Suplementi Pena Shqiptare/ Hyqmet Hasko: Statuja ëndërruese me sytë nga deti…

Nga larg, dukej si një statujë e zhytur në përjetësinë e një heshtje apostolike. Krifa e flokëve të bardhë, të thinjur, ai vështrim në boshin kaltërosh përtej saj, të krijonte ndjesinë e një magjie kozmike. Përballë saj, deti komunikonte me gjuhën e lashtë të pritjes dhe braktisjes. Ajo ishte aty, e gjallë, e vjetër, e patundur, me një pritje tridhjetëvjeçare, për të dëshmuar mos braktisjen.

Gruaja mund të ishte aty tek të shtatëdhjetat, por mbahej mirë; ende format e trupit e ruanin hirin e dikurshëm dhe tiparet e fytyrës së saj seç kishin diçka rrezëllitëse, të ngrohtë dhe infantile.

Në Ulqin e njihnin të gjithë. Jo vetëm vendasit, banorët e qytetit të vjetër, që ishin mësuar me të, si përditshmërinë e tyre, por dhe turistët e huaj, që vinin nga ana e anës për të shijuar magjinë e detit, atë paqe dhe qetësi unike, që vetëm një vend si Ulqini di të ruajë për vetveten dhe mysafirët. Ajo i priste aty, e ftohtë dhe e ngrohtë njëherësh, e munguar dhe e pranishme, e afërt si një brengë dhe e largët si një kometë. -Më bën një përshtypje të çuditshme kjo grua, -iu drejtova atë mëngjes miku tim N. T, me të cilin isha njohur në plazh dhe shkëmbenim së bashku ndonjë bisedë dhe kafetë e mëngjesit e të mbrëmjes. Ai me origjinë ishte nga Kosova, por kishte lindur dhe qe rritur në Ulqin, në prehër të detit. –Nuk e kuptoj, vazhdova të ushqeja bisedën, -se çfarë bën këtu, duke qëndruar ditë e natë si një statujë, në të cilën vezullojnë vetëm sytë e saj të gjallë e të bukur dhe koka e prushëruar e cigares, që mban në buzë dhe të cilën nuk e shuan kurrë. Miku im rrudhi supet në formë pikëpyetje, por tiparet e fytyrës iu gjallëruan sikur të kishte pirë me fund një dopjo raki thane. -Ajo pret bashkëshortin dhe të bijën, -foli duke ndezur cigaren me çakmak. -Po ku janë? Kur kthehen? Pse nuk i pret në shtëpi?...Pyetjet e mia nuk kishin të sosur, ndërkohë që vështrimin ia pata qepur atij portreti pritës, me sa duket, plot enigma. Ajo ishte aty, përballë detit, me vështrimin të tretur larg, në vijën e asaj pafundësie kaltëruese që zhytej në humnellat e atij mëngjesi të purpurt. Tjetri e thithi fort tymin e kaltër, sikur deshi të përpinte thellë brenda vetes përmasat e atij misteri, për të cilin po rrëfente. Pastaj, duke i ndarë fjalët në gjysma rrokjesh të shkëputura, sikur unë isha fëmijë dhe ai po më mësonte alfabetin, foli: -Ka tridhjetë vjet që kanë ikur. Ata ishin një çift i bukur, që ngjallnin zilinë e gjithë ulqinakëve. Ajo kishte ardhur nga Londra, për të jetuar me djaloshin ulqinakas, që pati qenë emigrant në Angli dhe atje qenë njohur e dashuruar dhe qenë betuar për besnikëri të përjetshme. U martuan në Ulqin, në një kishë të vjetër, nën dritën e shandanëve dhe përpikërinë e ceremonialit të shenjtë. Pas një viti sollën një jetë një vajzë të bukur, të cilës ia vunë emrin Ujana. Zëri i bashkëbiseduesit tim ishte i qetë, i shtruar, i ngrohtë, sikur rridhte nga një legjendë urbane. Sytë e tij prushëronin. Fjalët vinin gjer tek unë me ritmin e një komunikimi të fshehtë e të koduar… -Kur Ujana u bë pesë vjeç, babai mori vajzën me vete dhe ikën nga Ulqini në drejtim të një vendi të huaj. Ikën për t’u kthyer shpejt, por kanë kaluar