Suplementi Pena Shqiptare/ Ilir Kadia: “Gruaja e grekut të pasur”

229
Albana Nako, mikja jonë tani tek të dyzetat, por e bukur dhe në formë sa nuk lë mashkull në Tiranë pa ia kthyer kokën mbrapsht kur ajo, si një varkë me velë të verdhë rrëshqet trutuareve, nuk po thoshte asnjë fjalë, madje dukej e përhumbur krejt, sikur të ishte në re, ndërsa në jepnim mendimin tonë rreth veprimit të një koleges brune tridhjetë-vjeçare të gazetës « Shkëndija », që në një-vjetorin e vdekjes të një prej shkrimtarëve tanë të njohur të pranonte në publik, kur bëhej një homazh për të ndjerin, se e kish dashur shumë atë, më shumë nga të tëra femrat e jetës së tij dhe se… Nuk kish duruar dot dhe e kish lënë mes të qarit fjalën e saj në mikrofon dhe ia kish mbathur nga salla, mes duartrokitjeve të forta të të gjithë pjesëmarrësve… Po duket se kryeredaktori i «Pambuk -ut» , nuk e kish duartrokitur për ta përkrahur dashurinë e saj, por vetëm sa për ta përcjellë nga salla, se tani, në tavolinë po thosh se një femre, edhe po të kish dashur fshehurazi një burrë gati pesëdhjetë vjeç më të madh se ajo, nuk i lejohej ta shpallte në publik hapur atë gjë, në prani të vëllait të tij, se gruaja i paskësh vdekur disa vite më parë shkrimtarit, me sa dinte ai, se… Unë e kundërshtova me forcë. I thashë se asgjë të keqe nuk kish patur që ajo i kish falur dashuri në dy vitet e fundit, pas vdekjes së të shoqes, shkrimtarit afër të tetëdhjetave. Se dashuria nuk njeh diferencë moshe dhe se ajo ia kish zbukuruar ato dy vite atij, nëse vërtet, dhe se, madje i thashë këtë ta mbajë shënim e të mos e harrojë sa të vdesë se është fatkeq ai burrë që kur vdes qahet nga vetëm një grua… Albana Nako ngriti kokën e më pa drejt në sy.

– Po të mos më ndërpresë asnjëri nga ju të katërt, unë jam gati t’ju them një histori timen, në Athinë, që kam pasur turp ta tregoj më parë në publik. 
Dhe Albana Nako, mikja jonë e bukur rrëfeu këtë histori të gruas së grekut të pasur. . . 
«Në Glifadha, lagjen më të pasur të Athinës, kisha afro dy muaj që punoja si pastruese në shtëpinë e Ivonit. Ivoni kish mbetur pa burrë, nuk kish shumë kohë, as gjashtë-shtatë muaj. Ishte një zemërbardhë grua tek të shtatëdhjetat që më ngjiste me një grua nga Korça, që e kisha njohur dikur tek të afërmit e mi atje, me emrin Urani. Ivonit, dikur trup mesatare e tani të mbledhur e zvogëluar nga vitet, i ishin larguar të dy fëmijët, djali e vajza , në Amerikë. Ajo ishte shumë e kënaqur nga puna ime. E kish kuptuar se nuk isha një pastruese dosido qëkur, tek shihnim CNN-in për ngjarjet e 11 shtatorit, vuri re që unë merrja vesh anglisht shumë mirë dhe më pyeti se sa gjuhë dija. Unë i thashë se dija edhe frëngjisht edhe italisht. 

– Kë di më mirë ? – më pyeti ajo. 
– Italishten, – i thashë unë. Ajo ra në mendimë një copë herë. 

