Suplementi Pena Shqiptare/ Hyqmet B. Hasko: Një grua nën hije të muzgut

681
Pasditja po varte kryet e lodhur nga zagushia dhe pritja e një dite të ngarkuar, kur dola nga qyteti N dhe u vara teposhtë kryqëzimit të rrugës që të çonte në Mëhallën e Re. I stresuar nga pritja dhe ecejaket nëpër zyra, ku më shumë ngatërrohen se sa zgjidhen punët e këtij “mileti”, po çalltisja me mendje turlifarë gjërash, teksa endesha mes mërzisë dhe kotësisë dhe një përgjumje të lehtë. Po mendoja të arrija sa më shpejt në shtëpi e të shtrihesha për t’u çlodhur nga ajo kapitje, kur në mes të rrugës më zuri syri një grua që ngjante si statujë. E veshur me një soj ankthi dhe pritje, që ia nxirrnin më në pah rrobat e malësores, xhubletën e nxjerrë, me sa duket, atë ditë nga arka e nusërisë dhe shaminë e bardhë si pallat bore në majëmal, ajo dukej e çuditshme në atë ditë të pluhurosur me ankth e vetmi. Mund të ishte nja dyzet e ca vjeç, por dukej më e re dhe tiparet e fytyrës së vuajtur qenë stampuar hiret e një bukurie, që ende nuk qe venitur. Megjithëse nuk e kam zakon të marrë pasagjerë, ky ishte një rast i veçantë; me sa duket, ajo grua kishte nevojë për ndihmë, ndaj pa e zgjatur, frenova para këmbëve të saj. -Ku do të shkoni?-e pyeta. -Në Nahijen e Epërme, -m’u përgjigj, duke më vështruar në sy, me kthjelltësinë e dikujt që i merr gjërat siç i vijnë, pa shumë ndërlikime. Megjithëse për të shkuar në Nahije të Epërme duhet ta kaloja nëpër Mëhallën e Re dhe të ecja të paktën dhe nja njëzet minuta, i thashë të ngjitej në sedilje dhe të rrinte e qetë se do ta çoja deri në shtëpinë e saj, si kokrra e mollës. 

–T’u rrittë ndera, or burrë i dheut! Paç gjithmonë dritë e gaz në jetën tënde! Fytyra e saj disi e imët dhe kuadratuar në një tis mirësie të lexueshme, pati marrë befas shkëlqim dhe sytë e ujshëm i qenë bërë më të kthjellët e si të përmbytur nga skurrjela të një drite të etur. Në një të dhjetën e sekondës pashë nën hijen e xhubletës së saj tytën e një revolje…Ajo e kuptoi çudinë time të përzier me një lloj paniku dhe qeshi lehtë, duke formuar një tufëz rrudhash të imëta në cepat e buzëve. 

-E çova djalin në burg.
Tha kështu dhe psherëtiu thellë, duke nxjerrë nga mushkëritë spazmat e një tendosje të gjatë e ankthioze. Nuk desha ta ngacmoj, le të rrijë mendova në shenjtërinë e misterit të saj, por ajo e kuptoi kërshërinë time gati të papërballueshme dhe ia nisi të rrëfente: 

-Po, po e çova djalin në burg. Të vetmin djalë që kam, e çova me duart e mia në komisariat dhe ata e çuan në dhomat e paraburgimit, ku pritet të dalë në gjyq. Sytë e mis pyetës e shtynë gruan të vazhdonte rrëfimin pa u ndërprerë për asnjë çast: 

