Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi Qazimi: “Flamurët, qentë dhe plaka indiane”

714
Pasi kalova urën, ngjita një sheshore të pjerrët plot gjelbërim e pemë,u ula në një nga stolat e drunjta nën çatinë e një kubeje dizenjuar në vitin 1997 , ashtu si i gjithë ky park,nën kujdestarinë e zëvendësguvernatores së Ontarios, znj. Hillary, me dru të ngjyer me bojë të bardhë. Më duket sikur jam poshtë çatisë së një kasolleje malore prej druri. Këtu ku jam ulur ka fushë pamje , shesh qitjeje dhe kënd të gjerë vështrimi rrethor. Djathtas meje valëviten pranë njeri tjetrit, duke bërë zhurmë prej lëvizjeve që u shkakton era, jo e vrulltë por as qetësuese, dy flamurë, ai i Mbretërisë së Bashkuar Britanike dhe ai i qytetit të të Richmond Hillit, ky i dyti themeluar në vitin 1873. Majtas meje në një majë ‘kodrine’, jo me tepër se 70-80 metra mbi nivelin e detit flladitet nga era e mbrëmjes toronteze flamuri i Kanadasë me gjethen e kuqe të panjës në mes të fushës së bardhë…Në cep të hyrjes e të daljes nga parku është shkruar parulla: “Lejohet hyrja e qenve vetëm të lidhur me zinxhir. Shkelësit gjobiten katërqind dollarë.” Vë re me habi : një grua rreth të tridhjetave, me gjasa iraniane, me dy fëmijë mjaft të lezetshëm që i ngjajnë shumë asaj, po baresin nëpër park. Ajo mban për dore edhe një qen veshllapush e me ngjyrën rozë të çelur që më kujton Porozin e xha Ranes në fshatlindjen time, në vitet e mia të fëmijërisë. Pyes me sytë e mendjes: Ajo i ka dy fëmijë si drita, ç’i duhet vallë qeni? Mos vallë i mungon burri? Më tutje në lëvizje të shpejtë, po vjen një çift i ri .Të dy ezmerë, ai paksa shallandur kurse ajo me një fund ekstra të shkurtër dhe me qeshje rinore, me flokë të lidhura bukur, mban një kone disi fisnike për dore, kurse fytyra e saj tregon se synon maja në këtë botë. Konia është pak si rebele, se nuk i bindet litarit që herë i lëshohet e herë i shtrëngohet rreth qafës. Bisedojnë, qeshin, ecin, lodrojnë,… po qeni përse u duhet vallë? A nuk u mjafton dashuria rinore që është aq e flaktë dhe i ka dhëmbët më të mëdha e më të ëmbël se çdo kafshë? Nga pjesa veriore e parkut nëpër rrugicën e asfaltuar (këtu nuk ka asnjë rrugë e rrugicë të paasfaltuar- dhe ky është fakt domethënës për çdo qytet të botës që synon të jetë qytet i pastër), vijnë dy të moshës rreth 45-50 vjeçare; janë të ngjyrës së bardhë. Ata duken që janë çift, burrë e grua me vjetërsi, sepse edhe ngjajnë në pamje, edhe ecjen sikur e kanë të sinkronizuar. Dihet që pas martesës ka baras rregullim të bioritmeve njerëzore. Ajo mban për dore me një rrip meshini të gjatë një qen të kuqërremtë të madh, por që nuk duket të jetë agresiv, dhe ai, burri, të cilit i është ngritur një cullufe kaçarube mbi çaçkën e kokës mban për zinxhiri një qen mesatar të zi sterrë. Ecin paralel edhe dy katërkëmbëshit edhe dy dykëmbëshit. Qeni i zi është i gjinisë mashkullore dhe ai i kuqi i gjinisë femërore. Pyes veten: Po këtyre përse u duhen dy qen? Përgatis disa lloj përgjigjesh (Mos nuk kanë fare fëmijë? Mos vallë u kanë ikur fëmijët? Mos janë punësuar tek dikush për të mbajtur qentë? Mos merren me studime shkencore për jetën e qenve?) ,por më mirë po zgjedh që ta le pa përgjigje fare pyetjen time që ka brenda edhe nuancë paragjykuese të një njeriu që nuk e njeh botën perëndimore të super zhvilluar. Nuk mjaftoi me kaq: Një burrë i kuq në flokë e trup, madhosh, me një këmishë po ashtu të kuqe mëngëshkurtër dhe pantallona të shkurtra bojë hiri deri në meskërciri, mban lidhur për zinxhiri një qen të madh, çudi( !), edhe ai i kuq, bile