Suplementi Pena Shqiptare/ Hyqmet Hasko: Një letrar që nga ferri na ofron dorën e dashurisë

837
Sigal

Rreth aktit letrar të shkrimtarit, poetit dhe publicistit Izet Shehu

Izet Shehu është shkrimtar, poet, publicist, ish-deputet i Kuvendit të Shqipërisë, një individ i fushës së letrave që vinte në letërsi nga persekutimi dhe dhimbja e një kohe që ngriti sinore të panevojshëm dhe izolues midis shqiptarëve. Ikja e tij nga kjo jetë ishte e beftë, siç janë të befta ikjet e atyre që kanë qenë gjatë gjithë kohës mes nesh, dhe papritur një ditë largohen pa kthim, duke lënë pas një vepër të plotë e të shumanshme, të denjë për letrarë me një profil të veçantë artistik. Korpusi letrar i Shehut ishte dhe mbeti një udhëtim mbresëlënës në kujtesën e lexuesit. Kushdo që ka lexuar qoftë dhe një poezi apo tregim të tij, një shkrim, opinion apo refleksion, një kritikë letrare apo ese, nuk mund të mos ketë ndjerë pulsin e një njeriu të sinqertë, sharmin e një poeti befasues, gjallërinë dhe natyrshmërinë e një rrëfimtari të stërvitur, kulturën e një njeriu erudit, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në fushën e letrave tona kombëtare. Izet Shehu ishte pinjoll i një familje historike, stërnip i derës patriotike të Sheh Ibrahim Karbunarës, luftëtarit trim, burrit të zgjuar e të besës që la gjurmë të pashlyera në historinë e kombit, delegat i Kongresit të Lushnjes. Gjak prej gjakut të tij ishte edhe Izet Shehu, vepra e të cilit, e krijuar sidomos në periudhën e tranzicionit, kur shoqëria shqiptare u çlirua nga barra e mëkateve imagjinare të luftës së klasave, shkëlqeu me të veçantat e saj, me gjuhën poetike dhe nervin e gjallë krijues, me pasurinë e madhe të temave dhe mesazheve që na përcjellë në kohën tonë aq të ngarkuar dhe stresante. Izet Shehu lindi në Lushnjë më 15 dhjetor 1942. Mbaroi gjimnazin në Lushnjë më 1960, ndërsa studimet e larta në Universitetin e Tiranës, Fakulteti Histori-Filologji, dega gjuhë letërsi shqipe. Më 1995 ka kryer Kolegjin e Mbrojtjes së Shqipërisë. Ka punuar si mësues i gjuhës dhe i letërsisë shqipe në Lushnjë dhe Elbasan.

