Suplementi Pena Shqiptare/ Ilmi Qazimi: A pushoi shiu ?

650
Sigal

-ngjarje e jetuar-

Jonuzi vendosi që të shkonte të takonte të birin ushtar në Tiranë. “Na bëj ca byreksheqere për djalin “ – i tha së shoqes. Mendoi se do ishte mirë që të kapte autobusin herët e më pas të kapte trenin e parë në Fier, dhe që të kish mundësi të kthehej përsëri brenda ditës. Mirëpo në mëngjes nuk e lanë ca ëndrra të liga dhe nuk i doli gjumi. Me që ish i vonuar,makinën e parë që pa te kthesa e rrugës së lagjes së qytetit ku banonte, i ngriti dorën. Shoferi, i cili  përpara kish një të moshuar, ia kthen: ”Hip sipër në karroceri se aty ke edhe një tjetër”! Jonuzi, me torbën me byreksheqere hipi sipër. Aty s’kish njeri; ish vetëm një arkivol. Makina u nis drejt kryeqytetit. Jonuzi, i mbështetur te sponti anësor i karrocerisë, shihte herë arkivolin, herë veten, herë qiellin. Lloj-lloj mendimesh i vinin në kokë. Si ka mundësi që ky arkivol nuk ka një shoqërues? Kush mund të jetë brenda? Vallë do jetë mashkull apo femër ai rob i perëndisë që i ka thënë lamtumirë kësaj bote?…

Ishte vjeshtë dhe retë e turbullta kishin mbuluar qiellin. Filloi një vesë shi. Jonuzi vendosi të shikonte kush ish brenda në atë sënduk vdekjeje aq të bukur. E ngriti me kujdes kreun e kapakut të tij dhe për çudi brenda nuk kish asgjë. Shiu i dendësoi pikat dhe kjo qe një shkak tjetër i fortë që e detyroi Jonuzin te merrte vendim fatal: “Do futem brenda në arkivol!” Dhe pa një pa dy hyn brenda. Ishte ngrohtë dhe Jonuzi e harroi krejt se ku ish . Mjafton që i shpëtoi shiut – litar nga qielli.

Papritur makina ndaloi. Jonuzi, mes zhurmës që bënin pikat e shiut mbi arkivol dhe mbi karroceri, dëgjoi zërin e shoferit: ”Hipni shpejt sipër se aty kini dhe një tjetër”. Jonuzi ndieu se si u hodhën me një “bëlldym” mbi karroceri dy njerëz . Ata sa panë arkivolin, të habitur filluan të bisedojnë me njëri- tjetrin. Nga zëri dukej se ishin meshkuj dhe të mbuluar me mushama shiu, sepse bënte diçka fëshfësh nëpër spontet e makinës.

”Po këtu nuk paska tjetër njeri!? Mos vallë shoferi, e ka pasur fjalën për atë të vdekurin në arkivol ? Apo bëri shaka me ne?”

“Jo more, as unë s’e marr vesh” -ia priti tjetri disi shpërfillës.

“Ore, po sikur ta hapim e të shohim ka apo nuk ka njeri brenda; shoferi nuk kish pse të tallej me ne”- nguli këmbë i pari.

Biseda e dy udhëtarëve me mushama do kishte vazhduar edhe më tej po të mos ndodhte ajo që nuk i shkonte kurrkujt në mendje. Jonuzit i ishte mpirë njëri krah dhe lëvizi pakëz. Ata të dy sa panë kapakun e arkivolit që u hap u tmerruan dhe fytyra e tyre u kthye në limon.Trupin ua përshkoi një e dridhur e papërshkruar. I vdekuri duke hapur njërin sy më shumë se tjetrin, me një zë paksa të fjetur, ashtu shtrirë siç qe, pyeti: ”A pushoi shiu, oo?” Të dy ata të trembur e të lemeritur si asnjëherë në jetën e tyre, kur panë që u ngjall i vdekuri, për të shpëtuar nga llahtara,u hodhën “fiu” nga spontet e makinës, ndonëse ajo ish në ecje…

Jonuzi u kthye në anën tjetër dhe nuk i vuri rëndësi moskthimit të përgjigjes ndaj pyetjes për shiun. Aty, në arkivol, e kish kapitur gjumi. Dhe siç thonë plakat andej nga krahina e tij, gjumi është njëlloj si vdekja! Befas makina ndaloi me frena tepër të forta. Arkivoli u trondit dhe Jonuzi e hoqi kapakun, kur ç’të shihte? Mbi kokën e tij dy njerëz me uniforma blu me revole në dorë drejtuar nga ai, i bërtitën:”Mos lëviz!” Njëri prej tyre i hodhi prangat duke ia mbërthyer duart nga pas shpinës dhe e shtyu drejt spontit të prapëm të karrocerisë që të zbriste. Jonuzit i mbeti torba me byreksheqere në arkivol, por nuk pati kohë që t’u thosh policëve sepse tani kish hall koke …

Në zyrën e paraburgimit të policisë të Lushnjës, Jonuzi mësoi se dy udhëtarët kishin gjetur vdekjen e menjëhershme, shoferin e kishin arrestuar dhe këtë do ta merrnin në pyetje të nesërmen. Vendimi i gjykatës: Shoferi Tasi Tetaj, gjashtë vjet privim lirie; Jonuz Teneqexhiu, pasagjeri i vetarkivoluar, për arsye të mungesës së ndonjë neni që të parashikonte veprën penale të futjes në arkivol me dëshirë, i jepet pafajësia.