Suplementi Pena Shqiptare/ Hyqmet B. Hasko: “Thirrja e gjakut”

569
Tregim i bazuar në një ngjarje të vërtetë
Lypësi plak kishte ditë që ndiqte hijen e saj, teksa konturohej në atë rrugicë të mbushur me pemë dekorative dhe lule, ku gjendej shtëpia e saj. Sytë e tij të rrudhur e të hijezuar mes ngjyrës së ankthit dhe vetmisë, befas kishin marrë një shkëlqim të lëbyrtë, sikur diçka e beftë, një alkimi e panjohur të kishte ndodhur brenda tyre. As vetë nuk e dinte se pse e tërhiqte kjo vajzë kaq e njomë dhe simpatike; seç kishte diçka të ngrohtë dhe të afërt që atë e ngazëllente nga brenda. 

Vajza gjithmonë ngutej dhe nuk e kishte vënë re atë vështrim të çuditshëm, lypës e dëshirues, që derdhej nga gurra e syve të shterur të një burri në moshë të thyer, që nuk kuptohej se çfarë lypte nga ajo. Me vështrimin që i hodhi Lypësi plak Fatjonës, e trazoi disi qetësinë e saj prej një vajze të urtë e të përkorë, që nuk njihte veçse atë rrugicë të spërkatur me aromë lulesh e frutash dhe shtëpinë e saj, ku nxitonte gjithmonë të shkonte, se atje ndihej mjaft mirë. Një lloj tmerri i papritur e pushtoi shpirtin e saj dhe u ndie e kompleksuar. Ajo la rrugicën e saj dhe u fut në një rrugicë që të nxirrte në Rrugën e Barrikadave, por pa pritur këmbët e tradhtuan dhe ajo u rrëzua.

Lypësit diç e beftë i theri në zemër, sikur të ishte rrëzuar një pjesë e tij dhe u çudit me veten e tij nga kjo qasje… Lyp Lypësi si, që po e ndiqte, vrapoi aq sa i hanin këmbët dhe i zgjati dorën që të ngrihej. Në sytë e tij, vajza pa një dritëz të bardhë, që vetëtinte si një mirazh. Kishte sy të butë, ëndërrimtarë. Tmerri që e kishte kapur, ia lëshoi vendin mëshirës. Ajo nguli sytë e saj mbi Lypësi, i cili po e shikonte me shumë adhurim. Menjëherë ajo konstatoi se ai kishte një fytyrë të qetë dashamirëse, dhe qe tepër tërheqës për moshën që kishte. 

-Ju frikëson pamja ime, moj vajzë?!- nxitoi të fliste Lypësi. 

-Të them të vërtetën, për një moment u tmerrova, se ndodhja juaj në këtë vend dhe ndjekja nga pas është pak e çuditshme. Ju keni një moshë të thyer dhe mendoj se nuk duhet të ndiqni vajza të reja si unë. 

-Ju kërkoj ndjesë, por mos u frikësoni për asgjë. Unë nuk kam ndërmend t’i bëj keq askujt dhe në jetën time nuk kam qenë kurrë rrugaç, pavarësisht se jeta më ka munduar shumë. 

-Ke të drejtë,- i tha Fatjona,- ju nuk jeni i keq, por jeni fatkeq.

-Po, pikës i keni rënë. Fjalën tuaj s’e luan as topi. Jam fatkeq. Lypësi po dridhej si në ethe dhe vajza pati ndjesinë se ai nuk ishte mirë. Por shpejt ai e mori veten dhe ata iu kthyen dialogimit midis tyre…

-Po, po, përsëriti plaku, jam vërtet fatkeq. 
-Dhe lypni,-nxitoi të thoshte vajza. 

-Jam i detyruar të mos vdes urie në këtë kohë që është koha e të pa punëve për ata që në jetë nuk morën dot një copë zanat. Ndaj lyp. E bëj nga halli, jo nga vesi dhe qejfi. 

-Si ka mundësi që nuk ju kam parë në këtë qytet? Unë në përgjithësi i njoh lypësit e qytetit tim, pavarësisht që ato shtohen çdo ditë dhe më shumë. Nga kjo pyetje Lypësi u trondit dhe fytyra e tij u skuq si e një femre. 

