Suplementi Pena Shqiptare/ Haki Stërmilli: Sikur të isha djalë

1036
(fragment)
13 mars
…më veshën me një çarçaf të zi dhe më vunë në fytyrë një pece të zezë e të trashë. Atë natë. Atë natë e laga jastëkun me lotët që derdha. Kisha të drejtë të qaj, pse më kishin ndamë nga shoqet, më kishin larguar nga sheshi i lojnave zbavitëse, më kishin futë nën zgjedhën e padurueshme të njerkës, dhe, ma në fund, më kishin dënuar të mbetem gjysmake dhe e robëruar përjetë. Atë natë, si dhe net të tjera, pashë në ëndërr sikur e kisha fituar prapë lirinë dhe sikur kisha hymë në shkollë. Më bahej sikur bridhsha poshtë e përpjetë, pa çarçaf, duke luajtur me shoqet e mija në oborr të shkollës.
E shkreta unë! Sa e shëmtuar m’u duk vetja kur pashë se isha futë brenda atij thesi të zi. Më ngjante vetja plotësisht si sorrë e zezë, por pak e gjatë. Isha bamë si ndonjë gogol për t’u futë tmerrin të vegjëlve. Po, sigurisht një foshnjë do të tmerrohesh, po të më shihte papandehur. Mirë po kështu donte zakoni, kështu urdhëronte feja, kështu dëshironte njerka dhe im atë.
Ajo që s’munda me kuptue atëherë dhe që ende nuk e kam kuptua, cili asht shkaku i vërtetë i mbulesës. Çfarë shërbimi e çfarë dobie na siguronte çarçafi? Po të më bënte ndokush këtë pyetje, kur isha e vogël, sigurisht, do të përgjigjesha tue thanë se çarçafi na i ruen rrobet nga pluhuri e nga balta e shumtë që kanë rrugët tona. Por kurrë nuk do të thosha se duhet me ruejtë nderin e femrës.
Çarçafi qenka prita, pengesa, mburoja e nderit? Çudi dhe çudi e madhe!…
14 mars
Po vazhdoj. Po ta ndjellësh urtë e butë zanën e kujtimeve ajo nuk vonon me të ardhur e me të marrë nën krahët e saj të artë e me të përkundë me dashuri në djepin e foshnjërisë. Vargu i ditëve të kaluar zgjon në shpirtin tim kujtime të përmallshme dhe përshtypje të çuditshme që më lanë vragë të pashlyeshme. Oh, sa do të kënaqesha tue i përshkrue këto kujtime sikur të gjitha të ishin të ëmbla e të mira, por mjerisht ato janë ma se të idhta dhe pezmatuese. Megjithëkëtë lypsen shkrue. Po, duhen shkrue, se janë prona ime, se ashtu plotësohet ditari i jetës sime. Atëherë le të vazhdojmë:
Mbas një jave që qeshë mbuluar, shkova ke hallë Hatixhja për të bujtë disa net. Meqenëse nuk isha mësue me ecë symbyllazi, rrugës qeshë duke e thye qafën dy-tri herë. O sa qeshën gocat e hallës kur më panë më çarçaf! U shkëlyen gazit, pse menjë anë nuk më njofton dhe me anë tjetër u habitën, se nuk e kishin paramendua se mund të më shifshin të mbuluese në atë moshë aq të njomë. Kishin të drejtë të mos më njohin, pse unë isha bamun tamam për të marrë pjesë në një “Bal masque”. Samiun, djali i madh i hallës, tue më shikue çuditshëm, tha:
– Qenke bamë si ata që dalin në karnaval!
-Uh, mashalla të qoftë, moj bijë! Qenke bamë gjallë jot amë. Sa hije të paska se!…- tha halla tue më marrë në grykë dhe tue më puthë.
Unë me të vështirë i mbaja lotët që donin me shpërthye, pse, megjithëqë ende e njomë, e kuptoja se nuk mund të kenë bukuri verigat e robërisë.
Mamë Gjystina dhe Irena më uruan fat të mirë. Më thanë se çarçafi më kish dhanë një hije të rëndë. Më shikuan zymtas. E kuptofsha se ato ndjejshin dhimbje për muetë gjorën që e humba lirinë, por mundoheshin mos me e shfaqë dhimsuninë që të mos ma thyenin zemrën.
-Pse nuk e grise, moj, atë dreq çarçafi? –ia bani kushërini im Hamiti kur më pa. U nxe dhe një copë herë shfreu tue true kundër tim eti e kundër fanatizmës verbuese që po na shpie në greminë. 
Sigal