë këto bimë, historinë e tyre në Shqipëri, përse përdoren dhe janë apo nuk janë drogë. U tha atyre, ndër të tjera, se me kërp, i cili është bime historike në vendin tonë, paraardhësit tanë kanë bërë litarë ngarkese; se nënat për t’iu qetësuar dhimbjet e barkut ose për t’i zënë gjumi me shpejt, u jepnin fëmijëve të vegjël pak lëng të nxjerrë nga zierja e gjetheve të asaj bime dhe se kjo njihet edhe si hashash në gjuhën e disa fshatrave tona; u shpjegoi se më pas janë bërë edhe prova për të nxjerrë tretësirë që përdoret në farmakologji dhe së fundi, se farat e kësaj bime janë ushqim shumë i preferuar për kanarinat… Dy oficerët e porsa titulluar dhe emëruar në atë detyrë, i treguan mësuesit të tyre se një kalec që është fqinj në të njëjtin kat me ambasadorin e porsa kthyer nga Perëndimi, ka bërë letër tek shefi i tyre, ku veç të tjerash ka shkruar :” ai , përveç se mban zogj në ballkon duke shqetësuar komshinjtë, prodhon edhe drogë”. Shefi ynë, vijuan bisedën me çiltërsi dy oficerët hetues, jo vetëm që na kërcet dhëmbët pse nuk e kemi zbuluar më parë këtë çerdhe droge, por na kërcënon çdo ditë, duke na thënë “Do mbaj qëndrim ndaj jush, se jeni tepër të vonuar në grumbullimin e të dhënave për ta arrestuar atë person që prodhon drogë këtu nën hundën tonë!” Qeshën të tre dhe u ngritën për të pirë një kafe. Ishte fundviti 1991.

Sigal