Suplementi Pena Shqiptare/ Hyqmet Hasko: Në përmbushje të një amaneti…

490
Sigal

Sipas rrëfimit të një mikut tim

Që kur qe kthyer në Atdhe, Mirdashi ndihej si i zënë në faj, disi i kompleksuar dhe pezull.
E kishte humbur atë gjallërinë e zakonshme që e karakterizonte dhe qe bërë tepër meditativ dhe filozofues. Misioni kishte qenë i vështirë, gati i pamundur. Afganistani nxinte nën natën e luftëtarëve të Isisit dhe operacionet ushtarake nën udhëheqjen e amerikanëve qenë të një niveli të lartë vështirësie. Tre ushtarë amerikanë humbën jetën në një distancë kohore prej një jave.
I fundit humbi në atë betejë vdekatare, ku vdekja vallëzonte një valle të kobshme, nën fërshëllimën e plumbave dhe predhave të granatave, Henri. Shoku i tij më i ngushtë, Henri, ra mbi supin e tij. Gjaku i ngrohtë i amerikanit të ri spërkati rrobat e tij ushtarake dhe atë mëngjes të përflakur krimi dhe terrori në një tokë të nëmur që quhej Kazakistan. Ai mbeti aty, përulur mbi fytyrën e përgjakur e të deformuar nga ciflat e predhave të Henrit. Më kot përpiqej t’i jepte ndihmën e shpejtë, me frymëmarrje artificiale dhe…Më kot…Në grahmat e fundit, Henri nxori nga çanta e shpinës një foto të së motrës dhe një medaljon dhe i tha:
-Amanet, vëlla, çoja motrës sime në Filadelfia…A të vdes i qetë se ky amanet do të përmbushet vëlla?
Mirdashi me lot në sy iu përgjigj:
-Në qoftë se dal i gjallë nga ky ferr, të premtoj se amanetin do ta kryejë, vëlla…
-Faleminderit, vëlla. Tani po vdes i qetë… Pas tre ditësh u kthye në atdhe, në qytetin e vogël periferik ku punonte në përbërje të trupave speciale të ushtrisë. Ditë e natë mendja i rrinte tek amaneti i shokut të rënë në frontin me të keqen e përbotshme. U ngrit herët në mëngjes, u rrua, u parfumos, u vesh bukur dhe vajti tek ambasada amerikane. E priti zëvendëskonsulli, një burrë i shtruar, me një buzëqeshje të gjerë, si të stamposur në fytyrë. I tregoi se pse donte vizë për të hyrë në Amerikë, për të përmbushur amanetin e një shoku që kishte mbyllur sytë përgjithmonë në krahët e tij.
-Përkushtimi juaj është për t’u çmuar dhe ju dukeni shumë fisnik. Por na i jepni neve foton dhe medaljonin. Të keni siguri të plotë se motrës së të ndjerit shokut tuaj do t’i shkojnë në dorë. -Në asnjë mënyrë. Amanetin në vendin tim nuk e tret dheu. Dhe ai nuk shkon dorë më dorë, por përmbushet nga ai që i është betuar dhënësit të tij.
Atë ditë nuk bëri gjë, shkoi dhe dy tre herë të tjera, por biseda në ambasadë vërtitej në të njëjtin qerthull dhe nuk i jepnin vizë. Mendoi të shkonte prapë atë fillim jave dhe i eci. Takimin e bëri me vetë ambasadorin, që i dha një vizë me kohë të shkurtër qëndrimi, aq sa për të çuar në vend amanetin e mikut të vrarë. Udhëtimi rreth dymbëdhjetë orë mbi oqean, nën mjegullat polare të Atlantikut, megjithëse shumë lodhës dhe ankthioz, iu duk mrekullor, aq sa i zgjoi emocione të paprovuara më parë. Në Filadelfia arriti vonë, aty rreth orës dhjetë të mbrëmjes, me orën amerikane. Atë natë fjeti në një hotel të dorës së dytë dhe të nesërmen u nis drejt adresës së shtëpisë së motrës së të ndjerit. Ishte e diel dhe në Filadelfia frymonte aroma e një qetësie të pazakontë. Në rrugë nuk kishte thuajse këmbë njeriu. Arriti pa shumë mundime te dera e shtëpisë, ku u shfaq numri i shumëpritur…S’di pse ndjeu një valë emocionesh t’ia puçëronte poret e lëkurës dhe një flakërime lulëkuqesh ia mbuloi fytyrën simpatike… Derën ia hapi një vajzë aty tek të njëzetë e tetat, me një fytyrë të ëmbël, mjaft simpatike, me flokët e zinj të derdhur mbi supe si ujëvarë… Ajo mbeti një copë herë pezull, teksa vështroi një fytyrë mashkullore që s’e pati parë kurrë. Ose ndoshta e pati parë diku në ëndrrat e saj…Çfarë po mendonte kështu?! Në ëndrrat e saj…
