Suplementi Pena Shqiptare/ Gjergj Gjergji: Fragmente nga At Gjergj Fishta

1513
Lahuta e Malësisë
Fragmente

(Tek Epika shohim të skalitura si postulate pjesë të historisë së vërtetë të Shqipërisë, të miqve e të armiqve të saj) 
Shënim i (GJ.Gj.)
Por kush tha Zot’ Harushes s’Verit *
N’dorë tande a mbarë Europa
Dert mos ki per t’drejta t’njerit
Si t’duesh ndaje copa-copa?
Cili zot tha shkjaut: Merr drapnin
korr ku s’mbolle, mbjell n’arë t’hueja
Der ku t’duesh ti mate hapin
Shqiptaria asht n’duer tueja?
Bini Toskë ju n’pikë të vrapit
mos t’u ndalin mal as zall
Naim Frashëri i ra Qitapit
Mos me e lshue Shqipninë për të gjallë
Ju prej Dibret, prej Bishkashit
Çohi djelm si shqipe t’lehta
Ka gjimon asht topi i Knjazit
Për Shipni t’mos u dhimet jeta.
Ma mirë dekë nën dhe me u kja
Se me marre gjallë mbi dhè
Për dhè t’vet kush dekë ka rà
Ai s’ka vdekun, por ka lè.
*- Rusia


* * * *************
Një ligjërim në gojën e Marash Ucit tek Lahuta… mund të cilësohet si amanet i Fishtës për brezat, një “shkollë” e vërtetë edukimi, pse jo edhe për sot… 
(Shënim i Gj.GJ.)
Amanet un ‘jam t’u lanë,
Me ruejtë gjanë, me kqyrun sta’n,
Armet e mbushme mos me i dhanë,
Me shokë tuej kurr mos m’u xanë
Mos m’u xanë, as mos m’u nga
Pse n’ditë t’ngushtë këta u gjinden vlla
Si me pushkë ashtu me uha.
T’huejn me fjalë mos t’ a poshtnoni;
Bukën para, por t’ia shtroni
N’Shqiptari si a kenë zakoni,
Por me i besue, mos i besoni.
Edhe n’mend kinje nji fjalë:
Zemres s’frytë me i lanun dalë;
Fjalët për pajë kurr mos me i ndalë,
Ujit turbullt mos me i ra,
Mos me i dalun n’va t’pa va;
Me iu ruejtun shakës tërbueme,
Me iu ruejt , po, grues së lshueme;
Vendin tuej me dashtë prore,
Me ruejt besë, mos me çartë ndore.

* * *
Për dëshmorët në Letërsinë Shqipe zor se gjendet ndonjë poezi më e bukur e dinjitoze. 
(Shënim i Gj.Gj.)
…O ata t’lumtë që dhanë jetën,
O ata t’lumtë, që shkrinë veten,
derdhen gjakun tue luftue,
porsi t’Parët u pa’n punue!
Lehtë u kjoft mbi vorr ledina,
but u kjofshin moti e stina,
ak’lli, bora e serotina:
E der t’kndojnë në mal ndo i Zanë,
e der t’ketë n’det ujë e ranë,
der’ sa t’shndrisin diell e hanë,
ata kurr mos u harrojshin,
n’kangë e n’valle, por u kndojshin.
E njaj gjak qi kanë dikue,
ban, o Zot, qi t’jesë tue vlue
për m’ia nxe zemrën Shqiptarit,
për kah vendi e gjuha e t’Parit!


***********************
Tek satirat në “Anzat e Parnasit”, përveç tjerave nënvizojmë fuqinë profetike të mirfilltë si “Dredha e Djallit”, ku paralajmeron ardhjen e dreqit të kuq (komunizmit) në Shqipëri qysh më 1908, pra 9 vjet përpara se ai të triumfonte në Rusi, më 1917 (Shënim nga Gj.Gj.)