tre dekada dhe nuk janë bërë të gjallë. Që në ditën e tretë të ikjes së tyre, londinezja, nëna dhe bashkëshortja e të porsaikurve, doli në breg, aty ku është tashti, për të pritur të shoqin dhe të bijën. Pritja u kthye në ankth, ankthi në vetmi e vetmia në sindromë. Verërat, vjeshtat e dimrat rrokulliseshin njëri pas tjetrit, thahej bari e turbullohej deti, çelte gjethi e kaltëronte uji, kohë pas kohe e mot pas moti, e ata nuk po dukeshin askund. Ajo rrinte kundruall valëve të detit, me sytë në kaltërimin e dallgëve. Nuk jepej, nuk e ngrinte kurrë flamurin e bardhë. -Dhe ato nuk u kthyen kurrë!? -Kurrë! Nuk pati asnjë haber prej tyre. Dikush thotë se burri është martuar dhe vajza e ka harruar të ëmën. Dikush thotë se kanë humbur në det, nën atë trishtim të frikshëm blu… -Çudi…Ka tridhjetë vjet që pret! Mos ka kaluar në një gjendje çmendurie…në një lloj patologjie!?… -Jo, kurrsesi jo. Është mjaft e kthjellët dhe e vetëdijshme. Është dhe mjaft sociale. Ndihmon të varfrit, fëmijët që nuk kanë mundësi të shkollohen, prindërit që janë pa mjetet e duhura financiare… Tani kisha shtangur krejt. Nuk dija se për çfarë ta pyesja bashkëbiseduesin tim. Në trurin tim kishte aq shumë enigma, sa nuk dija se nga t’ia filloja… Dalëngadalë këmbët po më shtynin drejt saj. Kur iu afrova nja pesë gjashtë metra, vura re se palëvizshmëria e saj nuk ishte një iluzion optik, por një realitet. Ky realitet u hepua pak, kur ajo seç rrëmoi në xhepa dhe nxori paketën Malbora e ndezi një cigare. -Peizazh i bukur, -e provokova,-keni të drejtë që iu janë qepur sytë në pafundësinë e valëve kaltëroshe… -Edhe sot nuk erdhën, -ofshau ajo. -Me sa duket, andej, në detet e huaj, ka pasur tërbim të ujit…dhe ka qenë e pamundur nisja e anijes… -Edhe unë kam një mbesë që e quajnë Ujana…Në tetor mbush pesë vjeç… Nuk di pse ia thashë këtë, por kur i nxora fjalët, ndjeva një si çlirim. Gruaja e moshuar ktheu kokën me rrëmbim dhe më pa në sy. Ishte hera e parë gjatë gjithë këtyre ditëve që e vëzhgoja, që ajo po e braktiste për disa sekonda pozicionin e saj të pritjes prej statuje. Sytë e saj u bënë të butë dhe të ujshëm. -Ajo, Ujana ime, pasnesër mbush tridhjetë e pesë vjeç. Ia kam blerë të gjitha dhuratat. E kam prenotuar lokalin. “Palmat e dehura” quhet. E ke parë? Është lokal i bukur!... Sytë më qenë njomur… Ajo fliste një shqipe te pastër... -Po, e kam parë, -ia ktheva. Është një lokal i mrekullueshëm. Nuk po e gënjeja. Në atë lokal kisha darkuar nja dy herë me mikun tim ulqinak. Shërbenin mirë dhe kishte muzikë të zgjedhur. Gjellët dhe vera ishin të një cilësie të lartë. Ajo u gjallërua dhe më zgjati një cigare. Megjithëse nuk e pi, u detyrova t’ia merrja dhe ta ndizja me çakmakun që më zgjati.-Si thua, do të ketë dallgë nesër andej…në detet e huaj?! -S’ma do mendja. Çfarë kanë pasur për të shfryrë, e kanë shfryrë detet e besoj nesër do të qetësohen… Ajo dukej e mrekulluar dhe sytë i digjeshin nga një pasion i fortë. Dhe ashtu në pritje, me sytë në boshin përpirës të ujërave, vështrimi i ngriu në atë pritje të gjatë gati gjysmëshekullore. Tani ajo kishte marrë rishtas pamjen e saj prej statuje ëndërruese, duke pritur që të Kthehej Ujana me të atin, që të festonin tridhjetë e pesë motet e së bijës, në lokalin sharmant “Palmat e dehura”.