Suplementi Pena Shqiptare/ Hyqmet B. Hasko: Ata u bënë katër…

713
Në një çast sytë e taksistit u ndeshën me ato të pasagjeres së re dhe mjaft simpatike dhe ai seç ndjeu një soj turbullimi. Ajo po jepte e merrte mesazhe me celularin e saj dhe sytë e tejndezur nga pasioni dukeshin të fiksuar dhe si në ethe.

“Sa herë komunikon me këtë djalë, duket e ekzaltuar,-mendoi taksisiti. Madje dhe e lagur”, shtoi me mendjen e tij dhe nga pasqyra vuri re rishtas vezullimin e të mbathurave të saj ngjyrë rozë dhe…lagien e saj.

“Me sa duket, nuk mund të presë sa ta takojë të dashurin e saj dhe të gjitha shenjat në këtë trup të ri e mjaft të bukur, këndojnë uverturën e seksit të dëshiruar, përkohësisht të munguar”.

Kishte ditë që e çonte këtë pasagjere deri te kthesa e zyrave të komunës së vogël dhe ajo zbiste aty dhe se ku humbiste nëpër ato rrugëza të shtruara me kalldrëm, ku me sa duket ndodhej i dashuri i saj. Qe bërë kurioz dhe kishte dashur ta vëzhgonte duke e ndjekur nga pas, si hije, por e kishte ndaluar veten, duke thënë se dikujt të moshës së tij nuk i faleshin këto idiotësi.

Sytë e tij, nëpërmjet pasqyrës, shkuan rishtas tek vezullimi i mbathjeve të saj që dukeshin për shkak të fustanit të shkurtër dhe të ngritur atë çast dhe…ajo…lagia…

“Duhet të jetë fatlum ai mashkull që ke një fuqi të tillë mbi një femër kaq të bukur, që edhe duke komunikuar në fb të laget e të…”, mendoi duke nënqeshur lehtë dhe mendueshëm… 

Në një çast iu kujtua diç e beftë dhe shëmbëllimi i lagies i kujtoi dikë. Dikë tepër të shtrenjtë për të, imazhi i të cilës qe hapërdarë në të shkuarën e afërt si një mjegull e kaltër iluzionesh të humbura.

Kështu lagej dhe ajo në të njëjtën sedilje, ndërsa ai i grahte taksisë për të shkuar në shtëpinë e tyre, ku i priste një shtrat i tej ndezur pasioni, një dush me ujë të ngrohtë dhe darka me picë të porositur dhe birrë në krevatin e rrëmujshëm, ku trupat e tyre qenë fundosur nën një mal etjeje dhe kërkimi…

Sytë e vajzës në një çast u takuan me sytë e tij dhe ai pati një mirazh. Nga ky mirazh pati një tronditje. Ku i kishte parë këto sy?!
Ndjeu një sensacion nga brenda.
Ju lut të pinin një kafe, gjë që nuk e bënte kurrë me pasagjerët dhe nuk e kishte bërë kurrë as me këtë vajzë, të cilën kishte tre javë që në të njëjtën orë e çonte në të njëjtin destinacion.

Çuditërisht ajo pranoi.
U ulën në kafe dhe ai e pyeti për jetën e saj, nga ishte dhe kush ishte e ëma e saj, nëse një pyetje e tillë nuk e bezdiste dhe nuk e vinte në siklet.
Ajo i tregoi dhe…nuk e kishte zhgënjyer shëmbëllimi dhe parandjenja…
-Ema! Ti je Ema! -thirri dhe sytë e tij u përshkënditën nga një zjarr mrekullor.
Vajza kishte shtangur.
-Ku ma di emrin?! As më ke pyetur dhe as ta kam thënë ndonjëherë emrin.
Ai e vështronte me një ndjenjë ngazëllimi të përzier me mall, ankth dhe pendim…
-Unë jam Inajeti…A më mban mend? Unë dhe jot ëmë…kemi jetuar bashkë për disa vite në Gjenova të Italisë… Ti ishte fare e vogël…A të kujtohet!?…
Vajza u ndie në një situatë flu, mes një hareje të përmbajtur dhe një habie që iu ndez si një llambushkë në sytë e saj të bukur e të trazuar, me bisht.

Si ka mundësi?! Ky të jetë ai burri i ëmbël dhe i dashur, që e mbulonte atë me dhurata e me të cilin qe lidhur mamaja e saj e dashur dhe që qe zhdukur befas nga jeta e saj, rrethuar me heshtje e mister?!

Atij, gjithçka iu soll në mendje me shpejtësi.
Kur pati takuar të ëmën e Emës, kjo e fundit ishte një vogëlushe e bukur topolake gjithë shend e verë. Marjana e mbante gjithmonë me vete, kudo që shkonte, bile edhe në takimet e tyre erotike, ku i blinte ndonjë kukull dhe e vogla harrohej në lojëra të befta, ndërkohë që ata kryenin atë ritin e vjetër të botës, që nga koha e Adamit dhe Evës…

Ajo sapo ishte ndarë nga bashkëshorti, që pati qëlluar një pijanec dhe një lloj Don Zhuani, që harxhonte gjithë rrogën pas gotës e pas fustaneve dhe ajo ndihej mjaft e vetmuar. Për më tepër, e pa punë dhe e pa përkrahje, i duhej të rriste atë fëmijë, që mezi e kishte mbajtur, duke iu përgjëruar gjykatësit, i cili pati vënë dorën në zemër dhe ia pati dhënë ta mbante asaj, edhe pse kushtet e saj ekonomike ishin të rrënuara dhe pa asnjë perspektivë.

