Suplementi Pena Shqiptare/ Hyqmet Hasko: Lumi që rrjedh nga brenda…

718
-Sot dua katër petulla, baba! 
-Ç’i do të gjitha, bir?! 

-Të lutem…Mos më bëj pyetje… I dua dhe kaq. Vogëlushi kishte tipare të bukura, sytë të zinj e të thellë dhe ballë të lartë, ku i valëzoheshin flokët e dendura kaçurrela. Teksa e vështronte gjithë mirëdashje dhe ëmbëlsi, i ati ia mbështolli të katër petullat mirë e mirë në një letër celefoni dhe ia futi në një qese ngjyrë të kaltër. Sytë e të birit kishin shumë dritë dhe babait, që atë fëmijë kishte, iu mbush zemra me ndjesi mirënjohjeje ndaj Zotit, që ia kishte falur kaq të sjellshëm e të mirë birin e tij të vetëm… Arlindi vrapoi me petullat që lëshonin avull në dorë, i gëzuar që do të takonte Henrin. Ishin moshatarë, dhjetë vjeç secili dhe në të njejtën klasë. Për më tepër, qenë komshinj. Prindërit e tyre shkonin shumë mirë, shpesh pinin kafe ose ndonjë gotë birrë në verandën e shtëpisë së Henrit, meqë ishte më e bollshme dhe kishte hapësirë të majftueshme për të ndejnjur të dy familjet. Familja e Arlindit kishte ardhur para tre vjetësh nga Shqipëria, nga një fshat i vogël jugor, në thellësi të maleve të Tomorrit I ati ishte mësues, e ëma mami. Iu kishte dalë llotaria ameriakne dhe jeta e tyre kishte hyrë në hullinj të rinj. Qenë vendosur diku në një qytezë në periferi të Floridas dhe dalëngadalë, me punë e përkushtim, jeta e tyre kishte nisur të hynte në rrugë të mbarë. Që kur kishte nisur biznesin e vogël të shitjes së petullave, Arlindi merrte çdo ditë dy petulla nga i ati, një për vete dhe një për shokun e tij Henrin. Aq shumë i pëlqenin Henrit petullat, sa e merrte shumë seriozisht, gati në një mënyrë ceremoniale dhënien e petullës së përditshme nga shoku i tij i ngushtë, Arlindi. Ndaj një ditë vendosi t’i kërkojë vërsnikut nga Shqipëria tre petulla, pasi donte që këtë mrekulli të një shije krejt të veçantë, ta provonin babai dhe mamaja e tij. Ai i zgjati lekët, por si gjithmonë, Arlindi nuk pranoi. Kur vajti në shtëpi, e ëma dhe babai i Henrit provuan petullat dhe mbetën të suprizuar nga shija unike e tyre. 
-Unë të tilla ka një vit që ha përditë,- foli Henri, me sytë të rrëmbushur nga jonet e dritës. 

-Si përditë?! Ku i gjen?! 

-Mi sjell Arlindi dhe nuk ka pranuar asnjëherë të marrë lekë. Babai i tij ka një biznes fare të vogël, ku shet petulla në rrugë… I befasuar, babai i Henrit, Uiliami, e ftoi për një “kafe mirënjohjeje”, siç tha vetë, babain e Arlindit, Ujkanin. Ata u takuan në një lokal të qetë nja dy kilometra larg zonës ku banonin dhe ende pa ardhur birrat dhe disa meze të vogal, të porositura nga Uiliami, ky i fundit e falenderoi Ujkanin për petullat e përditshme, që i kishin dhënë me aq bujari të birit. Pastaj, mbasi mbaruan atë minidarkë, sipas stilit amerikan, ai bëri llogaritë se sa kishin kushtuar petullat e të birit dhe nxorri një sasi dollarësh për t’ia dhënë mirëbërësit. 