-Me një fjalë,- vazhdoi Lypësi,- ju i njihni lypësit e këtij qyteti?! Me një fjalë ju i ndihmoni ata sado pak?! Bëni shumë mirë, se dhe ata njerëz janë dhe që ta dish ata kanë një shpirt të sinqertë të mbushur me shumë urime për të gjithë ata që i ndihmojnë me ndonjë kacidhe, apo nuk është kështu?- pyeti Lypësi. Fatjona miratoi me kokë dhe i kërkoi Lypësit që ta ndiqte pas deri tek shtëpia e saj që ndodhej ndërmjet rrugës së Barrikadave dhe asaj “Siri Kodra”. Por Lypësi ngurroi dhe vajza nxitoi të kruante portofolin nga ku nxori disa qindarka dhe ia zgjati. Lypësi i mori dorën dhe vendosi buzët e thata mbi të. 

-Ju jeni shumë fisnike dhe keni një zemër të artë. Të artë e paçi jetën gjithmonë!- e uroj Lypësi Fatjonën. -Nëse unë do vendos të qëndroj në këtë qytet, kjo varet nga rrethanat që do më krijohen, unë do kërkoja që ju të më ndihmoni me ndonjë punë, se nuk kalohet jeta duke lypur,- i tha vajzës Lypësi. 

-Do bëj të pamundurën,-ia ktheu vajza. -Prindërit e mi kanë mundësinë t’iu gjejnë një punë. Ata kanë një biznes të mirë dhe ne jetojmë mjaft mirë. Nëse ju do vendosni të rrini, me gjithë shpirt do t’ju ndihmoj. Lypësi e përpunoi në tru thënien e vajzës, kur tha se ata kanë një biznes të mirë dhe i lindi pyetja, pse nuk tha që ne kemi një biznes të mirë, por e përjashtoi veten nga kjo gjë. -Si quhet babai juaj dhe nëna juaj?!

-Babai quhet Mihallaq, mamaja quhet Mbarime. Nëna është myslimane, babai ortodoks.

-Babanë tuaj kam pasur rastin ta njoh, kurse nënën jo. Ju më parë keni banuar në një qytet të jugut, apo jo? 

-Me sa di, prindërit e mi kanë banuar atje, unë kam lindur në këtë qytet.

Lypësit iu rrëqeth trupi dhe pa dashur iu morën mendtë. “Është ajo, i klithi diç në gji. Është ajo, vajza ime”… Lypësi u epua mes vetes dhe për pak u shemb nga pesha e trupit të tij ende të mbajtur mirë, me gjithë rrethanat e vështira që i kishin ardhur në jetë. Fatjona e mori për krahu dhe nuk e la të rrëzohej. Ai u ul mbi një bordurë dhe filloi të mendohej. Tani e vështronte vajzën në bebëza me një solemnitet atëror, që e kishte të pamundur ta fshihte. Tjetra po çuditej me këtë nur mrekullor që kishte rënë në fytyrën e Lypësit plak. 

-Babai juaj mund të jetë rreth gjashtëdhjetë e pesë vjeç? – pyeti Lypësi vajzën. 

-Ku e dini ju?!- pyeti ajo me habi.

-Të thashë, e kam njohur dikur. Këto janë kujtime të vjetra, moj bijë…” Moj bijë” ai e tha me shumë dashuri dhe me shumë ëmbëlsi…aq sa vajza pati një ndjesi të beftë intimiteti… “Kjo vajzë duhet të jetë rreth të njëzetave”, mendoi Lypësi me vete, por nuk e pyeti, sa vjeçe ishte. Lypësi tani ndodhej në barrën e një mallëngjimi të thellë, ai mezi po mbushej me frymë. Gjoksi i rrihte furishëm dhe veshët mend po i çaheshin nga zhurmnaja e disa tingujve të panjohur, që mezi i përmbante brenda tij… Fatjona e kuptoi se ai tani kishte më shumë nevojë për ta ndihmuar dhe i propozoi që ta çonte në shtëpinë e saj.