-Më fal, të lutem, ju mbetët në këmbë dhe unë u hutova…Ejani brenda. Ai hyri pas saj. Trupi i vajzës, tek e shikonte nga prapa, dukej si i gdhendur në mermerin e Leonardos. Qe vërtetë e bukur.
-Ulu. Ai u ul në divanin që i tregoi ajo dhe…nuk dinte nga t’ia niste. Nuk e pati menduar se do ta kishte kaq të vështirë…
-Dëgjo Sandra,-ia nisi me një lloj patetizmi, që nuk di se nga i buronte…
-Ti nuk më njeh…por unë…ka kohë që ju njoh nga larg…dhe kam dashur me kohë…hëm…po kam dashur me kohë…të vij të flas me ju.
Ajo përpinte çdo fjalë të tij. I dukej sikur këtë portret mashkullor, që vinte nga një vend i vogël ballkanik dhe që qe pajisur me një anglishte perfekt, kishte pritur me kohë në ëndrrat e saj…
Në zemrën e saj rinore, të pastër e të dëlirë, ngriheshin lart shkulmet e ndjenjave të dallgëzuara e të kreshpëruara të pritjes. Dukej se një dashuri e re po ngrihej nga katakombet e errët të baticave të një jete, dashuri me shikim të parë, nga ato me të cilat janë mbushur dëng librat dhe filmat romantikë…
-Pra, nëse më kuptoni…Oh, e kam shumë të vështirë, nuk e mendoja se do ta kisha kaq të vështirë, -mërmëriste nëpër dhëmbë i hutuar dhe thuajse i turpëruar shqiptari i ardhur nga larg, tepër larg…
-Mos e mundo më kot veten…Ti je një njeri i pastër dhe plot pasion…por e ke të vështirë të shprehësh atë që ndjen…Nuk ka nevojë për fjalë të bukura e fjalime retorike…Të njëjtat ndjesi…ndjesi ngrohtësie e dashurie…ushqej dhe unë për ty…
Ajo bëri një hap drejt tij, u zgjat sipër ballit të tij të lartë dhe e puthi, në fillim lehtë e disi me ndrojtje, pastaj fort, fort, me afsh, me pasion, me gjithë energjitë e një shpirti të dashuruar, që kishte gjetur shpirtin binjak… Tjetri, në fillim shtangu, pastaj mes dyzimit, brerjes së ndërgjegjes dhe dëshirës mashkullore, që ngrinte kokë me rrëmbim, iu përgjigj hoveve të saj rinore…
Kur doli jashtë për t’u kthyer në hotel, ai po ndihej sa i lumturuar, aq dhe i tronditur për kthesën që kishte marrë ngjarja; kishte vajtur për të çuar një amanet dhe kishte përfunduar në krahët e motrës së të ndjerit, shokut të tij të armëve…Dhe nuk pati arritur t’ia jepte amanetin.
-O nëna ime, ç’kam bërë kështu? -klithi në mes të rrugës. -Më paskan rënë medaljoni dhe fotografia e Sandrës në divanin e shtëpisë së saj. Ndjeu sikur diçka e errët dhe e ligë po rroposej brenda shpirtit të tij të tronditur nga shfaqja e këtyre rrethanave të befta… Kur pa foton e saj dhe medaljonin që patën rrëshqitur nga xhepi i Miradashit në një cep të divanit, ajo klithi dhe në shpirtin e saj u ngritën vullkan ndjenja të dyzuara. Kuptoi gjithçka. Tre pika loti përvijuan mallin dhe mungesën e pashlyer të motrës për vëllanë e humbur në të pakthyeshmen.
Pastaj mendoi rishtas për Mirdashin. Ajo qe një dashuri që pati ardhur nga përmbushja e një amaneti. Mungesën e atij që kishte një vend të pashlyeshëm përjetë në zemrën e saj, askush nuk mund ta zëvendësonte, por hapja e një vendi tjetër në zemrën e saj, për atë që do të bëhej bashkudhëtari i jetës së saj, do të qe, sigurisht, i mirëpritur nga Henri, që i vështronte tani nga qielli. Të nesërmen, të dashuruar e të thellësisht ngrohtë…në shtratin e ndjenjave më të zjarrta, shkuan te varrezat e heronjve kombëtarë në periferi të Filadelfias dhe pranë varrit të Henrit mbollën dy pemë të reja, me mbishkrimin: “Sandra dhe Mirdashi, për Henrin, me dashuri të përjetshme, të pashuar”.