Krijimtarinë letrare e nisi qysh në bankat e shkollës. Botoi dendur gjatë viteve gjashtëdhjetë, por, për shkak të biografisë politike, pasi iu pezullua vëllimi poetik “Gjaku im”, do t’i hiqej përfundimisht e drejta e botimit deri në vitin 1990. Është një prej inicuesve dhe themeluesve të Partisë Demokratike dhe në vitin 1991-1996 u zgjodh deputet i kësaj partie në Kuvendin e Shqipërisë. Është dekoruar si mësues me urdhrin “Naim Frashëri të Klasit I” dhe me medaljen “Pishtar i demokracisë”. Pas viteve ’90-të boton artikuj, polemika, ese, prozë e poezi në disa nga organet më të rëndësishme kombëtare. Izet Shehu mban medaljen “Pishtar i Demokracisë” dhe atë “Naim Frashëri” për kontributin e dhënë në përkrahje të lëvizjes studentore dhe vlerave të tij njerëzore si njeri intelektual e mësues i përkorë. Izet Shehu është autor i këtyre librave:”Çiltërsi lirike”-poezi; “Vjeshtë njerëzore”- poezi; “Ëndrra trëndafilash në borë”-poezi; “Brohoritma e një dimri”- tregime; “Fatkeqja e bukur”-novelë; “Troku i fatit të verbër”-poezi; “Mjegulla e trishtimit”-tregime; “Mbi qerpikë çlodhet agu”-poezi; “Perëndimi në zabelin plak”-tregime; “Drithërime muzgu”-poezi; “Vetëm një grua”-roman, “Tirkani”-tregime dhe ese; “Hija e korbit të bardhë”- publicistikë dhe ese; “Kundër frymës mohuese”-publicistikë letrare; “Bari mbi rrënoja”-poezi si dhe disa dorëshkrime të cilat shpresonte të shihnin dritën e botimit, porse jeta iu pre në mes më 12 nëntor 2012 dhe këto dorëshkrime nuk e panë dritën e botimit. Poezia është kurora e artë e veprës së tij letrare. Ajo i rri mirë këtij letrari, që na ka përcjellë ne lexuesve dhe krijuesve një model të arrirë poetik. Akti poetik i Izet Shehut është befasues, me tempo-ritëm modern, me struktura moderne, ku shkrihen lirizmi dhe dramaciteti poetik i kohës së tij, me anë të unit, të cilin poeti e shndërron në metaforë të kërkimit të rrënjëve ekzistenciale të bashkëkohësisë. Në poezinë e tij Shehu pasqyron gjendje, trazime, mbresa, përjetime, kujtesa, emocione, të cilat i përcjell me figura të gjalla e të freskëta stilistike, pa përshkrime deskriptive dhe retorikë. Regjistrat e tonit të poezisë së Shehut, ngjyrimet e tij, janë disi fluturuese dhe të pakapshme, pasi, në rend të parë, ne ia vëmë veshin asaj që ai na përcjell, e cila vjen e shumëzuar me jehonat e mesazheve dhe gjendjeve që e përkundin ëndrrën e poetit. Ja se me çfarë tonesh të fortë lirikë dhe sharm idilik, ku shkrihen gjendje dhe kohë, shkruan poeti në poezinë e tij me titull “KËRKOMË” “Nëse je diku, përtej, Ti, eja, Kur të zbresë mbi kodër reja, Aty, ku e ndjemë së pari, Se bota nuk është si varri.
Ku u bëmë zjarr e shkuar zjarrit, Nën ulli, ku heshtte bari. Nëse je diku, përtej, kërkomë!” Maj i vitit ’63 Izet Shehu e rikrijon nivelin e përfytyrimit të tij poetik me anë të thyerjes strukturore, imazhiniste dhe konceptuale të vargut, duke e pasuruar traditën me modele të tij, pa rënë në shtampa moderniste dhe artikulime të kërkuara, siç ndodh me shumë poetë gjoja moderniste apo postmodernistë, por që nuk i bashkon asgjë me këto të fundit, përpos “errësimit”, si mjet dhe qëllim në vetvete. Izet Shehu, përmbledh në aktin e tij krijues ritmet dhe meloditë lasgushiane, me thyerjet e poezisë modern të Veriut, gjithmonë në kontekstin e mjeteve të tij stilistike, të figurave dhe gjuhës krejt të veçantë. Lidhur me prozën e tij, siç ndodh zakonisht me poetët kur angazhohen në gjininë e prozës, kjo e fundit ka ngjyrime të thekëta poetike, pra, poetika e brendshme, lirizmi i tablove dhe përshkrimeve, narracioni i ngjeshur dhe gjuha mjaft e përpunuar artistike, janë disa veçori të rrëfimeve të tij. Thyerja e kohezionit linear, digresioni i rrëfimit, depërtimi psikologjik dhe psikoanalitik në sjelljet dhe qëndrimet e protagonistëve duket se është pjesë e kësaj veçantësie. Shehu e grimcon fabulën narrative dhe e shtjellon në vijë të lakuar, por gjithmonë duke ruajtur pastërtinë e rrëfimit, pa e përzier prozën, siç bëjnë shumë të tjerë, me elementë eseistikë dhe deduksione kallpe. Ky shkrimtar, për nga vetë shkalla e përvojës jetësore, nga kultura e leximeve dhe, siç duket, edhe nga temporitmi i brendshëm i një uni të trazuar, për shkak të rrjedhave jetësore larg normalitetit, na sjell një prozë kualitative, të denjë për analet më mbresëlënëse të letrave tona kombëtare, pas periudhës së çlirimit të tyre nga dogmatizmi i realizmit socialist. Mjafton të sjellim në vëmendje romanin e tij “Vetëm një grua”për të ilustruar çfarë pohuam më sipër. Protagonist i këtij romani është një burrë i moshuar, me plagë nga e kaluara, më vonë dhe një i lodhur nga e sotmja e Shqipërisë, nga shoqëria shqiptare e tranzicionit. Vitet që ikin dhe rëndesa e së kaluarës dramatike, do apo nuk do, mosha dhe trillet e kohës, e vënë në skaj, ndaj si për protestë, në skaj dhe më përtej se në skaj degdis veten e tij ky lloj njeriu, që në faqet e romanit në fjalë jepet me ngjyra të gjalla e të trishta njëherësh. Dhe protagonisti që duket se është vetë shkrimtari bën një tërheqje nga shoqëria, një soj izolimi, jo për t’u fshehur apo për t’iu ikur përgjegjësive të kohës, por më shumë për t’u mbrojtur, për të mbrojtur thellësitë. Kërkon shpirtin e tij binjak, (vetëm një grua) një tjetër dhimbje, një tjetër iluzion, një tjetër shpresë, për të rilindur jeta mbi gërmadhat e dramave personale e kolektive të botës shqiptare. Romani ka një fabul mjaft interesante dhe është realizuar artistikisht në një nivel të lartë, falë teknikave të pasura rrëfimtare që përdor autori, depërtimit në thellësitë e gjendjeve psikologjike të personazhit kryesor dhe të të tjerëve. Në publicistikën e tij zotëron natyra polemiste, zbulimi i dritëhijeve të një kohe kur gjërat më shumë se thuheshin nënkuptoheshin dhe kur nënteksti ishte zotërues e përcaktues në raport me tekstin. Gjetja dhe qëmtimi reflektiv i dobësive të tranzicionit, thirrja për liritë dhe të drejtat qytetare, zbulimi i figurave të mbetura në gjysmëhije, sidomos në fushën e krijimtarisë letrare, janë pjesë e diskursit publicistik të Izet Shehut. Izet Shehu është një letrar që nga ferri na ofron dorën e dashurisë e të ngrohtësisë njerëzore, një model jo vetëm njerëzor por dhe artistik, që dëshmohet në çdo krijim të tij…