Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi Qazimi: “Zezakja në ashensor”

726
Po përgatitnim djalin për të shkuar në shkollë. Na mungonte shishja e ujit me pipëz që ai duhet të marrë me vete. Ndonëse atje ka ujë të pijshëm, por… unë nuk bëzaj! E kishte harruar në makinë e ëma e djalit që doli dje pasdite me të në pazar. Nisem, me vrap, duke marrë ashensorin prej katit te tetë, të zbres për të shkuar deri tek sheshi i asfaltuar para pallatit, që të hap makinën e parkuar në numrin 120. Mora ashensorin ku gjeta brenda një grua të bardhë disi thatanike që nuk më foli, edhe pse unë e përshëndeta me kokë kur hyra. Ajo kish pranë vetes dy trasta me tesha, me gjasa, për në lavanderi të katit dytë të pallatit. Një kat më poshtë hyri në ashensor një vajzë negroide rreth tridhjetave (ndonëse negërve dhe kinezëve është vështirë t’ua përcaktosh moshën vetëm me një shikim) dhe pas saj katër fëmijë të vegjël shkollarë e parashkollorë me ngjyrë, me krela të bukura, me kokorridhka të zeza dhe me çanta në duar e potere në gojë. (Po të kujtoj, i nderuar lexues, që këtu nuk flitet fare me termin “i zi” apo “negër” etj, gjendesh i arrestuar me një herë, po qe se shprehesh kështu në publik). Mes ‘potereve’ të fëmijve gjithë gaz e hare, vajza me një zë të ëmbël e të dëgjueshëm tha: “Good morning!” As unë që isha pozicionuar në qoshen diagonal me zonjën e pafolur, e as ajo, le ta emërtoj ‘thatimja e bardhë ruse’, nuk iu përgjigjëm përshëndetjes së zezakes së re. Nuk e di pse. A ishim përgjumësh, a e kishim dërguar mendjen, ajo në Moskë e unë në Tiranë, a…nuk e di se si u gjenda,të paktën si i moshuar që jam, duhej t’i kisha thënë, qoftë edhe vetëm “morning”. Zezakja, të jem i sinqertë, ishte shumë e pashme. Fytyrës së saj korb i bënin një kundërpeshë të fuqishme flokët e saj rrica-rrica në madhësinë e kokrrave të thierzave të vogla, të ngjyera me bojë të bardhë në qumësht; në ndihmë të zbukurimit të saj natyral i vinte edhe vëthi i vetëm ne veshin e mëngjër që ishte i stërgjatë e plot diamante farfuritës madje shkëndijënxjerrës. Kishte një bluzë që ia nxirrte fort në pah gjoksin e mbushur dhe hiret femërore. Pas disa sekondash ajo bërtiti thuajse sa kish në kokë, befasisht mes zhurmës gazmonjëse të fëmijëve tërë krela e zëra të pafajshëm,:”Goooddd Moorniing!” M’u duk si një gjëmim në qiell pa re, që kumboi shurdhueshëm në ashensor. Fëmijët, të katër, vështruan fytyrën e saj dhe qeshën. Nuk e morëm vesh se çfarë e kishin ata atë. Gruaja me çanta në duar seç belbëzoi në një anglishte të çjerrë: “Jemi si …dhe unë po çoj ca rroba në lavanderi” Mua me erdhi turp të flisja, sepse isha tërësisht fajtor. Buzëgaza fajshëm duke e vështruar afërsisht në sytë aq shprehës që shkrepëtinin inat prej zgavrave të ngjyera me bojë a krem disi mavi, të gruas së re me origjinë afrikane dhe ula kokën duke u ndjerë edhe më tepër i gabuar në sjelljen time. Aty me një herë m’u kujtua thënia aq madhore: “Njeriu më i mirë është ai që përshëndet i pari!”

Toronto
Sigal