Suplementi Pena Shqiptare/ Hysen Kobellari: “Made in Cuba”

567
Sigal

Tregim

Ishte dita e tretë që magazinieri i ushtrisë Durim Lata gjendej në dhomën gjysëm të errët të paraburgimit. I ndaluar nga Prokurori Ushtarak, ai ishte marrë disa herë në pyetje prej tij dhe përsëri nuk ishte kthjelluar plotësisht se përse e kishin ndryrë atje brenda.

Prokurori qëlloi të ishte një njeri nevrik, thatim e nopran, gati-gati në moshën e të ndaluarit, pak më shumë se tridhjetë vjeç.

  • Trego ! Ç’të lidh ty me Kubën ?!
  • Trego lidhjet me regjimin e Fidel Kastros ! …
  • Cila është rruga e ardhjes së uniformës sportive nga Kuba për në Repartin tuaj ?! …
  • Trego ! …

Po si t’u përgjigjej këtyre pyetjeve i shkreti Durim, kur ai as nuk ia kishte idenë se përse bëhej fjalë, sepse Prokurori nuk i kishte dhënë atij asnjë sqarim ?! …

Në fakt problemin e kishte kapur i pari Operativi i Zonës, i cili sakaq e kishte informuar me shkrim eprorin e vet. Pastaj ishte njoftuar Shefi i Degës e më pas ishte bërë e madhja, derisa magazinier Durimit i ishin vënë prangat në vendin ku po punonte, teksa ishte duke mbushur me shifra librin e lëvizjeve të magazinës…

Kishin kaluar shumë orë dhe Durimin nuk po e thërriste askush për ta marrë përsëri në pyetje dhe për ta sqaruar për akuzën përkatëse. Ai nuk e kishte idenë se sa orë kishte kaluar në atë dhomë të vogël, të ftohtë e të neveritshme. I dukej sikur kishte kaluar një muaj aty brenda. Nuk e kishin lejuar të takonte asnjeri, as ndonjërin prej atyre të familjes, babain, ose gruan …

Papritur dera u hap dhe brenda hyri një burrë i vjetër me uniformë ushtarake, por pa kapelë mbi krye. Pas supeve të tij të bëshme u duk fytyra e shqetësuar e Kryetarit të Fshatrave të Bashkuar Misto Kalaja, me të cilin magazinieri ishte rritur, si banorë të një lagjeje.

  • Çohu më këmbë dhe rri drejt ! – e urdhëroi ushtaraku i vjetër, me një zë të bukur e të prerë.
  • Nuk mund të qëndroj fare drejt, komandant, më dhemb kurrizi, – tha me gjysëm zëri Durimi dhe dora e djathtë i shkoi menjëherë nën hije, poshtë brinjëve.

U bë flakë i kuq në fytyrë, teksa shikimi i ndeshi në sytë e hapur tej mase të Mistos, i cili i shkeli syrin me nënkuptim, si për ta qetësuar.

  • Mos u mërzit, Duri, – tha me gjysëm zëri Misto. – Gjithçka do të sqarohet dhe …
  • Po unë nuk kam bërë gjë, o shoku … Nuk kam asnjë lidhje unë, as me Kubën, as me Fidel Kastron ! Nuk e marr vesh se ç’ngatërresë është bërë dhe kush më ka ngatërruar kështu …
  • Lëri fjalët ! – urdhëroi prerë ushtaraku. – Marrsh, në zyrë dhe do të përgjigjesh vetëm kur të të pyes unë, qartë ?! …
  • Si urdhëron ! – tha Durimi; bëri të merrte drejtqëndrim, por nuk mundi të drejtohej plotësisht dhe lëshoi një “ Oh ! “ të zvargur
  • Mos ! – ia bëri përsëri eprori dhe vuri buzën në gaz në mënyrë të pavullnetshme.
  • Me ngadalë, me ngadalë, – e këshilloi Misto Kalaja dhe hapi derën e zyrës ku do të hynin dhe ku pak më parë kishte biseduar gjatë me ushtarakun e moshuar, jurist.