– Jorgo do të zbavitet me ty herën tjetër, – më tha ajo. Pastaj më sqaroi se një herë në muaj Jorgo, një miku i saj i kahershëm, organizonte në hotelin “Galaxy” mbrëmje të paharrueshme ku pihej verë dhe kërcehej deri vonë. Hera tjetër qëlloi të ishte e shtuna e asaj jave. Unë vesha rrobat më të mira që kisha, një fustan të kaltër, të hapur pak në gjoks me një dekolte të përqarkur nga nja dantellë e hollë. Flokëve të verdha e të dendura nuk kisha nevojë t’u jepja formë. E dija që, me një të krehur të kujdesshme, merrnin formën që në Tiranë, në shkollën ku jepja mësim shokët dhe shoqet më thoshin se më shkonte shumë. Kur hymë në hotel “Galaxy” Ivona më porositi se gruaja e Jorgos, me heshtjen e saj, mund të më dukej pak e çuditshme, por nuk ishte grua e keqe. –Edhe, nëse nuk të flet, mos u mërzit!, më tha Ivoni. 

Tek dera e sallës së ballos një burrë, që mua m’u duk në moshë të thyer, i hollë e i gjatë, edhe pse i kërrusur disi, me mustaqe dhe flokë të zes korb, por ashiqare të lyera, i hapi krahët sa iu afruam, dhe, para Ivonit, më rroku mua të parën në gjoksin e thatë. 

-Ma che bella raggazza! Ma che meraviglia! 
Ndjeva që më puthi flokët. Mbante një erë parfumi meshkujsh, shumë të shtrenjtë. 
– A di të kërcesh ? -më pyeti italisht, pasi më shkëputi nga përqafimi. 
– Di zoti Jorgo, si nuk di ! – i thashë, gjithë në gjuhën që ai pati qejf të fliste, sikur të ishim të njohur prej vitesh. 

– Si të quajnë bukuroshe ? – me pyeti ai ndërsa sytë i xixëllonin si të maçokut plak. Unë s’kisha pse të kisha frikë. Nga ai jo, pa pikë dyshimi.Nga e shoqja ?! Akoma nuk e njihja. Dhe në fakt atë mbrëmje nuk pata mundësi ta njihja. Jorgo erdhi e m’u ul afër gjithë kohës dhe më shtrëngonte dorën. Hapur dukej se ra në dashuri me të parën me mua. Më merrte në vallëzim e më afronte lehtë trupit të tij duke më kënduar në vesh këngë italiane. Më puthte flokët e faqet. Në buzë jo. Në buzë nuk më puthi. Po të tentonte unë do ta lejoja pa dyshim, sa për aventurë. Ishte i lehtë, edhe pse i ngadaltë në kërcim, kuptohet. Më tregoi duke çuçuritur historinë e jetës së tij. Kish qënë në Shqipëri në luftën italo-greke. (A, aty e paska mësuar italishten!) Më tha se për pak e kish pësuar paq atje nga një predhë që i kish fshikur ballin, mes për mes, por jo shumë thellë fatmirësisht. Mirëpo edhe aq mund të ishte me zarar nga hemoragjia. Një fshatar shqiptar e kish gjetur në hendek afër Menkulasi , e mbante mend edhe emrin e fshatit në Devoll, dhe ia kish mbushur ballin me duhan. Ia kishte mpiksur gjakun në vend. Do të kish shumë qejf ta dinte, nëse jetonte apo jo akoma ndonjë i afërm i atij fshatari që t’ja shpërblente nderin. Më tregoi se kish bërë pasuri të madhe me anijet e tij dhe se i pëlqenin akoma vajzat e bukura dhe të zgjuara. -Të zgjuarat më shume akoma ! – më thosh Jorgo e më shtrëngonte dorën. 

– Unë jam nga Devolli me origjinë zoti Jorgo, bile tamam-tamam babain e kam nga Menkulasi. Por ai atëhere ka qënë dy vjeç fëmijë. Por mund të ketë qënë gjyshi im duke kullotur bagëtinë, ndërsa ju luftonit me italianët. Ku i dihet ?! 

– Qënke edhe e zgjuar atëhere. Dyfish kënaqësia ime, bukuroshe. Kisha ndjenjën se po rrija me tim gjysh që se kam njohur ndonjëherë. Bëra një llogari me mend se sa vjeç do ishte ky plaku grek me emrin Jorgo.