-Ne e kemi fyerje të marrim para për ushqimin, kur ia japim një miku. Petulla është një ushqim simbolik për ne, ushqim tradicional dhe kur vjen një mik në anët tona, ekziston një shprehje: “Po i ngrite vetullat, leri petullat”. Pasi i shpjegoi kuptimin e kësaj idiome, ata u ndanë, por në shpirtin e amerikanit, një dimension po zgjohej për komshinjtë e tij të largët. Një ditë amerikani ia behu në shtëpi të Ujkanit dhe i propozoi që për të pasur një biznes të stabiluar dhe më efektiv të blinte një kioskë të bukur, diku në kryëzim të Rrugëve të Harkuara. 

-Mos kij merak, paratë t’i jap unë, e qetësoi Uiliami Ujkanin. 

-Tu rritët ndera, por kam para, do ta paguaj vetë. Dhe kështu bëri, e bleu kioskën. Biznesi u zgjerua dhe paratë nisën të lëviznin më me shpejtësi në kuletën e shqiptarit. Pa kaluar një vit, në vendin ku kishte ngritur biznesnin e tij Ujkani ra një projekt për herkurudhën e re dhe atij i erdhi letra për shpronësim publik. Uiliami, me të cilin komunikonte thuajse çdo ditë, i tha të kërkonte një shumë të madhe, që e kalonte tre katër herë vlerën e objektit të privatizuar prej tij. Ujkani këmbënguli se nuk kushtonte aq shumë, por Uiliami nuk hoqi dorë nga e tija: 

-Këtë gjë e di shumë mirë. Kërko shumën që të thashë se do të ta japin. Pasi mori një shumë të majme në dorë, Ujkani po vriste mendjen për të rinisur biznesin, kur Uiliami ia behu në derë: 

-Të kam gjetur një arë nja tre dynim, tek lëndinat e praruara. Blije dhe mbille me pemë frutore. Është një biznes që do të të japë shumë para. Ujkani, që tanimë i besonte intuitës së mikut të tij amerikan dhe ishte gati t’ia jepte zemrën në dorë, kështu bëri; e bleu tokën, mbolli pemët, por pa kaluar një vit rishtas ra plani i shpronësimeve në atë zonë për interesa publike. 

-Kërko një milion dollarë, -iu drejtua Uliami Ujkanit. Tjetri mbeti në mëdyshje, i tejtrazuar… 

-Janë shumë miku im. Janë katërfishi i vlerës së pronës sime. 

-Ti je në të drejtën tënde. Në pronën tënde. Ti e ckaton çmimin dhe shteti të paguan aq sa të kërkosh… Kur në numrin e tij të llogarisë kaluan një milion dollarët, mirënjohja e përmbyti të gjithin nga brenda Ujkanin për mikun e mirë amerikan. Deshi të merrte rishtas këshillën e tij se çfarë mund të bënte me ato para dhe vajti në shtëpinë e tij. E gjeti në verandë, zhytur mes shkresurinave, që të hedhura ashtu rrëmujshëm, tutje tëhu, dukeshin si një perandori në kaos virtual. 

-O miku im! Urime! Urime! Amerika është një parajsë mundësish, një kopsht Edeni për gjithkënd që punon me pasion dhe ka zemër të pastër… 

-Falë këshillave tuaja, miku im! Vetëm falë tyre!… Nga dritaret e hapura frynte era e lehtë e një mbrëmje të trazuar filadelafase… Befas sytë i shkuan tek një letër, që e rrokullisi era dhe u ndalua para këmbëve të tij. Ai vuri re skemën grafike të pemishtes së tij të shpronësuar për interesa publike. Në fund të asaj shkrese ishte shuma 1 milion dollarë dhe firma e mikut të tij… Mbeti i befasuar dhe gati pa frymë klithi: 

-Ti?!… 
-Po, miku im! Ti je njeri i mirë dhe njerëzit e mirë meritojnë t’ua hapësh dritën jeshile…Unë jam inspektor i shpronësimeve publike dhe e dija që në ato dy vende ku ti bleve prona do të binte plani për vepra komunitare. Prandaj të thashë që të blije aty, që të shpërbleheshe shumëfish… Ujkani, ashtu i mbështjellë me hijet e muzgut, i bymyer nga mirënjohja për mikun e tij, bëri shenjën e kryqit dhe u përmbyt nga një lumë drite, që po rridhte brenda tij…
Sigal