Zyra ishte vetëm disa hapa larg dhomës së paraburgimit, ku Durimi ishte marrë në pyetje edhe herë të tjera.

  • Durimin e kemi prej familjeje të mirë, nga tanët, nga më të besuarat. Prindërit e tij … – po thoshte Misto Kalaja, ndërsa juristi, që zuri menjëherë vend në ndenjëse kryesore të Zyrës e ndërpreu menjëherë, duke ngritur dorën e djathtë lart :
  • E biseduam njëherë atë punë ! … Tani të shikojmë se sa i bukur është ky pasardhës i asaj familjeje aq të mirë, se sa e çmon dhe vlerëson ai atë … – pastaj iu kthye Durimit. – Unë jam tani prokurori i kësaj çështjejes, sepse kolegu që të pati ty deri dje iku në një mbledhje me rëndësi në Kryeqytet.
  • Shyqyr, – tha nëpër dhëmbë Durua dhe ushtaraku jo vetëm qeshi nën buzë, por i ndriti nuri, ndërsa Mistoja nuk po kuptonte asgjë.
  • Mirë, ulu aty ! – e urdhëroi juristi, duke i treguar ndenjësen me gisht. Hapi një dosje, diçka kërkoi në brendësi të saj dhe i zgjati personit përballë dy copë fotografi në madhësinë e kartolinës. Të dyja fotografitë ishin si njëra-tjetra, ku dukeshin qartë trupat e 3-4 lojtarësh futbolli, me kokë të qethur, me shpatulla të bollshme, mbi të cilat dallohej qartë mbishkrimi interesant “ Made in Cuba “
  • Shikoji mire, – e këshilloi prokurori. – Mendohu, kujtohu dhe na thuaj ç’din rreth ketij turpi që kini bërë atje në repart …
  • Bobo ! – i shpëtoi kjo klithmë Durimit, si pa dashje. – Ato këmishat e nëmura …
  • Pikërisht, ato këmishat, që ti i quan të nëmura, or çun, të kanë prurë këtu e të kanë katandisur në këtë fare feje !
  • Po, unë …
  • Të thashë, mendohu e na thuaj, ç’din ti rreth këtyre këmishave, ku u gjendën, kush t’i dha, pse, me ç’qëllim i përdorët në publik, në atë ndeshje futbolli ?! … Unë nuk po mbaj asnjë shënim nga ato që do të thuash, se e marr paksa me mend se ç’ka ndodhur. Po dua të më flasësh drejt dhe sinqerisht këtu edhe në sy të Kryetarit. Kuptove ?!…
  • Folë, o Duro, ku i gjete këto dreq këmisha ?!

Floranti filloi të qajë me ngashërim, mbase ngaqë ishte i mbushur me maraz dhe ngase nuk kishte qarë asnjëherë gjatë atyre ditëve që ndodhej në paraburgim.

  • Oho ! Tani e prishe fare ! – tha prokurori dhe u ngrit në këmbë. – Ç’ pate, more djalë ?! As të shau njeri, as të goditi dikush … Turpin që ke bërë, mbaje, po jo të na qash këtu, goxha burrë; hajde, pusho, fshiji lotët ! Rrot mulliri …

Floranti pushoi sakaq, fshiu lotët me shpinën e dorës dhe me mengët e këmishës, pastaj nisi të flasë mes ngashërimesh.

