Suplementi Pena Shqiptare/ Gjergj Fishta, Homeri i kohëve moderne

1613
Poeti i madh Gjergj Fishta është një nga vazhduesit autentikë dhe të drejtpërdrejtë të Rilindjes Kombëtare, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e krijuara në shekullin e njëzet dhe kjo shprehet në mënyrë të dukshme edhe në mënyrat e pasqyrimit të jetës në krijimtarinë e tij, si vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi. Lindi në fshatin e vogël Fishtë të Zadrimës më 23 tetor 1871. Jetën e filloi si barì. Por shumë shpejt , kur ishte 6-vjeçar zgjuarsia e tij i bie në sy famulltarit të fshatit, i cili e dërgon Fishtën në Seminarin Françeskan të Shkodrës. Më 1880, kur hapet seminari në Troshan, ai vijon në këtë shkollë. Këtu ai shfaqi trillin poetik. Më 1886 dërgohet për studime në Bosnjë. Vitin e parë e kaloi në Guçjagorë afër Travanikut. Mësimet filozofike i mori në kuvendin e Sutidkës, ndërsa ato teologjike në kuvendin e Livnos. Të kësaj kohe janë edhe “Ushtrimet e para poetike”. Më 1893 i kreu studimet shkëlqyeshëm. I formuar në periudhën e Rilindjes sonë kombëtare, poeti ynë Gjergj Fishta është një nga vazhduesit më autentikë dhe të drejtpërdrejtë të saj, shprehës i idealeve atdhetare dhe demokratike në kushtet e reja që u krijuan në shekullin e njëzetë. Mënyrat e pasqyrimit të jetës, në krijimtarinë e tij, janë vazhdim i natyrshëm i teknikës letrare të Rilindjes, ku mbizotëron romantizmi, realizmi dhe klasicizmi. Deri më 1899 Fishta shkruan me alfabetin shqip të françeskanëve. Në janar të atij viti ai bëhet bashkëthemelues dhe pjesëtar aktiv i shoqërisë “Bashkimi”, të cilën e drejtoi poeti atdhetar Preng Doçi. Me alfabetin e kësaj shoqërie u botuan edhe krijimet e Fishtës të kësaj periudhe. Më 1902 emërohet drejtor i shkollës françeskane në Shkodër gjer atëherë e drejtuar nga klerikë të huaj. Menjëherë ai fut gjuhën shqipe si gjuhë mësimi në këtë shkollë. Arrin të botojë këngët e para të “Lahutës së Malësisë”, kryevepër e poezisë epike shqiptare, më 1904. Më 1907 boton përmbledhjen satirike “Anzat e Parnasit”, më 1909 përmbledhjen lirike “Pika voëset” më 1913 “Mrizi i Zanave”. Shpejt Fishta u afirmua si poet dhe si atdhetar. Më 1908 ai mori pjesë në Kongresin e Manastirit si përfaqësues i shoqërisë “Bashkimi”. U zgjodh Kryetar i Kongresit dhe drejtoi punën e Komisionit të Alfabetit. Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë ai e priti me entuziazëm të veçantë, por Luftën Ballkanike dhe Konferencën e Ambasadorëve me një brengë të madhe. Shkodra, qyteti i tij, të cilin kërkonte ta aneksonte Mali i Zi, ishte në duart e fuqive ndërkombëtare. Brenga dhe entuziazmi duken në poezitë, por edhe në shkrimet publicistike që boton në revistën “Hylli i dritës”, revistë letrare-kulturore, të cilën e themeloi në tetor 1913 dhe u bë drejtor i saj. Nën pushtimin austriak boton gazetën “Posta e Shypnisë” (1916-1917), më 1916 themelon, bashkë me Luigj Gurakuqin, Komisinë letrare që kishte për qëllim krijimin e gjuhës letrare kombëtare. Mbarimi i Luftës së Parë Botërore përkon me pjekurinë e plotë të personalitetit të Fishtës si poet, si intelektual, si politikan atdhetar. Nga fillimi i prillit 1919 dhe gjatë vitit 1920 është sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar në Konferencën e Paqes në Paris. Në dhjetor 1920 zgjidhet deputet i Shkodrës. Në prill 1921, në mbledhjen e parë të parlamentit shqiptar zgjidhet nënkryetar. Si nënkryetar i Parlamentit kreu veprimtari të dendura politike. Merr pjesë në Revolucionin e Qershorit 1924. Përndiqet pas rikthimit të Zogut në Shqipëri. Vitet 1925 e 1926 i kalon në Itali. Ndërkohë, krijon, boton e riboton pareshtur. Të kësaj kohe janë edhe pjesa më e madhe e dramave, dramave lirike, tragjedive etj. Pas kthimit në Shqipëri nis etapa e fundit e krijimtarisë së Fishtës. Kësaj etape i vë vulën përfundimi e botimi i plotë i “Lahutës së Malësisë”, (1937). Për veprimtarinë poetike, arsimore, atdhetare e fetare Gjergj Fishta mori nderime të ndryshme. Më 1931 Greqia i jep dekoratën “Foenix”. Më 1939 Italia e bën anëtar të Akademisë së saj.

