Suplementi Pena Shqiptare/ Hyqmet Hasko: BESMIRA …

1014
Ajo sapo doli nga një supermerakato ku kishte kërkuar punë dhe po nxitonte drejt një shtëpie tjetër, tip vile të bukur, me grila të gjelbëra, që pati lajmëruar se kishte nevojë për një punëtore shtëpie. Ishte gjithë mendime të koklavitura, kur një shungëllimë e fortë e bëri të ndjente peshën e një sforcimi të epërm. Kishte gjithë këto ditë që vente ecejake nëpër këtë periferi të Frankfurtit, në këtë qytezë të mbështjellë me dritë-hije, por askush nuk ia kishte hapur derën. Ofertat e shpallura për punë deri tani qenë për të, një mollë e ndaluar dhe ajo ndiente peshën e një shqetësimi t’i përthithte të gjitha energjitë e trupit dhe të mendjes së trazuar. Iu afrua vilës së rrethuar me heshtje dhe vetmi. Tej në rrugë gjindja qe grumbulluar, si me një komandë të fshehtë për të blerë një tip ajfoni të fundit, që sapo kishte dalë në treg dhe qenë vënë në radhë si dikur radhët e kohës së komunizmit në vendin e saj të vogël ballkanik. I ra disa herë ziles së vilës, por asnjë përgjigje. Heshtja vazhdonte të trazonte mendimet dhe dilemat e saj. Atë çast, teksa bëhej gati për të ikur, dëgjoi një klithmëtë fortë dhe një zhurmë që i ngjante plandosjes së një trupi që bie përtokë.E shtyu derën…pa pritur që t’i thoshnin “hyr” dhe u gjend para një gruaje të dobët, flokëthinjur, aty rreth të gjashtëdhjetave, që i pati rënë alivan. Nga goja shkumëzonte dhe sytë e shkuar vëngërr tregonin se i kishte rënë të fikët. Vrapoi drejt saj, mori diku një gotë ujë dhe ia freskoi ballin, por më kot. Ajo vazhdonte të ishte e plandosur përdhe, meit në fytyrë në një gjendje statike palëvizshmërie. Besmira e zotëroi veten dhe për një çast rrëmoi në kujtesë numrin e ndihmes shpejtë. E formoi me nxit dhe ndërkohë që priste ardhjen e saj po i bënte gruas në moshë frymëarrje artificiale. Ajo çeli pakës sytë, aq sa të vështronte atë që po përkujdesej për të dhe me një zë të zgavruar foli: -Kush jeni…ju?! -Një shqiptare…erdha të kërkoja punë tek ju dhe u gjenda para këtij befasimi…-Si e keni emrin, moj bijë?… -Besmira. Jam një nga fshat i largët në veri të Alpeve shqiptare… -Qenke e bukur si hënë…Zoti të ruajt! Dhe ndërkaq koka esaj e thinjur ra përsëri në gjendjen fillestare dhe sytë e saj notonin në një bosh gri… Erdha ambulance dhe ajo i qëndroi gruas së lënduar te koka gjatë gjithë kohës. Dy net që ajo qëndroi në spital duke u mjekuar në një përkujdesje të rreptë, Besmira i ndenji te kryet të sëmurës dhe u miqësua shumë me të. Ajo i tregoi historinë e saj, një histori e trishtë, si të gjitha historitë që sjellin trazim dhe lëndim. Djali i saj Hansi nuk ishte si të gjithë të tjerët, por gej. Këtë, e ëma, Frida, e kishte mësuar para një jave, në një rrethanë të pazakontë. Ishte duke ndjekur një telenovelë amerikane në Televizionin ZDF, kur një telefantë e shkundi nga apatia. Zëri i një burri matanë, imponues dhe kërcënues, e shokoi: -Yt bir, Hansi është gej. Unë jam dashnori i tij… Fill pas kësaj telefonate, do të sjell pamje filmike nga orgjitë e mia dhe të shokëve të mi me Hansin tënd. Ke kohë një javë të më dorëzosh njëqind mijë dollarë, ndryshe këto video do t’i publikoj dhe jeta e djalit tënd, e jotja dhe e bashkëshortit tënd do të bëhet skëterrë…” Frida ndjeu një gong të egër, me një furi barbare ta godiste në kokë… -Të lutem, kij mëshirë. Mos ma bëj këtë të zezë! E kam djalë të vetëm. Nuk kam veçse dhjetë mijë dollarë…ato eja të t’i jap. Nuk kam më dhe nuk kam se ku t’i gjej…-Tërhiqi nga banka, moj kurvë plakë. Ne e dimë, je e krimbur në para!… -Nuk mundem…Të lutem, më kupto. Im shoq është me jahtin e tij në dhera të huaj dhe kthehet vetëm në pranverë. Pa firmën e tij, banka nuk më jep asnjë kacidhe… -Siç të thashë, ke kohë një javë. Më pas flasim ndryshe. Flet videoja, që do të marrë miliona klikime… Në atë gjendje alarmi, mes dhimbjes dhe depresionit, zemra e saj e lënduar nuk duroi dhe Frida u plandos përtokë, në gjendje të fikti, si pasojë e një goditje të beftë në organin më jetësor. …Pikërisht në atë çast, Besmira që pati shkuar për të kerkuar punë, kishte dëgjuar atë zhurmën e çuditshme dhe dashje pa dashje do të bëhej pjesë e kësaj historie.
