Suplementi Pena Shqiptare/ Hasan Gremi: Migjeni në realitetin e sotëm shqiptar…

1322
Sigal

Ese

Në tërë yllësinë e letërsisë mbarëshqiptare ka edhe meteorë me shkëlqim komete, siç është Migjeni ynë i Madh, i cili ridimensionohet në çdo kohë, sepse në qendër të krijimtarisë së tij trajtoi probleme madhore që mbeten aktuale për çdo periudhë të shoqërisë sonë dhe, me kodin e tij poetik e pasuroi letërsinë shqipe me vlera të reja në pasqyrimin artistik. Prandaj edhe në këtë 80-vjetor të vdekjes ai vjen si përherë i rizgjuar e me mendime të freskëta e gjigante në truallin mbarëshqiptar. Ky poet është një gjeni i letrave shqipe dhe, që t’i afrohesh thelbit migjenian, është diçka gati e pamundshme, si diçka titanike, sepse ai zotëroi hierarkinë e vlerave të mëdha ideore të kohës dhe me dorë mjeshtërore i veshi ato me shkëlqim të ri artistik, si në poezi, ashtu dhe në prozë. Me syrin e një vëzhguesi të hollë e me ndjeshmëri njerëzore të thellë, ai dha peizazhin shpirtëror të kohës së vet, të cilin e derdhi atë epokë në vargje bronci që mbetën monumentale në rrugën e zhvillimit shoqëror dhe letrar. Askush si Migjeni, në letërsinë shqipe dhe rrallë herë në letërsinë ballkanike apo dhe në në atë botërore, nuk e ka goditur me aq forcë nëpërmjet sarkazmës therëse, mjerimin, që po rritej i tejskajshëm në shoqërinë shqiptare të asaj kohe, deri në atë shkallë, sa njeriu po humbiste trajtat njerëzore dhe po kthehej në një qenie e mistershme. Në këtë realitet kaq të rëndë , e ngjeu penën poeti, për të dhënë drithërimat që përjetonte, bashkë me njerëzit e thjeshtë, atë dhembje të madhe e të llahtarshme. Nën efektin e groteskut, që ndërtoi me mjeshtëri artistike, dha skena tepër rrëqethëse, të jetës së përditshme dhe, me larminë e dritëhijeve që krijojnë figurat artistike nëpër vargje apo në prozë, vizatoi portrete njerëzish realë, me sy të mbërthyer nga trishtimi, të shpërfytyruar nga skamja e rëndë. Në këtë pamje kaq të kobshme dhe të dhembshme, jo vetëm që e bëri të dukshëm këtë anë të errët të jetës, por edhe kryqëzoi shkaktarin e kësaj plage të thellë e të madhe, rendin sundues të asaj kohe që qeveriste me hipokritët e servilët e tij, të cilët po shkatërronin moralin në tërësi të shoqërisë dhe mjerimi po merrte jetë fëmijësh të pafajshëm dhe moralin e femrës shqiptare. Për këtë realitet të kobshëm e të padurueshëm që po i merrte frymën kombit, poeti klithi me tërë forcën e shpirtit në kryeveprën e tij “Poema e mjerimit” , ku ai shpalos me ngjyrim të fortë emocional hendekun e pabarazisë shoqërore dhe karakterin çnjerëzor të klasës në fuqi, së cilës i çori maskën, që të bëhej e dukshme e vërteta dhe të ndërgjegjësoheshin njerëzit e thjeshtë për shkaktarin e vërtetë të kësaj tragjedie të rëndë shoqërore, ku gruas i hiqej e drejta për të qenë nënë, e ndërsa nëna s’ kishte me se t’i rriste fëmijët. Malësorja shiste nderin bashkë me qymyrin. Luli i vocërr shkonte zbathur , i veshur keq e i pangrënë, mes dimrit te acartë, por me një dëshirë që ia ngrohte shpirtin, të merrte dije e ta ndryshonte atë gjendje të mjerueshme. E kush më fortë se Migjeni ngriti zërin dhe dha me ndjeshmëri dhembjen njerëzore në këto vargje monumentale, me efekt të fuqishëm të hiperbolës , të groteskut e urrejtjes së papërmbajtshme, dha këtë tablo të dramës së rëndë në jetën e njerëzve të thjeshtë që jetonin zhytur në një mjerim të thellë tërë jetën, deri në vdekje?! E japin të qartë vargjet:

