Suplementi Pena Shqiptare/ Hyqmet Hasko: Dhurata

490
Sigal

Qyteti përsillej në një larmi ngjyrash ekzotike, një ajri të përshkëndtitur entuziazmi, që përthyhej mes një rrëmuje të ëmbël dhe shpalimit të ndjesive, gjë që e kishte përfshirë gjithmonë zvicerianen, e cila kishte një afeksion të madh për gjithçka në këtë vend të çuditshëm të sijudhesës ballkanike. Shtëpitë e reja që ende erëmonin gëlqere, pemët e lulëzuara, si të dehura në ajri, e bënin akoma më joshës peizazhin dhe e huaja u ndie e përmbytur së brendshmi nga currjela dritë…

-Do të shkojmë të pijmë kafe në periferi, tek Ura e Thiut, atje ku kemi qenë dhe herë të tjera. S’di pse më pëlqen ai vend dhe ajo kafene e vetmuar…

I biri dëgjonte fjalët e të ëmës dhe nuk e kuptonte se ç’e shtynte atë drejt atyre thellësive anonime, drejt një kafeneje të shpëlarë, ku dëgjoheshin vetëm zukamat e mizave, që shoqëronin zhaurimën e ekspresit të kafesë. E habiste kjo shije e shpëlarë, por nuk donte t’ia prishte. Sa herë vinin në Shqipëri, vinin në këtë qytet të mbështjellë me mister dhe kafenë e pinin në thellësitë e asaj periferie të zymtë, larg valëvitjes së hareshme të peizazheve urbane të qendrës.

Morën taksi dhe teksa udhëtonin drejt asaj lagjeje të vetmuar, të zhytur në varfëri dhe stres, djaloshi, kërkonte imazhe në celular për të përkthyer në një farë mënyre fshehtësitë e atyre viseve humbamene drejt të cilave po udhëtonin.

Zbritën nga taksia dhe u sollën një copë herë përqark, sikur kërkonin diçka që ju mungonte. Gjithmonë e ëma zviceriane kërkonte diçka kur vinte në këtë qytet dhe në këtë lagje perfiferike, sikur donte të takohej me të kaluarën e saj.

Para një kazani plehërash, zvicerinia ndaloi, mbajti frymën dhe u përskuq, sikur fytyra t’i qe zhytur në një prushërim luleshtrydhesh…Ajo pati shtangur në një befje të çuditshme. I biri u habit, por nuk e dha veten. Ndonjëherë e ëma i dukej aq e çuditshme, enigmatike dhe e dyzuar…

-Çfarë ke mama? Këtu në mes të rugës do të rrimë si idiotë?!

-Biri im, ti di shqip, ta kam mësuar me mësues privat. Të lutem, a mund të më thuash se çfarë po bisedojnë ai çift të moshuarish varfanjakë, në skaj të atij kazani me plehëra?

I biri qe mësuar me trillet e saj…Ishin një burrë dhe një grua të veshur keq, të zhelosur gjer në dhimbje, me fytyra të hequra, me sa duket nga vuajtjet e përditshme dhe të pangrënët. Ata rrëmonin në kazan dhe dialogonin me nerva të ngritura…Arditi u afrua pranë tyre, nuk ia prishte dot të ëmës, e cila ishte shumë e ndjeshme ndaj vuajtjes së tjetrit.

Pas nja dy minutash, djali u afrua pranë nënës dhe duke ia lëshuar duart e tij të njoma në qafë, i tha:

-Janë një çift që vuajnë për bukën e gojës. Shtëpia mjerane nga çasti në çast mund t’i zërë brenda. Gruaja i thoshte se kishte frikë të flinte në atë karakatinë, nga frika se mos shembet natën. “Sonte do të fle jashtë, i tha. Sonte dhe gjithmonë, nuk kam çfarë të bëj. Murit me kokë nuk i bihet. Ti bëj si të duash”…

-Biri im, të lutem, çojua këto pesëqind euro, që të hanë ndonjë gjë dhe të mund të flenë për disa kohë në hotel…

-Eja t’i takojmë bashkë, mama!…

-Jo, biri im, ti e di që unë jam shumë e ndjeshme ndaj dhimbjes së tjetrit…nuk e duroj peshën e emocioneve…

-Mirë mama, po shkoj…

E ëma vështroi se si i biri vajti pranë çiftit në hall dhe pasi bëri një copë herë dialog me ta, iu dha eurot e saj. Distanca prej tyre ia mundësonte të vështronte shkëlqimin e syve të tyre të përmbytur nga ndjenja e mirënjohjes…

Kaluan dy javë, nënë e bir u kthyen në Zvicër dhe atë mbrëmje po dëgjonin emisonin “Shqiptarët për shqiptarët” në një nga stacionet televizive të vendit të shqipeve.

Befas i biri klithi:

-Mama, shikoje, janë ai çifti që iu falëm pesëqind euro!