shumë i kuq, me lesh të gjatë që e heq thuajse zvarrë. Diku në cep të parkut i zoti e lëshon qenin e kuq…Ky lloj qeni nuk bën atë veprim që bëjnë qentë sipas fjalës se urtë shqiptare “si qeni kur lëshohet nga zinxhiri”. Përkundrazi, me një shpërfillje të ekzistencës, ecën ngadalë në qejf të vet duke hunitur e nuhatur (sa e vështroj atë qen të kuq në këto pozicione më del përpara, i madhi ynë Fan Noli që ka thënë diku, dikur:”Qenin nuk e kritikojnë pse nuk di të flasë, por pse nuk di të nuhasë!”) dhe kur ai, burri shikon se qeni po afrohet tek stoli nën kube ku jam ulur unë, i thërret me një emër që mua nuk më mbeti në kujtesë, (ndoshta nga frika e qenit!?, ndoshta nga që e kisha mendjen të qeni dhe të aeroplani “Boeing” që po fluturonte shumë ulët drejt aeroportit kanadez “Pirson”). Qeni i bindet të zotit dhe ndalon deri sa i hidhet zinxhiri në qafë. Pyes pa zë: Po ky derdimen përse e mban këtë qen, që mund ta quash edhe të bukur edhe të shëmtuar? Këtu nuk po gjej dot asnjë përgjigje. S’kaloi shumë dhe “frap” del në rrugicën “malore” të parkut nga poshtë lart, tërë vrull, burri rus surrat-dhelpër disi antipatik me kapele me strehë të gjatë dhe me qenin e tij gjerman, i cili është tmerrësisht i lëvizshëm, agresiv dhe sulmues, e në pamje, vështrime e veprime. Ka dy sy që mua më kujtojnë Murron e tërbuar të Hamitit aty nga viti 1959-1960 që ishte një periudhë kur qenve të krahinës sime u ra sëmundja e tërbimit dhe u dha një urdhër nga organet e pushtetit lokal që njerëzit të ruheshin e qentë të vriteshin. Pikërisht ata sy të Murros ka edhe ky qeni i këtij burrit hollaq rus të pallatit tonë që del fillikat çdo ditë dy herë, para e pas dreke. Por nuk besoj se ky qen ka shenja tërbimi; mbase është thjesht diçka fiziologjike e racës. Po ky farë burri, pse e mban këtë qen xhanëm? Pyetjes nuk preferoj t’i jap përgjigje, sepse nuk di se si. Para meje në një stol pranë luleve shumëngjyrëshe aq të bukura disallojëshe , përfshi edhe dy tufa me zhuk(!) të mesit të lulishtes, janë ulur dy pleq indianë rreth të tetëdhjetave, ai tullac (kur u ngrit, vërejta se ishte edhe çalanok), i lodhur dhe fjalëpakë dhe ajo flokët të mbledhura si kapak ibriku prapa kokës me fustan (më saktë copën e cohës së bukur të pa qepur, por të hedhur diagonal me pështjellim, rreth trupit në atë mënyrë që duket si fustan). Kjo coha, në pozicionin që ka tani në stol, i lë zbuluar një pjesë të nënsqetullës e të belit të saj të errët, të fishkur e me pak dhjamë. Ajo i çuçurit pa pushim në vesh të shoqit të rënduar nga jeta afër shekullore. Edhe ajo kur u ngrit të fillonte ecjen çalonte nga të dy këmbët!… Jetë me andralla…Po këta vallë a menduan për qentë siç mendova unë? Heshtje…Befas heshtja medituese u thye sepse qeni që mendoja se nuk kish shenja tërbimi, iu ndërsye plakës indiane për ta kafshuar dhe ia zhvati me tërheqje copën e mbështjellë rreth trupit duke e lënë atë çipllak. Burrit të saj plak i ra të fikët. Ajo e mbetur lakuriq vetëm në të mbathura nuk dinte se çfarë të bënte, por për fat dhembët e qenit nuk qenë ngulur në mish sepse i kish penguar copa e trashë mbështjellëse. I zoti i qenit që nuk mundi ta mbante fort për zinxhiri, në vend të jipte ndihmën e parë dy të moshuarve, thotë ca fjalë fyese në efir duke u përpjekur të kapë qenin. Ngrihem për t’iu ardhur ndihmë, por sakaq kishin mbërritur tre djem afrikanë, të cilët e kishin parë sulmin e qenit që nga fusha e sportit matanë rrugës automobilistike dhe erdhën rrufeshëm pranë dy pleqve indianë… Nuk vonoi edhe autoambulanca dhe makina e policisë …
Sigal