Suplementi Pena Shqiptare/ Hajredin Bej Cakrani firmëtari i pavarësisë

1156
Hajredin Cakrani (Cakran, 1860 – Petoshaj, ) ka qenë çifligar, ushtarak, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë. Lindi me 1860 në Cakran të Fierit, në një familje bejlerë me ndikim në Mallakastër e Myzeqe, vëllai i Bektash bej Cakranit. Pasi mbaroi shkollën fillore në vendlindje, shkollën e mesme e vazhdoi në Janinë dhe më pas, u diplomua në Universitetin e Stambollit. Pas diplomimit, Hajredini shërbeu si ushtarak në shumë vilajete të perandorisë turke, si në Janinë, Boleu e Stamboll, ku edhe u njoh me Ismail Qemalin, Mehmet pashë Dërrallën, Syrja bej Vlorën, Ferid Pashë Vlorën, Xhelal Koprenckën, Aziz pashë Vrionin, etj. Në vitin 1882, ai u takua në Stamboll me Sami Frashërin, Jani Vreton, Koto Hoxhin, Seit Toptanin, Pandeli Sotirin etj. Në vitin 1883, ai solli Abetaren e parë në Cakran dhe një sërë botimesh të tjera në shqip, të botuara në Bukuresht e Stamboll si: “Bagëti e Bujqësi”, “Lulet e Verës”, “Qerbelaja”, etj. Në vjeshtën e vitit 1908, në sarajet e familjes Cakrani, u hap shkolla e parë shqipe, me mësues Viskë Babatasi. Në vitin 1908, i ndodhur në garnizonin e Beratit, ai përkrahu lëvizjen e Turqve të rinj dhe mbështeti kandidaturën e Ismail Qemalit për deputet në parlamentin xhonturk. Në vitin 1911-’12, Hajredini mori pjesë në kryengritjen antiturke në Vlorë dhe Mallakastër. Në fillim të shekullit XX-të, u lidh ngushtë dhe bashkëpunoi me Mihal Gramenon, Thanas Floqin, Idriz Gurin e shumë të tjerë, të cilët ishin vënë në krye të forcave kryengritëse që luftonin për lirinë e Shqipërisë. Si një pjesëmarrës dhe komandant i batalionit ushtarak të Fierit dhe çetës kryengritëse të atdhetarëve cakraniotë, ai shkoi së bashku me ta në Vlorë, në shoqërim të Ismail Qemalit dhe u bë pjesë e shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjes së Flamurit, në 28 Nëntor të vitit 1912. Si delegat i Beratit dhe përfaqësues i Mallakastrës, Hajredin Cakrani firmosi aktin e shpalljes së Pavarësisë dhe në mbledhjen e parë, u zgjodh anëtar i Pleqësisë, në Kuvendin e Vlorës dhe u caktua këshilltar i Ministrit të Luftës për organizimin e ushtrisë. Me urdhër të Qeverisë së Ismail Qemalit, në vitin 1913-1914, ai ishte komandant i forcave që luftonin në zonën e Skraparit, për t’i prerë hovin ushtrisë shoviniste greke, që dogji e shkatërroi viset shqiptare. Shoqëroi Ministrin e Luftës, Mehmet Pashë Dërrallën, në frontin e luftimeve në Sevaster e Mallakastër dhe ishte delegat i Mallakastrës në Kongresin e Durrësit, në 25 dhjetor 1918, për formimin e Qeverisë së Re Shqiptare. Në vitin 1920, ishte një nga organizatorët e çetës së Cakranit, në Luftën e Vlorës kundër ushtrive italiane për çlirimin e saj dhe shoqëroi luftëtarët cakranjot, deri në frontin e luftimeve në Bestovë e Panaja. Ai vdiq në shtëpinë e tij në Petoshaj dhe u varros në teqenë ku kishin varret familjare dhe të parët e tij në Cakran.



Sigal