-Prindërit e mi ndodhen në Itali,- i tha ajo Lypësit,- por në shtëpi kemi një grua që është punësuar të na ndihmojë në punët e shtëpisë dhe është kujdesur për mua që në moshë shumë të vogël. Shpesh ajo më thotë se më ka dhënë qumësht nga gjiri i saj, se mamaja ime nuk kishte qumësht. Eja pa frikë të pushosh pak dhe ik kur të duash.- e ftoi Fatjona. 

-Kujdestarja jote mos quhet Lirika Merini? 

-Po, ashtu quhet, po ju ku e njihni? 

-Dikush më ka folur për të. Është grua e mirë, grua për kokë të gruas, -sqaroi Lypësi. Këmbët pa u kuptuar e çuan para një vile katër katëshe, rrethuar mjaft bukur dhe me një llojshmëri të ndryshme pemësh në oborr. Gjithçka ishte në vendin e vet dhe në ajër kundërmonte një aromë jargavani përzier me vjollcë e mimoza, që atij i zgjuan një ndjesi sensacioni të largët… Lirika nxitoi ta qortonte por në mënyrë shumë të butë:

-U vonove, moj bijë, më bëre shumë merak. 

-Ke të drejtë, i tha Fatjona,- por ndihmova këtë zotërinë, se i ra të fikët në rrugë. Dhe unë e solla në shtëpi që të pushoj pak. 

-Mirë bëre… Mirë bëre…tani ngjitu në dhomën tënde, bëj një dush dhe mëso për nesër se ke provim.

-Mos harro të ndihmosh me ndonjë gjë këtë zotërinë,- i tha Fatjona punonjëses së vilës. 

-Ik, ngjitu ti, se e kam vetë merak. Lirika e çoi në katin e dytë Lypësin dhe e urdhëroi të hiqte të gjitha rrobat që kishte veshur dhe të futej në tualet për t’u larë. Lypësi hezitoi dhe po e shihte tjetrën drejt në sy, teksa në sytë e saj u ndez një meteor çudie, përzier me kërshëri e dhimbje. 

-O Zot! Ajo e njohu se kush ishte dhe u drodh. 

-Futu shpejt në dush,- i tha me një urdhër pak të rreptë. Rrobat e lara do t’i kesh këtu në divan… Pasi u solli një grimë herë rrotull duke turfulluar, ajo iu drejtua përsëri:

-Merri këto. Ajo i dha një palë mbathje dhe një kanotiere, por dhe një qese të madhe që ai të fuste rrobat e veta të palara. Lypësi u la duke shkumuar çdo pjesë të trupit. Doli nga dushi dhe veshi rrobat e reja, pastaj iu afrua një pasqyre dhe konstatoi se akoma ruante më së miri tipare të një burri të pashëm, aq sa kur e pa Merini, i qeshi e gjithë fytyra. Ajo u ngjit tek Fatjona dhe zbritën të dyja së bashku. Fatjona iu hodh në qafë dhe për herë të parë Lypësi ndjeu aromën e vajzës së tij. Lypësi, me këmbënguljen e Fatjonës qëndroi aty deri sa u kthyen prindërit e saj. Fatjona këmbënguli që Lypësi të punonte në biznesin e tyre dhe të flinte në atë shtëpi deri sa të të gjente një shtëpi të veten me qira, por dhe qiranë do t’ia paguante familja e saj. Prindërit e Fatjonës nuk e patën të lehtë të pranonin, por këmbëngulja e saj ishte deri në çmenduri, aq sa ata u detyruan të mos ia prishnin vajzës së tyre që ata e mbanin me pekule, si ujin e pakët. Lypësi hyri në shtëpinë dhe në jetën e tyre, për hir të Fatjonës. Merini bisedoi gjerë e gjatë me Lypësin që ai mos të prononcohej asnjëherë me Fatojnën, derisa gjërat të merrnin rrugën e duhur me qetësi, pa prishur lumturinë e kësaj vajze të mençur. Dalëngadalë Fatjona u miqësua aq shumë me Lypësin Plak, aq sa kur erdhi çasti që ajo të mësonte të vërtetën rreth tij, në shpirtin e saj kishte aq shumë dashuri për të, sa dashuria atërore të ishte thjesht një vlerë e shtuar dhe një mundësi që ai dhe ajo të nisnin një jetë të re dhe plot kuptim e dashuri…
Sigal