Në këto rrethana, njohja e tyre qe e beftë dhe në një kopsht publik rrethuar me lule, pemë, bimë dekorative dhe shatërvanë. Në skaj ndodhej një kafene e vogël dhe e bukur, ku kumbonte një muzikë e ëmbël.

Ajo po pinte kafe, ndërkohë që e bija vogëlushe po luante në lisharës, kur befas qe shkëputur nga loja lëkundëse dhe pati vrapuar drejt rrugës me dy korsi ku makinat kalonin me shpejtësi skëterre. Ajo pati brofur e trembur pas saj, por ai e qe treguar më i shpejtë, e kishte kapur vogëlushen fluturimthi me duart e tij të mëdha e të argasura nga puna dhe e kishte çuar pranë të ëmës.

Kështu ndodhi që u njohën dhe njohja kaloi në miqësi e nga miqësia në dashuri.
Ata u lidhën shumë me njëri-tjetrin dhe pas një viti nisën të bashkëjetonin, por për shkak të jetës së vështirë, ai, falë disa miqve, gjeti tre viza, për vete, për atë dhe të bijën e vogël dhe vajtën të tre në Itali, ku qëndruan në qytetin magjik, Gjenova. 

Ishin kohë të bukura.
Vogëlushja e tyre po rritej e hidhte shtat dhe çdo ditë bëhej më e bukur dhe më e dëlirë. Ai gazmohej sikur të ishte bija e tij. E donte me pasion dhe nuk kursente asgjë, që ajo të rritej mes të mirave dhe të kishte gjithçka që i nevojitet një fëmije për të qenë e lumtur.

Ftohja e tyre ndodhi për shkak të disa ndërhyrjeve familjare nga ana e dy motrave të saj, që nuk e linin rehat. Vinin me radhë në shtëpinë e tyre e rrinin me muaj të tërë dhe sikur të mos mjaftonte kjo e nxisnin të motrën kundër tij…

Dhe ndodhi ndarja ose më saktë ikja e tij. Iku një ditë pa dhënë asnjë shpjegim duke lënë pas sytë e trazuar të Emës…
Ema dukej e mallëngjyer dhe disa sumbulla loti i rrëshqitën nga sytë dhe i ranë në mjekër…Ai solli nëpër mend gjithë këtë histori, pjesë të së cilës ia rrëfeu dhe Emës, duke u kujdesur të mos e prekte në gjëra intime, që mund të lëndonin… U ngrit dhe e përqafoi me mall sikur të ishte vërtetë i ati, pasi në kujtesën e saj imazhi i tij kishte mbetur i gjallë dhe rrethuar me një aureolë mirësie…

Taksisti u ngrit, bëri gati taksinë dhe vazhduan rrugën, por tani midis tyre frynte një fllad i ëmbël fisnikërie dhe mirëkuptimi që i bënte aq të afërt për njëri-tjetrin.
Ai nuk e ndali taksinë ku e ndalte gjithmonë dhe ku ajo zbriste zakonisht.
-Nuk po e ndal taksinë?!
-Jo, do të çoj gjer te dera e të dashurit tënd…
-Ku e di ti derën e tij?!
-E di…e di…
E çoi deri te dera dhe nuk u ndanë. Ai po priste që të dilte i dashuri i saj por ajo ngurronte, duke i thënë që të ikte, por ai nuk lëvizte nga vendi.
Dhe…ja doli i dashuri i saj dhe…ai nuk pati gabuar…E kishte ditur gjithmonë në sajë të një parandjenje të bukur…
I dashuri ishte Dori, nipi i tij, i cili kur e pa iu hodh në qafë, para se të takonte të dashurën…
-Ta solla, -i tha ai. -Është një vajzë e mrekullueshme dhe keni gjetur njëri-tjetrin. Dasmën do ta bëjmë të madhe, që të tunden këto kodra të buta nga kënga vallja, vera, rakia, gazi e hareja…
Gjithçka rrodhi shpejt dhe me një përpikëri logaritmike, harmonike gjer në përsosmëri.
Pas tre ditësh, në një lokal të vogël në periferi të asaj lagjeje të vjetër tiranase, po drekonin katër vetë: taksisti, nipi i tij, Ema dhe e ëma.
Një erë pranverore frynte jashtë e depërtonte brenda në lokal, si një puhi flladitëse, çlodhëse e argëtuese, duke sjellë kudo përreth frymën e të kaluarës dhe imazhet e një të ardhmeje me njëri-tjetrin së bashku… 
Sigal