Vdiq në Shkodër më 30 dhjetor 1940.
VEPRA
Poezinë e parë Fishta e botoi në “Albania”, më 1899, me pseudonimin E popullit. Gjatë veprimtarisë së dendur botuese, e cila, përveçse në librat u publikua edhe në 15 gazeta e revista të kohës brenda edhe jashtë vendit, veprimtaria e tij përfshin 40 vite të jetës, ai përdori 24 pseudonime. Si krijues Fishta, në radhë të parë ishte poet. Përkushtimin më të madh e pati ndaj epikës. “Lahuta e Malëcis”, veprës së jetës, ai i kushtoi 40 vjet punë. Ndërsa vepra tjetër epike “Moisi Golemi dhe Deli Cena” u botua jo plotësisht në shtypin periodik. Tonet e madhërishme heroike, burimësia e papërsëritshme e përfytyrimeve, shqiptarësia në dhënien e mjediseve, heronjve, rrethanave që kanë bërë që Fishta, si epik të quhej “Homer i Shqipërisë”. Ndërthurjet e ndryshme të mitologjisë me realitetin, ashpërsia e stilit , mendimi i fuqishëm filozofik, dramaticiteti i veprës kanë bërë që Fishta të krahasohet në këtë lëmë me Gëten e Danten.

Dëshmorëve
O ata t’lumtë, qi dhanë jetën, 
o ata t’lumtë, qi shkrinë vehten, 
qi për Mbret e vend të Parëve, 
qi për erz e nderë t’Shqiptarëve 
derdhën gjakun tue luftue, 
porsi t’Parët u pa’n punue! 
Lehtë u kjoftë mbi vorr ledina, 
but u kjofshin moti e stina, 
ak’lli, bora e serotina: 
e der’ t’ këndojë n’mal ndo’ i Zanë, 
e der’ t’ ketë n’ detë ujë e ranë, 
der’ sa t’shndërisin diellë e hanë, 
ata kurr mos u harrojshin, 
n’kangë e n’valle por u këndojshin. 
E njaj gjak, qi kanë dikue, 
ban, o Zot, qi t’jesë tue velue 
për m’ia xe zemrën Shqiptarit, 
për kah vendi e gjuha e t’Parit!
Lamtumire vendet e mija
Lamtumire vendet e mija, 
Që po m’zhdukeni dalngadalë 
Gjëmon Deti ushton duhija 
Lkundet varka vale mbi vale. 
Kah njaj Diell që asht tuj flakrue 
Andej fill un tash do t’veta 
Lamtumir atdhe i bekue 
Lamtumirë për sa të jetë jeta! 
Neser Nadja kur mbi ne, 
Rrezja e diellit ka me ra, 
Kush e di sa Ujë e Dhe, 
Mue prej teje ka me me më nda? 
Po ni pvetsha retë minore? 
Po në i pvetsha zogjt e detit? 
Veç për ty moj tokë arbnore, 
Ska me më fol kush ma mue t’shkeretit 
Kam me shkel në të tjera zalle 
Në të tjera brigje e të tjera Dete 
Kam me ndije të tjera gjuhë 
Në të tjera vënde e të tjera qytete… 
Vëndin tëm ma skam me pa… 
Ka me prit pra motër zeza 
Me i pru nanës në shpi ndonjë re, 
Po, kushedi, i vllau atëhera, 
Ku asht kah kalbet për nan dhe… 
Para Hyut naltohet lutja, 
O ju bjeshkët e shqiptarisë, 
Ku ndër ju s’dijmë, çka asht tuta! 
Veç në ju asht logu i burrënisë! 
Lamtumire ju mriza e stane! 
Lamtumire ju “shkurre e mreta”! 
Lamtumire ju o armt e t’parve 
Lamtumire për sa t’jetë jeta.
Sigal