  • Kur më caktuan magazinier në veshmbathjet dhe armatimin e ushtrisë popullore, gëzimi im dhe i familjes sime ishte i madh. Nuk ishte një punë si gjithë të tjerat dhe mbi të gjitha ishte një tregues i besimit të pushtetit popullor për mua dhe familjen time… Prandaj unë nuk i kushtova rëndësi inventarit të marrjes në dorëzim nga parardhësi im. E firmosa proces-verbalin e marrjes në dorëzim thuajse me sy mbyllur, nga gëzimi. Kaluan disa javë. Erdhën ushtarët e rinj dhe ata donin uniforma të reja, midis tyre dhe këmishët. Ku t’i gjeja unë i shkreti ?!… Mua më figuronin në inventar njëzet copë prej tyre. Net të tëra e bëra harram gjumin nga shqetësimi, po nuk kisha ku t’i gjeja, të shkretat këmisha. Gruaja kishte një teze, e cila punon shitëse në dyqanin ushqimor të fshatit. Iu lutëm asaj nëse do të mundej të na ndihmonte të sajonim të paktën gjysmat e këmishave duke modifikuar thasët e sheqerit që vinin nga Kuba dhe që ajo nuk i kishte pjesë të inventarit të saj. Kështu sajuam një 12 – 13 këmisha sa për t’a kaluar hallin … Me ato këmisha ushtarët ndiheshin ngrohtë dhe nuk patën ankesa. Para një jave ata dolën në garë sportive si futbollistë me ato këmisha, që duken edhe këtu në fotografi… Ja, këto janë këmishat !
  • Ha-ha-ha-ha ! – shpërtheu në të qeshura prokurori dhe përplasi duart fort nga gëzimi. Ai iu turr si fëmijë Misto Kalasë dhe e përqafoi fort. – A e shikon, o vlla, si qënka puna ?! Oh, ç’më ke shkri gazit, për nder, o çun ! Qenka tamam ashtu siç e pata menduar unë … Thasët e sheqerit … I njoha që në fillim, sapo pashë fotografitë.
  • Po unë, shoku … – u përpoq të sqarohej Durimi.
  • Po folë, o i uruar, folë ! – qeshi më në fund edhe Misto Kalaja. – Se na ngrive gjakun. Thamë ç’lidhje ka Durua ynë me Kubën dhe Fidel Kastron, ndërkohë që ti i ke dashur ato të shkretë thasë sheqeri, për t’i bërë këmisha ushtarësh …
  • Pse nuk ia the këto gjëra prokurorit tjetër qysh ditën e parë, more djalë ?!… Ishte sqaruar edhe ai, edhe ti, edhe ne dhe s’kishe pse rrije kaq ditë kot së koti këtu.
  • Po ai nuk më sqaroi përse me kishte ndaluar, shoku prokuror. As që më linte të flisja. Mizerja …
  • A, jo, jo ashtu ! – ia bëri Misto Kalaja si me qortim, ndërsa prokurori i vjetër ushtarak nuk foli.

Ai ishte ulur përsëri në ndenjësen në krye të vendit të tryezës dhe diçka po shkruante shpejt e shpejt. Pasi mbaroi së shkruari ia zgjati letrën Durimit për të nënshkruar. Ky e vuri firmën në letër pa pyetur se përse bëhej fjalë aty.

  • Herën tjetër para se sa të firmosësh, pyet përse po firmos ! – e porositi miqësish juristi.
  • Tek juve kam besim se nuk do të më bënit kurrë keq ! – tha Durimi duke e shikuar drejt e në sy.
  • E, mirë, mirë ! Tani të dalim që këtu, të shkojmë në magazinën tënde e të bëjmë një process – verbal për nxjerjen jashtë përdorimit të atyre këmishave, a thasëve të sheqerit që kanë veshur ushtarët tanë trima … Sypetritat.

Ata dolën të tre të qeshur e të gëzuar, ndërsa Misto Kalaja nisi të bërtasë me zë të lartë nëpër korridoret e hetuesisë :

  • Made in Cuba ! Made in Cuba ! …
  • Rri urtë, o shoku Misto se po të dëgjoi ai paraardhësi im, të vuri hekurat në vend dhe do të na detyrosh mua e Durimin të dalim dëshmirarë në gjyq, – e këshilloi prokurori Kryetarin. – Apo jo, o Durim djali ?!
  • Si urdhëron ! As mos e diskuto ! Shoku Misto, shtrëngo dhëmbët e nxito këmbët sa pa ardhur ai …

Qeshën të tre përsëri edhe pasi kishin dalë në rrugë të madhe.