Pas tre-katër ditësh, Frida e mori veten, ndërkohë që Besmira i rrinte ditë e natë te shtrati, me një përkujdesje shembullore, që e pati mrekulluar tjetrën. Në duart e kësaj femre të re e të bukur, ardhur nga një vend i vogël ballkanik, nga një trevë malore alpine, ndihej si mbretëreshë, në paqe me veten e të tjerët dhe krejt e sigurtë. E zonja e shtëpisë ia dha Besmirës vendin e punës, por jo atë të një .punëtoreje shtëpiake, vend të cilin e shpalli përsëri në kërkim të një kandidateje, por atë të administratres së vilës dhe të gjithë pronave të saj. Por ditët kalonin e po mbushej java dhe shantazhuesi, dashnori i të birit pritej të shfaqej në vilë si një kërëcnim…I biri pati ikur në një ekspeditë gjuetie në pyjet e Zvicrës dhe nuk dihej se kur do të vinte në shtëpi. Ai nuk dinte asgjë për fijet e kësaj merimange të zezë që dashnori i tij pati kurdisur për të grabitur një grua të përkorë, që nuk i kishte hyrë në hak askujt. Ishte dita e parafundit, kur kërëcënuesi kishte paralajmëruar se do të vinte të merrte paratë, përndryshe skandali do të përmbytte internetin on-line. Fridën e kapi rishtas paniku dhe zemra i rrihte me hov, gati për t’i dalënga krahëtrori. I nisën rishtas dridhjet,konvulsionet dhe spazamat, që po ia përkeqësonin shëndetin.
Besmira ndihej shumë keq dhe nuk dinte si t’i vinte në ndihmë mirëbërses së saj. …Ishte pasdite dhe hijet e mbrëmjes po aviteshin ngadalë, kur Besmira iu drejtua Fridës, me një zë të vendosur: -Frida, mos e vrit mendjen. Do të merrem unë me shantazhuesin tënd… -Çfarë thua moj bijë?! Ata janë mafiozë. Nuk iu di hall as policia!… -Ma lër mua në dorë, -klithi Besmira, pa qenë as vetë e qartë se çfarë do të bënte, por nuk e duronte dot gjendjen e rënduar fizike dhe psikike të Fridës…Atë ditë qe e enjte dhe Besmira me një çantë në dorë po shkonte drejt kafes “Gëte”, ku kishte lënë takim me të dashurin e birit të Fridës. Ishte një kafe e vogël, në cep të një rrugice, larg syrit të njerëzve dhe rrëmujave urbane. Ajo hyri brenda dhe e njohu tjetrin, nga ajo kasketa ngjyrë kaki që kishte parë në facebook. U afrua me hapa të vegjël dhe kur nuk ndodhej më shumë se dy metra larg gjobëvënësit, nxitoi drejt tij…Pa e përshndetur, foli me një gjermanishte të vrazhdë, duke ngrënë gjysmat e rrokjeve: -Me mua fole në celular…Jam Besmira, nga Shqipëria…Erdha të të sjell paratë…e Fridës… Tjetri formoi një buzëqeshje në formë hinke dhe fjala “gud” e shqiptuar disa herë tingëllonte si një ironi e hidhur.Besmira hapi çantën dhe me qetësi të thellë nxorri revolën, një me mulli fringo të re dhe ia vuri tjetrit në brinjë: -Unë jam shqiptare, kam lënë tokën time, vendin tim dhe kam ardhur këtu në Gjermani. Nuk kam askënd për të cilin të kem brenga dhe pendime, në këtë botë dhe në atë tjetrën. Fridën e kam…punëdhëëse, mike, nënë, motër të madhe…Quaje si të duash. Nëse do të guxosh t’i afrohesh shtëpisë së saj, djalit të saj, biznesit të burrit të saj, je i vdekur. Nëse qarkullon ajo kaseta me të cilën e ke kërcënuar Fridën, je i vdekur. Tjetri qe zverdhur dhe dridhej si shelgu në ujë…Ca copëra fjalësh të shkëupura vinin në veshin e Hanës si copëra rekujemi… -Bëj një nder vetes. Jeto!,-foli Besmira dhe pasi ia hoqi nga brinja e djathtë e tjetrit tytën e revoles, e futi atë ngadalë në çantë, duke shfryrë me tërsëllimë… Kaluan tre vjet nga kjo ngjarje dhe kërcënuesi nuk u bë më i gjallë. Ai u tërhoq nga jeta e Hansit dhe nuk u duk më në rrugët e asaj qyteze periferike të Frankfurtit. Besmira hyri thellë e më thellë në zemrën e Fridës dhe pa të nuk bënte dot asgjë. Një mbrëmje Frida iu drejtua Besmirës: -Besmira, të kam borxh jetën dhe nderin.Unë dua që ti të jeshë bija ime në shpirt. Me të gjitha të drejtat e një bije legjitime…
Besmira u derdh e përlotur në supet e gruas së huaj, e cila tani ishte nëna e dytë e saj…
Sigal