Në sytë e të ëmës, ai pa të rridhnin lotë. Ajo qe shumë e ndjeshme ndaj dhimbjes. Kronika tregonte se si dy të moshuarve po iu çonin disa ndihma, por ata thoshin se qenë të rrezikuar nga ora në orë që ajo karakatinë ku patën futur kokën t’iu binte përsipër!

-Biri im, -foli gruaja në moshë duke e parë të birin me ëmbëlsi,-ne kemi shumë para, jemi të pasur…Si thua sikur t’iu ndërtojmë një shtëpi këtij çifti varfanjakësh?!…

-Ti je e mrekullueshme, nënë! Pse jo?! Sa më shpejt, aq më mirë…

Ata kontaktuan me emisionin dhe morën përsipër që t’iu ndërtonin një shtëpi të bukur dy të moshurave në nevojë. Me kusht që ata të mos dinin gjë dhe e gjithë kjo të mos bëhej objekt i asnjë emisioni televiziv dhe reklame…

Pas tre ditësh, erdhën në Tiranë dhe nisën nga puna. Kontaktuan me një ndërtues, sipërmarrës privat dhe ndërtuan një shtëpi të bukur, me katër dhoma, tre-katërqind metra larg asaj karakatinës gëmadhë, ku jetonin nën terrorin e shembjes nga ora në orë, dy të moshuarit në hall…Shtëpinë e mobiluan me gjithçka të nevojshme bashkëkohore dhe e sistemuan me merak dhe shije të hollë.

Njëri nga kordinatorët iu kishte thënë se në të dielën e fundit të muajit, gruaja plakë kishte ditëlindjen dhe do të qe e bukur që kjo super suprizë t’i bëhej me këtë rast.

Atë ditë që gruaja kishte ditëlindjen, nënë dhe bir, trokitën në derën e karakatinës, që rënkonte ditë e natë. Derën ua hapi gruaja, me sytë të buhavitur nga pagjumësia. Kur pa djaloshin që i kishte falur pesëqind euro, sytë e saj u gëzuan dhe fytyra iu mbush me quka gëzimi…Nuk dinte ç’të bënte, ti ftonte brenda apo…po ku!?

-Kjo është nëna ime,-e prezantoi djali gruan që qëndronte në derë me të ëmën. Nuk kemi ardhur të rrimë. Morëm vesh që sot ke ditëlindjen. Duam që ta bëjmë unë dhe mamaja ditëlindjen tënde, me gjithçka që nevojitet për një rast të tillë. Eja të tregoj se ku do ta bëjmë. Dhe dolën jashtë dhe ecën drejt shtëpisë së re që ata e kishin ndërtuar për çiftin e  të moshuarve, pa dijeninë e tyre.

-Këtu të vish në orën pesë pasdite, me bashkëshortin dhe me këdo që ke përzemër dhe do të doje ta kishe të ftuar në ditëlindje. Gjithçka do të jetë gati…

Në orën gjashtë, në shtëpinë e re, të mobiluar për së mbari, qenë grumbulluar dy të moshuarit, një motër e gruas që kishte ditëlindjen, një mbesë e  saj dhe gruaja zviceriane me të birin.

-Ulu këtu mes meje dhe tim biri,-e ftoi zviceriania gruan që kishte ditëlindjen. Ajo erdhi dhe u ul mes tyre. Zviceriania mori njërën dorë të të birit dhe e vendosi mbi dorën e gruas që kishte ditëlindjen dhe dorën tjetër të tij, mbi dorën e saj. Pastaj, duke iu drejtuar të birit, me një zë ëngjëllor, që sikur dilte nga shpellat mistike, foli:

-Biri im, kjo është nëna jote e vërtetë. Ajo që të ka dhënë jetë dhe frymë nga jeta dhe fryma e saj. Unë të birësova. Të dua sa jetën time! Ajo më kishte harruar, nuk më mbante mend, por unë nuk e kam harruar kurrë!…

I biri, mes dy nënave, pati shtangur dhe nuk dinte ku t’i çonte duart. Emocione të furishme ia kishin ngritur qimet e kokës përpjetë. Ndihej i përfshirë në një lumë të rrëmbyer ndjesishë…E ëma e vërtetë qante në heshtje, me lotë që i rridhnin çurk dhe i zbrisnin deri thellë në mjekrën e zhubravitur nga rrudhat e dhimbjes.

Zvicerania nxorri nga xhepi një tufë çelësash dhe ia zgjati nënës natyrale të birit të saj të dashur.

-Merri këto çelsa. Janë çelësat e kësaj shtëpie. Kjo është shtëpia juaj. Të jetoni me bashkëshortin dhe me këdo që bën pjesë në rrethin e dashurisë dhe ngrohtësisë familjare…

I biri, zemërpeshë nga dallgëzimet e ndjenjave, iu drejtua të ëmës dhe të atit, që e patën kapur nga duart dhe e vështronin në dritë të syrit, me mirësitë dhe dashuritë e gjithë një bote:

-Tani keni një bir që është biri i juaj, gjaku juaj dhe do ta keni gjithmonë në krah, nuk do t’ju braktisë kurrë!…