Suplementi Pena Shqiptare/ Gjin Musa: Ngjarje në poligon

679
Ajo ishte një ditë si gjithë të tjerat. Një ditë e mezit të shtatorit, me një diell që me kalimin e orëve fillonte e ngrohte më shumë. Në poligonin e qitjes në Farkë të Tiranës ishte një ditë e zakonshme qitjeje luftarake me granata dore. Qitje të tilla ishin normale dy herë në muaj dhe bënin pjesë në përgatitjen e rregullt luftarake të ushtarëve e kuadrove të regjimentit. Shefi i Armatimit të Regjimentit, oficeri Ndue Logu, drejtonte qitjen në poligon. Kishin filluar që në mëngjes, kur dielli sapo ishte ngritur mbi kreshtën e Malit të Dajtit dhe ngrohte me rrezet e tij atë luginë të ngushtë, të rrethuar me kodra të buta të pyllëzuara kryesisht me shqopë. Përmes kodrave, buzë një përroi të vogël, gjarpëronin transhetë luftarake, që i bënin të padukshëm ushtarët gjatë lëvizjeve në orët e stërvitjes. Ushtarët vinin njëri pas tjetrit në pozicionin nga ku do të hidhnin granatat e dorës në drejtim të objektivit të vendosur brenda një rrethi të bardhë. Synimi ishte për ta hedhur brenda atij rrethi, pasi kishte siguri më të plota preçizioni në asgjësimin e armikut. Granatat e vërteta luftarake shpërthenin me zhurmë e ushtarët uleshin në transhe për të mënjanuar rrezikun e goditjes nga ciflat vdekjeprurëse. Ndue Logu, i ndiqte ata me vëmendje, me përkujdesje, me seriozitet e rreptësi për zbatimin e rregullores dhe të kushteve të sigurimit në poligon. Ai kishte punuar për 25 vjet si pilot dhe si kuadër drejtues i regjimentit të helikopterëve në Farkë. Por, pas 25 vjetësh, gjatë një vizite mjekësore, mjeku i dha një lajm të papritur e të hidhur për të: Nuk duhej të fluturonte më. Nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar në gjendjen e tij shëndetësore në përgjithësi, por pas kaq vitesh në ajër, disa parametra fizike nuk janë më në lartësinë që kërkon një mision i tillë. E priti me hidhërim, por duhej të bindej. Kushtet e punës në aviacion e kërkonin edhe këtë. Kur doli jashtë në oborr, sytë vetvetiu i shkuan nga qielli, ku ai ishte mësuar të ngjitej sikur konkuronte me shqiponjat. E në mendje i erdhën fjalët e Leonardo Da Vinçit: “Njëherë ta keni provuar fluturimin dhe do të ecni tërë jetën me sytë në qiell”. Për të mos u ndarë nga regjimenti, kolegët e ushtarët , pranoi të mbulonte detyrën ushtarake që kryente tani. Ora po shkonte 11. Bulëza djerse fillonin të dukeshin në ballin e ushtarëve me uniformë, por edhe të komandantit të tyre. Dielli i shtatorit dhe uniforma e bënin punën e tyre. Ishte radha e një djaloshi 19-vjeçar, pak i ndrojtur nga natyra. Ishte i fundit që do të kryente qitjen. Ndueja i rrinte afër, instruksionet e këshillat e momentit, si për secilin. Shokët, të gjithë djem të rinj, 19 – 20 vjeçarë, ishin fare afër e ndiqnin me vëmendje shokun e tyre që do kryente qitjen. Ai, mori nga pozicioni i zjarrit granatën dhe ja hoqi sigurecën. Në fraksione sekonde duhej ta hidhte atë drejt objektivit armik. Por në momentin kur shtriu krahun për ta hedhur, një çast pasigurie, bëri që granata t’i shpëtonte nga dora e të binte në tokë. Në dorë i kishte mbetur vetëm sigureca. Djaloshi e humbi toruan dhe u zverdh në fytyrë. Momente paniku dramatik tek fytyrat e shokëve. Papritur vdekja ugurzezë ishte shfaqur mes tyre e mund t’ua merrte jetën nga një sekondë në tjetrin. Sytë e tmerruar të të gjithëve ishin drejtuar tek ai objekt në formën e një veze e pak më i madh se ajo, që mund të shpërthente në mijëra copa e t’i godiste për vdekje. Por, komandanti Ndue nuk e humbi gjakftohtësinë. Truri i tij punoi me shpejtësi marramendëse. Nuk mund të humbej qoftë edhe një fraksion sekonde. Jeta e atyre djemve 20-vjeçarë ishte në rrezik. Ai, si komandant, por edhe si prind, nuk mund ta lejonte këtë. Në shtëpi, kur kishte dalë në mëngjes, kishte lënë në gjumë dy vajzat e tij, ende të vogla, të cilat e prisnin me aq dashuri kur kthehej në darkë. Ata djem kishin prindër që i prisnin të ktheheshin shëndoshë e mirë nga shërbimi ushtarak e drithëroheshin për ta. Komandanti, me shpejtësi të rrufeshme kapi për krahu djaloshin e hutuar nga tmerri dhe e zhyti në transhe, duke e shmangur nga rreziku. Si një shqipe që hidhet pingul mbi gjarpërin, ai u hodh mbi granatën që ishte duke plasur. Me trupin e tij të lartë prej atleti zuri rrezen midis granatës dhe grupit të ushtarëve. Tentoi ta hidhte drejt objektivit, por granata plasi pa e marrë ende mirë rrugën. Një nga ciflat e mallkuara gjeti krahërorin e komandantit, duke çarë arterien kryesore të trupit të tij, aortën. Ai ra përdhe thuajse pa ndjenja. Gjaku filloi të vërshonte mbi uniformë që nga krahërori. Ushtarët, që i kishin shpëtuar rrezikut, u mblodhën të tërë rreth trupit të Komandantit. Ai, si nëpër gjumë, i hapi sytë me mundim, u hodhi një vështrim, ravijëzoi një buzëqeshje dhe mezi foli: Gjallë jeni të gjithë? E sytë e tij u mbyllën pa pritur përgjigjen…
Sigal