Nga lufta italo-greke kishin kaluar gjashtëdhjetë e kusur vjet dhe sikur Jorgo të kish qënë në moshë ushtari atë kohë, tani do ishte tetëdhjetë e kusur vjeç.

-Po, po ! Aq vjeç është, më tha Ivona kur duke shkuar në shtëpi i bëra këtë llogari të moshës së Jorgos. 
-Dhe qejfli i madh akoma apo jo ? – më pyeti Ivona me të qeshur. Unë heshta një çast. Realisht nuk mendoja ashtu.
– Më ftoi nesër në orën 11 në shtëpinë e tij. Jetoka në Glifadha, si ne, – thashë unë duke i treguar kartvizitën që më dha Jorgo në fund të mbrëmjes, kur u ndamë. 
-Po tjetër ç’të tha ? 

-Më tha se do të më prezantonte me gruan dhe dy djemtë e gruas së parë, – thashë me sytë përtej xhamit të makinës. Portokallet anës rrugës dukeshin si të lyer me fosfor nga drita e qumësht e neoneve. Ndjehesha e lumtur.

– Gruaja e Jorgos është goxha zonjë, – tha Ivona duke marë kthesën për në oborrin e shtëpisë tonë. Atë natë, para gjumit, mendova sa sa të rritur do të ishin djemtë e Jorgos. Sikur ai të ishte martuar në moshën që zakonisht martohen burrat në Ballkan, pra 24-26 vjeç, e të ish bërë baba po si ata, i binte që djemtë e tij të ishin tani në moshën e babait tim. Qesha me zë me kokën nën jastëk dhe i thashë vetes: “Natën e mirë moj budallaqe e vogël! E pafat mbete në Ballkan e më gjerë!”. Të nesërmen u zgjova që herët ,për ti vënë përpara punët e shtëpisë. Pluhurat kisha për të marrë më shumë, se të tjerat i kisha kryer shumicën. Aty nga ora shtatë e gjysëm bie zilja e telofonit. Ishte një zile e pazakontë, nevrike. Ivonit nuk kish kush t’i telefononte në atë orë. Mua nga Shqipëria jo e jo. Veç në kish ndonjë haber të lig. 

– Lerë se e kap unë, – tha zonja Ivoni me flokë të shpupuritur duke dalë nga dera e dhomës së saj e duke shkuar drejt telefonit të sallonit të madh. 
-Oh, jo ! Oh, joo ! – zu të thoshte me zë të përvajshëm Ivoni. Po kur? Ah, ashtu?! I shkreti! Do vijmë, si s’do vijmë?! Patjetër. Mirë u pafshim ! 
-Çfarë ka ndodhur zonja Ivoni ? – e pyeta sapo ajo lëshoi receptorin. Ajo më erdhi pranë dhe me sy të përltotur më tha se kish vdekur Jorgo. – Dhjetë minuta pasi ishte shtrirë në shtrat. Në gjumë. I qetë fare, si qingj. Mua më erdhi shumë keq. Ai burrë i moshuar më kish falur çaste të bukura një natë më parë. Dhe unë atij, besoj. 
-Domethënë se nuk do të shkojmë dot tek shtëpia e tij. Nuk ka kuptim, – thashë unë duke nisur të marr lehtë pluhurin e komosë. 
– Pse s’ka kuptim. Gruaja dhe djemtë e tij të presin. Tani ka më shumë kuptim, – tha Ivona dhe shkoi e u fut në dhomën e saj për t’u bërë gati. Pas gjysëm orë, si nënë e bijë, të dyja veshur në të zeza, Ivona më dha një kostum zi të saj të shumë viteve më parë që mua më rrinte pas trupit, u nisem drejt vilës së Jorgos në qendër të Glifadhës, më këmbë. Kisha shumë merak se si do ta priste gruaja e Jorgos ngushullimin tim. Po sikur sa të më shihte të më vinte përpara me fjalët se ia kisha vrarë unë burrin me kërcimet si e marrë. Se isha një kurvickë shqiptare e pashpirt që kisha ardhur në Greqi të gënjeja pleqtë e t’u rrëmbeja grave të tyre plaka ndonjë copë nga testamenti për pasurinë e tyre. Se duhej t’ia mbathja në vendin tim të qelbur pa drita, pa bukë e ujë…se…se…
-Ivoni, kthehemi ! Nuk vij dot. – thashë ndërsa ndala në vend. Ivoni u kthye nga unë. 
– S’je mirë? – më pyeti me sy të dhembsur. 
– Jo mirë jam. Po sikur gruaja e Jorgos të më vërë përpara… 
– Përse ? 
– Të më bëjë fajtore që i vdiq i shoqi prej meje… Ivoni erdhi e më futi krahun. 

