Suplementi Pena Shqiptare/ Ilirian Lluri, Promovohet Dokumentari: “Nusja me Shifon të zi”

678
Dokumentari “Nusja me shifon të zi” i kushtohet shkrimtares së parë shqiptare Musine Kokalari. Themeluesja e partisë Social -Demokrate Shqiptare dhe të parit grupim opozitar politik në Shqipëri, Bashkimi Demokrat, u dënua me 20 vjet burg, ndërkohë që dy vëllezërit e saj, Mumtazin dhe Vesimin i pushkatuan forcat partizane pa gjyq në një nga bodrumet e hotel “Bristolit” në Tiranë, 17 ditë para çlirimit të vendit. Dokumentari me skenar dhe regji të Ilirjan Llurit është mbështetur në ditarët e Musine Kokalarit dhe në disa detaje të librit “Sonata e hënës” të shkrimtares Englantina Mandia. Bashkia Gjirokastër pas shpalljes “Nderi i qytetit” në vitin 2000 dhe vendosjes së portretit të saj në memorialin e figurave gjirokastrite që nderojnë kulturën shqiptare përkrah Eqerem Çabejt dhe Ismail Kadaresë, e përjetësoi emrin e saj, në një nga institucionet qendrore të kulturës së qytetit. Pikërisht në kuadër të 100-vjetorit të lindjes së saj, 1917-2017 mori rrugë një material i filmik, i cili u pasurua në kohë me detaje e fakte, duke u finalizuar në dokumentarin e shfaqur në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar organizuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë nën kujdesin e kryetarit, Aleksandër Çipa. Një vit më parë projekti i realizuar në kuadër të 100-vjetorit të Musine Kokalarit dhe i mbështetur financiarisht nga Bashkia Gjirokastër u finalizua me krijimin e këngës së parë të muzikës së lehtë kushtuar kësaj martireje me titull : “Ditëlindja e burgosur”, me tekst të Ilirjan Llurit dhe muzikë të Saimir Skëndulit, dhe këngës së parë polifonike për këtë shkrimtare, me autor Petrit Beqirin interpretuar nga grupi polifonik “Argjiro”. Për herë të parë gjithashtu u shkrua dhe u inskenua një fragment nga gjyqi i saj, nga gazetarja Gentiana Brahimi, ndërkohë që ansambli “Gjirokastra” ngjiti në skenën e “Argjiro Fest 2017” fragmentin, “Darka e kënasë”, shkëputur nga libri i Musine Kokalarit, “Sa u tunt jeta”. Dokumentari “Nusja me shifon të zi” sjell inskenime nga jeta e Musinesë që nga mosha e fëminisë e deri në kohën kur ajo u shtrua në Spitalin Onkologjik të Tiranës, interpretuar nga katër aktoret Sara, Sindi, Jorida Shehaj dhe Alisa Gushi. Në këtë dokumentar na vjen për herë të parë filmikisht edhe figura e zbukurueses së nuseve, Kako Pinos, interpretuar nga aktorja Mimoza Lluri. Në dokumentar janë përdorur objekte dhe rekuizitë që i përkisnin Musine Kokalarit. Kjo gjë u mundësua nga bashkëpunimi i shkëlqyer me trashëgimtarët e krijimtarisë së saj, e veçanërisht znj. Bibika Kokalari. Një ndihmë të madhe kanë dhënë institucionet e Bibliotekës Kombëtare dhe Muzeut Historik Kombëtar përmes drejtuesve të tyre Persida Asllani dhe Dorian Koçi. Sipas skenaristit dhe regjisorit të këtij dokumentari Ilirjan Lluri, materiali filmik do të pasurohet edhe me disa detaje të reja siguruar së fundmi përmes bashkëpunimit me mbesën e Musinesë, znj. Karolina Kokalari. Kamera dinamike e Aurel Lulos, montazhi plot fantazi i Vilson Kuçit shoqëruar nga kolona zanore e kompozitorit Saimir Skënduli i dhanë edhe më shume emocion rrugëtimit 50-minutësh në jetën e Musine Kokalarit. Autori gjen rastin të falënderojë kryetaren e bashkisë Gjirokastër, Zamira Rami dhe Ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro për mbështetjen në vijimësi të realizimeve artistike që i kushtohen “Nderit të Kombit”, Musine Kokalari. Promovimi i këtij dokumentari u ndoq nga të afërm të Musinesë kineastë, intelektualë dhe personalitete gjirokastrite që ushtrojnë veprimtarinë e tyre në qytetin e Tiranës.
Sigal