Suplementi Pena Shqiptare/ Gjet Ndoj: Pse e shkrova librin “ARKIVAT SHQIPTARE”

1022
Unë kam pasur fatin dhe privilegjin e madh të isha për tre vite në krye të Arkivave të Shtetit Shqiptar. E quaj fat, pasi Arkivat e Shtetit janë institucioni më unik nëpërmjet të cilit ne mund të përcaktojmë historinë tonë, si popull, si etni, si komb dhe si shtet, deri në ditët tona. Arkivat janë vendi nga ku mund të mësojmë shumë të vërteta. Vetëm në arkiva mund të përcaktohet qartë dhe me vërtetësi identiteti ynë etnik e kombëtar. Është privilegj të jesh në krye të arkivave, pasi ndryshe nga çdo qytetar, madje ndryshe nga çdo studiues sado skurpuloz dhe i palodhur qoftë, Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave ka mundësi (për shkak të detyrës), të kundrojë e të shikojë më shumë se kushdo tjetër rreth fondeve arkivore dhe të veprimtarisë së të gjithë sistemit arkivor të Republikës tonë. Duke qenë thellësisht i ndërgjegjshëm dhe i përgjegjshëm se këto fonde janë pjesë e pasurisë dhe e Trashëgimisë Historike e Kulturore të shqiptarëve, njëherësh pjesë e përjetshme e tyre, e ndjeva për detyrë që këto të vërteta që hedhin dritë mbi arkivat dhe fondet dokumentare, t’ia them publikut shqiptar e më gjerë. Duke u karakterizuar nga ndjesia e dashurisë për nacionalitetin tonë Arbnor-Shqiptar dhe përkatësinë evropiane të tij, si dhe duke u ndjerë borxhli ndaj shqiptarëve (pronarit të vërtetë të Arkivave), mendova dhe vendosa që kjo detyrë realizohej në mënyrën më të plotë të mundshme duke bërë këtë libër, titullin e të cilit e përcaktova: “ARKIVAT SHQIPTARE”.

Natyrisht është një sipërmarrje unike. Në lidhje me arkivat më parë janë shkruar disa libra me karakter metodologjik ku pasqyrohen më tepër standardet dhe metodika e punës dhe veprimtarisë arkivore në tërësi, sesa një këndvështrim studimor për Arkivat (Rrjetin Arkivor Kombëtar) dhe fondet dokumentare që ruhen në to. Në këtë kuptim , këto libra e broshura më tepër u shërbejnë specialistëve – arkivistë në punën e tyre sesa studiuesve dhe aq më shumë publikut të gjerë.

Libri strukturohet në tri pjesë, duke përfshirë gjithsej 22 kapituj.
– Në pjesën e parë, është trajtuar koncepti institucional e shkencor i arkivave, rrjeti arkivor në Republikën e Shqipërisë dhe fondet dokumentare që ruhen, përpunohen dhe shërbehen, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave si institucion kryesor në këtë rrjet, Arkivi Qendror i Shtetit, Arkivat Shtetërore vendore, Arkivat e Sistemit, Arkivat që ruajnë dokumente të së njëjtës tipologji, arkivat private, hapja e arkivave për studiuesit dhe qytetarët, etj.
– Në pjesën e dytë, janë trajtuar shkurtimisht Arkivat shqiptare jashtë republikës së Shqipërisë, ku arkivat e Kosovës zënë pjesën kryesore, më shkurt trajtohen arkivat e Maqedonisë dhe të Malit të Zi, fondet dokumentare që ruhen dhe shërbehen prej tyre etj.
– Në pjesën e tretë, gjendet e shtjelluar problematika dhe prioritetet që identifikuam e u përpoqëm të përmbushnim me stafin e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave, por dhe me të gjithë stafet e tjera të institucioneve arkivore në vendin tonë. Kam bindjen se lexuesi kur të njihet me përmbajtjen e kësaj pjese “Tre vjet në krye të arkivave”,do të kuptojë se nuk është thjeshtë një raportim mbi punën që unë me stafet arkivore kryem për tre vite, por duke raportuar përmbushjen sa mundëm të misionit tonë, mësohet dhe hidhet dritë mbi shumë problematika të veprimtarisë arkivore në Shqipëri që kanë karakter të përgjithshëm dhe janë tepër të rëndësishme.


Sigal