Suplementi Pena Shqiptare/ Haxhi Dikolli: Poeti i dridhmave të zemrës

542
Sigal

Haxhi Dikolli ka punuar si ushtarak i Forcave të Armatosura nga viti 1983 e deri në vitin 2005. Aktivitetin e tij krijues e ka filluar qysh në shkollën e mesme, duke u paraqitur me botime periodike në shtypin e kohës. Më vonë me rritjen e pjekurisë krijuese del para lexuesve së pari me librin me poezi  “U putha me perëndinë” dhe me pas me librin “S’të them dot lamtumirë”. Poezia e tij është mjaft e vlerësuar për thjeshtësinë dhe mendimin që përcjell. Ashtu sikurse në parathënien e librit nënvizon Pr. Sulejman Mato: “Haxhi Dikolli i kthen çastet poetike në mendime, kthen drithmat e zemrës në shkronja, hedh në efir figura rrezëllitëse për ata që e shijojnë poezinë.” Aktualisht po përgatitet për të dalë para lexuesve me një botim të ri me poezi.

Atëherë  s’jam unë…!

Hyrë në buzët e mia që digjen

në mishin tim hyrë, në damarë

siç hyn e rrjedh gjaku në zemër,

bëhu “mikrob”, hyrë në kapilarë.

 

Hyrë në ëndrrën time që nuk fle,

hyrë në shpirtin tim që të pret,

hyrë nga qielli, hyrë si një yll,

nga sytë hyrë, gjej aty një shteg.

 

Në mos gjetsh nga të hysh vërtet,

në mos gjetsh, një shteg a një udhë,

të tëra udhët nga yjet der thellë në det,

nëse janë zënë, siç ndodh në jetë?

 

Atëherë, paska qenë e vërtetë…

… ky që po të shkruan, s’jam unë!

 

 

Brishtësi

Hëna, varur qiellit si monedhë,

Ti në pritje

Oh, sa psherëtin!

Pastaj nis gjer larg, sa shikon syri,

Një shikim të ftohtë si pelegrin.

 

Mos u vono sonte si çdo natë

Zemëraku im, i prapi im, i prapë!

 

 

metabolizëm “cinik”

Tani

ti je bërë si erë,

si frymë je bërë,

vjen edhe më hyn në gjoks,

e nga çdo anë.

 

Po të mos jesh ti,

Unë, s’kam se si të jem,

se s’ka si të më ndodhë,

metabolizmi në damarë.

 

Tani,

ti je bërë si oksigjen për mua,

të ndjej çdo çast,

në çdo qelizë.

 

Eh!

Po e kam inatin me këtë

metabolizmin “cinik”,

që u kujtua të më verë rregulla

Tani

që jam me thinja?

Apologjia e Odisesë

S’mbeti ishull ku s’kam shkelur,

pas dhjetë vite, luftëra e dete,

lavde më thurnin në mbrëmje,

kur gdhihej, s’njihja veten.

 

Më veshën mëndafsh e ar,

më pyetën: Ç’ishte bota tjetër?

Ç’ka mbas deteve të zinj

nga vija unë – ka burrë tjetër?

 

Verë e mjaltë më ofruan,

ca të virgjëra magjistare,

m’u lutën kur u mësuan,

-Bëju tek ne zot i grave!

 

Ja ku jam princeshë e lartë,

o e shtrenjta Penelopë,

s’kam mëkate mbi lëkurë,

mi djegtë këmbët kjo tokë!

 

– Ajo Çirçja me sirenat,

s’të mashtroi ndonjë natë?

– Ish magji, më vrafshin zotat,

prandaj nuk e quaj mëkat!

 

-Po pse s’vdiqe thellë në dete,

bashkë me miqtë e tu të ndjerë?

– Do zemëroja Perënditë,

po kam dashur, herë – herë!

 

-Për pëlhurën që kam endur,

ke dëgjuar nga kalove?

-M’i zinin veshët me dyllë;

O princeshë, pse u lodhe?

Nga ty më vijnë që të gjitha

Nga ty më vijnë, që të gjitha
lodhjet, mërzitjet dhe mëritë.
nga ty më vjen dhe vetë frika,
nga ty dhe vdekja, do më vijë.