-Vetëm ai djalë më ka mbetur. Sa e kisha martuar. Nusen e la shtatzënë. Dy të tjerët mi hëngri plumbi i gjaksit. Familja jonë ka marrë tre jetë në familjen e hasmit. Ata na morën dy jetë dhe ata të dy ishin djemtë e mi. Më mbeti vetëm Dardani, djali i vogël. Ne ishim para tyre me një gjak dhe ata kishin të drejtë të merrnin gjak e hak. Radhën e kishte Dardani. Rrija ditë e natë me sytë në frëngji duke ruajtur gjakësin. Por robi është rob e nuk jeton me ajër por me bukë e gjellë e në male është e vështirë jetesa të punosh e të robtohesh e jo më të rrish ditë e natë mbyllur, duarkryq e mendjembyllur nga frika e hakmarrjes. E ruaja si ujët e pakët djalin, po ku mund t’i ruhesh gjakësit!? Mbeti djali maleve, ik nga gjakësi e ik nga policia, që e kërkonte shteg më shteg, mal më mal e guvë më guvë për vrasjen e fundit që kishte bërë në kullën e Malajve! Një ditë nuk durova më, futa mauzerin që ma ka lënë amanet burri para se të mbyllte sytë para dhjetë vjetëve dhe u nisa drejt kullës se Malajve. Eca një shtatë minuta dhe kulla hijerëndë më doli para me peshën e një kobi. Nuk kishte këmbë njeriu. Shtyva derën e avllisë që rastisi e hapur dhe hyra në oborrin e mbushur me lule të shumëngjyrëshe. -O Vuksan Malaj! O i zoti i shtëpisë!-brita. -Bujrum, mirë se të pruni i madhi Zot! –gjegji i zoti i kullës. Kur më pa, u murrëtye, por befas u çel dhe më tungjatjetoi përzemërsisht. E zonja e shtëpisë nxitoi të më printe drejt odës së grave, sipas traditës, por Vuksani e kundërshtoi: -Lerë burrneshë. Kjo grua e ka vendin në dhomën e burrave. Fjalët e tij më ngrohën disi, por ndihesha si e traumatizuar. U ulëm ballë për ballë, Vuksani në njërën qoshe e unë në tjetrën. Sytë e tij përpinin grykën e revoles. Sytë e mi ndiqnin hijen e syve të tij. Një lojë sysh në një kullë trepodëshe, kulla e hasmit, por dhe e burrërisë së provuar në shekuj. Përsëri sytë e të zotit të kullës ranë mbi hijen e revoles, që nxinte në brezin tim si pus. -Merre Vuksan Malaj e më vra. Më vra mua, por djalin ma fal. Në je burrë siç të njohin shtatë malet, më vra, por të vetmin, që më mban gjallë, tim bir, kurseje. E nxora revolen nga brezi dhe e flaka në lëkurën e leshit të deles rudë, ku rrinte këmbëkryq Vuksan Malaj. Sytë e Vuksanit lodronin në një kalamendje të beftë dhe cepat e mustaqeve të verdha, të spërkatura me nikotinë, dridheshin si shelgu në ujë. Herë shihte revolen e plandosur para tij si shpirt i dërmuar, herë mua. U ngrit dhe ma zgjati revolen.

-Merre burrneshë. Ti e di zakonin. Nuk vret malësori në shtëpi të tij. As hasmin jo, e aq më pak një grua. -Nuk kam ç’e dua jetën, kur djali ik e vjen maleve me kokë në torbë…-Edhe djemtë e mi kishin kokë, oj fisnike…-ironizoi burri duke më kujtuar se tre bijtë nuk i kishte më. I kishte ngrënë plumbi i kullës sime,plumbi i djemve të mi. -Edhe të mitë po ashtu, o Vuksan Malaj. Por vramë mua, pashë qiell e dhe, e djalin mos ma dëmto!… Kisha rënë në gjunjë para tij dhe dridhesha. Ai u ngrit dhe pasi më vuri dorën në sup butësisht, më ngriti me kujdes dhe më uli në vendin ku isha përballë tij. Erdhi kafeja dhe rakia. E piva kafenë duke e gjerbur me kujdes, ndërsa gotën e rakisë e ngrita me fund. -Ik, moj fisnike. Do ta luaj një llaf, -foli i zoti i kullës me sy të rrëzuar mbi gotën bosh të rakisë. -Unë djalin do ta çoj në burg me duart e mia. Të lutem, falja jetën. Të nesërmen Vuksani erdhi vetë, i shoqëruar me dy pleq në kullën time. Pimë kafetë dhe i dhamë karar, që ndër dy familjet tona nuk do të derdhej më gjak. Djalin, siç i premtova, do ta çoja në burg, por djali nuk dëgjonte. I ngrita kurth djalit dhe ia çova policinë në shteg. E çova në burg me duart e mia…Lotët nga sytë e saj rrodhën me bollëk dhe formuan një si oaz në mjekrën e rrudhur nga dhimbja. Kishim arritur në fshatin e saj dhe ajo do të zbriste… -Mos ki dert burrneshë, -i fola për ta ngushëlluar. -E çove djalin në burg, por i shpëtove jetën. Burgu për burra është, ai është i ri, vitet ikin shpejt dhe prapë do të kthehet yt bir në gjirin e kullës…

-Të lumtë ajo gojë e paç gjithë të mirat e kësaj bote, more bir!Fytyra e saj u përndrit nga dritëhijet e një ngazëllimi të brendshëm. Zbriti nga makina, duke tentuar të më jepte lekë, por nuk bëhej fjalë. E ndoqa me sy teksa po humbiste në kthesat e Nahijes së Epërme, mbështjellë e gjitha me mister, teksa hijet dendësoheshin në prag të një muzg me aromë të veçantë jete…


Sigal