“Kafshatë që s’ kapërdihet asht, or vlla mjerimi,

kafshatë që të mbet në fyt dhe të zë trishtimi,

kur shef figura të zbehta dhe sy të jeshilta,

që të shikojnë si hije dhe shtrijnë duert’ e mpita

edhe ashtu të mpita mbrapa teje mbesin

të tanë jetën e vet, deri sa të vdesin…

Dhe poeti e mpreh mirë artistikisht ironinë therëse të antitezës, kur jep pamjen e tragjedisë së rëndë të jetës së njerëzve të thjeshtë, në antitezë me zotërinjtë që jetojnë të lumtur në shkëlqimin e luksit, e vizaton qartë vargu: “që flejnë në shretënt e lumnisë…” Poeti është biri i kësaj toke klasike malesh dhe mali në krijimet e tij, nuk është me atë hijeshi mahnitëse, me ujëvarat e ylberuara mes gjelbërimit të magjishëm, nuk është vendi i eposit të kreshnikëve të paepur që ndesheshin me rrufetë dhe i ëndrrave të bukura, por poeti në fjalë, përtej mitit shqiptar për malin, qe i pari që e çmitizoi atë duke e tjetërsuar në një metaforë me flakërim të fuqishme, për ta dhënë malin si një hierarki sunduese të pamëshirshme ndaj njerëzve, zotërues, urdhër vënës i pakundërshtueshëm, e kthen atë në një iluzion të turpshëm që i gllabëron vendit realitetin e tij të kohës duke e kthyer atë në një dramë të rëndë çnjerëzore për jetën e tyre. Kjo gjendje e padurueshme e bën poetin që t’i shpërthejë fuqishëm nga thellësitë e shpirtit human, thirrja apostrofike: “Si nuk kam një grusht të fortë…” këtu ai flet për një grusht shpirtëror ndaj së keqes shekullore që kishte gllabëruar tmerrësisht shpirtin e shtresës së thjeshtë e cila dukej gati e pathyeshme në atë ngërthim të tmerrshëm e të gjithanshëm që i kishte bërë jetës. A nuk gjejmë edhe sot këtë mal migjenian të korrupsionit me përmasa gjigante që ka shtrirë tentakulat në tërë jetën e shqiptarëve? …“grusht ndaj malit që s’ bzan”… është politizimi absurd për të përçarë shqiptarët, që të mos jenë të vëmendshëm ndaj jetës së tyre të rëndë , por të jenë në shërbim të militantizmit partiak…”. mali që s’ bzan” është kriminalizimi i realitetit tonë, ku krimi lëviz lirshëm kudo dhe merr jetë njerëzish si pa të keq, “… mali që s’ bzan” është braktisja e tokës mëmë që nuk i mban bijtë e vet, të cilët enden nëpër botë për një jetë më të mirë. Dhe Migjeni vjen i rizgjuar në kohën tonë me idetë e tij të mëdha si mund të shpëtohet nga kjo gangrenë që ka mbërthyer kombin. Edhe në skicat, dhe tregimet autori sjell skena reale të jetës së përditshme të moralit dhe të ekonomisë, nga të dyja shtresat antagoniste shoqërore të kohës së tij, të marra nga jeta e përditshme, ku përmes simbolit dhe alegorisë, ai nuk la jashtë vëmendjes edhe problematikën filozofike të cilën e shtjellon deri në shkallën e ironisë ku ai portretizoi dallueshëm në skicën: “Sokrat i vuejtun, – apo derr i kënaqun?” duke vënë ballë për ballë dy botë, në njërën anë atë të virtytit, vlerat që formojnë moralin e shoqërisë, dhe në tjetrën atë të poshtërsisë që drejtohej nga interesa egoiste dhe të ulëta të mishëruara alegorikisht te një derr. Duket sikur filozofët e ekzistencializmit; Hajdeger, Hyserli dhe Sarti konkurrojnë në shkrimin e këtij teksti migjenian. Migjeni me një inteligjencë të mahnitshme beson te utopia, fitoren e së e së resë mbi botën e mykur patriarkale dhe mediokriteti të neveritshëm. Prandaj edhe nuk harron të tundë edhe flamujt e besimit për të ardhmen , e cila kërkon ndryshimin e kësaj bote të perënduar, dhe për këtë ndryshim ka besim te rinia, te energjitë e saj të pashtershme dhe te mendimi bashkëkohor që ajo duhet të përqafojë, se e ardhmja i takon asaj…!!!