 

Dimrat e ftohtë, akull në verë
dhe ato buzët, zjarr përflakur,
veç ti m’i le shpesh mbi lëkurë
shenja e thua:- “Krejt pa dashur!”

 

Edhe infarkti i parakohshëm,
Në do më bjerë, pik në zemër,
Prej teje m’vjen si një “peshqesh”
A si dhuratë, bërë nga një femër.

 

Kallot në këmbë, që s’mu shëruan
Në kaq e kaq vite, prej vrapit
Nga ty i kam, si çdo gjë tjetër
Jo nga këpucët “shik”, të gabit

 

Nga ty më vijnë dhe çuditë
Që nuk besohen aq kollaj.
Shkurti i brishtë, pa një ditë,
Muza e mjaltit, që bën art.

 

Dhe ajri lagësht i Nëntorit,
Më ve në gjumë si narkozë,
Po ti më jep veç një të puthur,
E ma sjell Botën, mu në dorë !

Nga ty, nga ty, më vijnë të gjitha
E kur si kam, mërzitem shumë
E ç’mund të ishte pa ty jeta
T’mos jesh ti, ç’mund të jem unë ?

Për pak buzëqeshje

Haxhi Dikolli

 

Nxori mbreti një dekret:

– Do të bëj kafshët synet!

 

Drejt me thënë, i zu paniku,

Prandaj dhe kush mundi, iku.

 

Ecën me vrap e shan ariu:

– Mirë ne, po ҫ’mut do miu?!

 

Ëndërrim

Ëndërronte një gomar,

Një lëndinë, plot me bar.

 

Edhe ca më shumë i shkreti,

Sikur ishte, bir prej mbreti.

 

Vjen i zoti, e i vë samar

Ti kujtojë, që është veҫ gomar.

 

Miqësia

I thotë qeni zotërisë:

– Kemi një pyetje si fis:

 

Jemi miq, besojmë vërtet,

po zinxhirin, kush s’na i heq?

 

Zotëria, gjegjet vrik,

pa zinxhir, s’do ishim miq !

 

Caraca

Bërtet Tomi nga tarraca

çuna, qenka plot caraca

– Mirë o mirë, ia kthen Beni

shiko mirë, ku është qeni ?!

 

Kot s’thonë…!

Zbret nga stani, cjapi gri

në qytet ka blerë shtëpi

E pyet fqinji: – Pse le stanë?

– Nuk duroja dot çobanë.

Mirë se erdhe pra, o cjap!

S’jam çoban, jam thjesht kasap.

 

Rritja

(Fabul)

Dy derrkucët, ju kujtoj

Ata, me feçkën njësoj

Tash janë rritur, si nxë dera

S’janë me gica, janë bërë derra

 

Dasmë

Dasmë e madhe këtë vjeshtë

Po martohet zonja breshkë

S’po ju tregoj ç’ndodh më pas

Kemi kohë, avash avash!

 

Rregull për luanë

Një luan që thoshte jam mbret

nxori njoftimin në gazetë.

Veçmas lajm për çdo luan,

që bën emër në savanë.

Do thërresim një kongres,

të bëjmë ligje, ves për ves.

Zebrat e kafshët e tjera

s’do ti hamë më si ngaherë.

S’është mirë, të hash një tjetër,

pa e shkruar, më parë në letër!

Një luan me krifë të artë,

tha dy fjalë në deklaratë:

– Ku është parë në savanë,

të ketë rregull për luanë!?

 

(Pa)Siguria

– Pse nuk zbret nga dega ti?

I thotë dhelpra ketrit gri,

-Tani jemi aleatë,

në një pakt – organizatë!

 

-Më kujtohet – i thotë ketri,

një fjalë që thoshin të vjetrit:

– Bëni miq, kafshë të tjera

veç, mos u largoni nga dega !

 

Gjuha e huaj

Shkon maçoku në shkollë nate

i thotë macja: – burrë ç’pate?

Ç’do mësosh në këtë moshë

thinjur krejt mjekër e kokë?!

-Gjuhë të huaj zemra ime,

që ta nxjerr miun prej vrime!