– Ti i fale ca çaste të bukura dhe kaq apo jo. Gruaja e Jorgos është një goxha zonjë! Do ta shohësh. U nisëm në një hap. Kur mbërritëm në shtëpinë e tij unë isha krejt e ngrirë. Ngrohtësia e Ivonës nuk ma kish shkrirë gjakun. Më rëndonte në mendje meraku sikur gruaja e tij do të më sulej sa të ipesha në derë e të kërcente sipër arkivolit të tij drejt meje si kuçedër e do të më çqyente në sy të Ivonës si hiçgjë… 

-Këtej, na tha pastruesja e shtëpise, një grua ruse bjonde si unë, kur kapërcyem oborrin e hymë në hollin e vilës. Bëmë për nga një derë e hapur në të djathtë. Në mes, arkivoli i hapur me Jorgon të shtrirë drejt e me duart e mbështetura mbi gjoks me kostum të zi, këmishë të bardhë e kravatë me ngjyrat e flamurit grek, blu e të bardhë. Dukej sikur flinte. Ivoni shkoi dhe e puthi në ballë. Pastaj shkoi dhe e takoi gruan në mes të dy burrave në moshën e babait tim që me siguri ishin djemtë e Jorgos. I ndjeja vështrimet e tyre. Unë u nisa të bëj të njëjtën gjë. Jorgos së zeshkët me flokë të lyera i kishin vënë një fletë trëndafili të kuq në buzë. Kështu e paskan zakon, mendova. Bëra si zonja Ivoni. E putha lehtë në ballë. Ishte i ftohtë akull. Pastaj u drejtova nga gruaja veshur me të zeza, mes të dy burrave. Ajo vinte e bëshme shumë. Si e ka rrotulluar Jorgo në kërcim gjithë këtë fuçi. Po të më sulet e të më vërë poshtë më shtyp si krimb… 

– Ngushëllime zonjë! I zgjata dorën. Ajo pa një çast nga Ivoni. Edhe unë. Ivoni tundi kokën si pohim. Gruaja e Jorgos më shtrëngoi dorën dhe më rroku në gjoks. E ndjeva të më puthte flokët. Pastaj zu të thotë: 

-Faleminderit, moj bijë!Faleminderit shumë! Jorgo iku i gëzuar nga kjo botë. Më tha se ishte kënaqur shumë që të kish takuar. Ka qënë ushtar në anët tuaja. Faleminderit shumë! Pastaj ajo më prezantoi me të dy djemtë e Jorgos. Ata u bënë kuriozë të mësonin se sa larg nga kufiri me Greqinë ishte ai fshati ku babai kishte marrë atë plagën në ballë që edhe i vdekur e bënte të dukej aq fisnik. Deshën të vinin ta shihnin në vend dhe dikur erdhën.

Tani janë miqtë e mi»

Albina Nako e tregoi e përlotur fundin e historisë dhe, kur pa se asnjeri nga ne nuk po thoshte ndonjë fjalë, mori një cigare nga paketa në tavolinë, e ndezi, e thithi fort dhe pastaj bashkë me tymin lëshoi në ajër fjalët : 

-Jorgo ishte një burrë fisinik por e shoqja, ku e ku!