Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Zilja:Bilbilenjtë

1327
Sipas këngëve dhe tregimeve gojore, në këtë çetë ishin 13 kaçakë, shumica nga Kurveleshi. E kishte marrë këtë emër se dy nga drejtuesit e saj quheshin Bil(r)bil: kryetari i çetës, Bilbil Sako, nga Rexhini i Kurveleshit dhe Bilbil Resuli, nga Progonati. Ka qenë një nga çetat më të fuqishme dhe të organizuara në Jugun e Shqipërisë. Ekzekutimi i tyre është bërë rreth viteve 1855-.Veç bilbilenjëve në atë kohë vepronin dhe kaçakë të tjerë si Shemo Kaso Brahimi (Hajduti), Numë(a)n Bala ngaTragjasi, Bejo Duka nga Gusmari i Kurveleshit, Hysen Labi, Beqo Bodurri etj.
Çeta e bilbilenjëve dhe shumë të tjera të ngjashme, zakonisht vepronin në kufijtë e ndarjeve territoriale të fshatrave ose krahinave. Nëse bënin një grabitje nga njera anë e kufirit kalonin në anën tjetër, ku nuk i zinte ligji ose anasjelltas. Sulmonin kryesisht karvanet e ushtrisë turke, tregtarët e pasur, duke u rrëmbyer mallin e gjënë e gjallë, shtëpitë e tyre, postat qeveritare që transportonin pagesat e administratës etj. Këto nuk kishin të bënin me çetat ose formacionet luftarake të kryengritësve, të shek. të XIX dhe fillim shekullit XX, të cilat luftuan kundër sundimit dhe reformave të perandorisë turke dhe shërbyen si pararendëse të Shpalljes së Pavarësisë. Çetat e kaçakëve përbëheshin kryesisht nga firarë (njerëz që kundërshtonin të shkonin nizamë), njerëz që kishin kryer vrasje për gjak ose çështje nderi etj. Duke sulmuar e vjedhur qeveritarët turq, karvanet e qeverisë, që lëviznin me mallin dhe florinjtë e grabitura nga taksat, ose sunduesit krahinorë, që silleshin keq me popullin e thjeshtë (raja(e)në), kaçakët gëzonin respekt në masat e gjera. Jo rrallë kaçakët e famshëm, duke përfshirë edhe bilbilenjtë, kur hapnin hazinetë (depot), ose sulmonin karvanet që transportonin pagesat e ushtrisë dhe të administratës, një pjesë të mallit e floririt, të grabitur ua shpërndanin fshatarëve. Në raste të veçanta u siguronin pajën, vajzave të familjeve të varfra. Këtyre bëmave por veçanërisht trimërisë që ata tregonin, në luftimet me koshadhet turke, populli qysh herët u ka ngritur këngë, duke i përjetësuar. O Birbil çe bëre mirë/që kur preve stambollinë/me grusht e ndave florinë ose: Birbilenjë more çapkënë/ s’latë belerë pa zënë/birbilenjë more firarë/s’latë belerë pa vrarë…. Seç briti Bilbil i shkretë/Burra të zgjidhim qesetë/ndajmë sadakanë vetë/kush na shtatë e kush na tetë/ kush sa hallin që ta ketë. 
Jeta e kaçakëve ishte e vështirë dhe fundi i tyre dihej dhe nga ata vetë: Trupi i varur në ndonjë degë rrapi, koka e shkëputur nga trupi, dhuratë për vezirin ose burgimi i përjetshëm në humbëtirat e perandorisë osmane: O ju te zesë kaçkënë(kaçakë)/ Ju kërkojnë e dot s’ju zënë/Shkurti ua prishi takëmnë/që hodhi borë të rëndë/mal’e fusha tre pëllëmë. Ky ishte terreni ku vepronin kaçakët. Muaj të tërë ata rrinin nëpër male, hone e shpella, duke pritur rastin e volitshëm. Ç’kanë malet që rëkojnë/ Zunë kaçakët e shkojnë/ O Birbil, Birbil Nivica/Siri it me shtatë çika/. Lufta, rreziqet, përballja me armikun, janë jeta e tyre e përditëshme. Ja si i përgjigjet ai nënës së shqetësuar: Dolli mëma në sufa’/O Birbil ç’janë ata/ Halldupë me dolloma/Lej moj nënë mos i nga/Se do shkoj u’ nëpër ta/t’i pres t’i bëj lakër/ Rri moj Sheko e bën pallë/ se ke pjellë e ke bër djalë. Përgjigja e Bilbil Sakos dhënë me këto vargje të kursyera që nuk lejojnë të shtosh apo të heqësh një ‘’pikë’’ të vetme, do të thotë: Po kjo është jeta ime moj nënë. Na doli prapë ‘’punë’’ sot, po s’është ndonjë gjë e madhe. Do t’i ujdis vetë halldupët, ashtu si kam bërë ngahera. 
Dhe kur bilbilenjtë i kapin: Birbil Sako çepekrënde/Vate haberi golëme/së gjorës nënës tënde/Birbil Sakua kur duall/në Rexhin shkon kaluar/me bezeliqe në duar/Birbil mos të tha jot ëmë/Djali im do të zënë/Mos u marrose moj nënë/Birbili kështu ka qenë.Vargje të tilla ashtu si tabllotë e famshme shijohen pafundësisht pa nxjerrë një fjalë nga goja. Në aksionin e fundit çeta, pasi bastisi kullat e një farë Xhelil Voshtina, në Voshtinë ( qytet në Thesali ) u vuri zjarrin. Sipas këngës ky i fundit u ankua deri në Stamboll te Sulltani. Vargjet thonë: Doli marsi ryri prilli/pse s’u dëgjua Bilbili/Në Janinë e m(b)an veziri/Ç’ke vezir që mban Bilbilë/ Për saraj’ që doq’ Voshtinë/Lanet paç Xhelil Voshtina/vare trembëdhjetë trima….
Dihej fundi i Bilbilit dhe bilbilenjëve. Do të ishte marrëzi të mendohej tjetër fund. Por ka fund e fund, ka vdekje e vdekje. Ky fund’ i bilbilenjëve e mund edhe vet vdekjen. Në këtë rast pamja përfytyrohet lehtësisht: mbi degët e rrepeve janë varur litarët që tunden nga era dhe pritet ekzekutimi i tyre. Po bilbilenjtë sedërqarë e krenarë, e kanë me nge sikur do të shkojnë në ndonjë dasmë apo zijafet: Bilbilenjtë trembëdhjetë/çi vanë litarit vetë/Veziri hapi fermanë/(n)greu Birbil të hedh litarë/Dale bej të dredh(sos) cingarë/se nuk jam çanaku me dhallë/ po jam Bilbili me pallë. Një sfidë të tillë vdekjes mund t’ia bëj një lab, një tosk, një gegë, një malësor, shkurt: një shqiptar kokëkrisur. Bilbil Sakua ka punë, Bilbil Sakua i thotë vdekjes: pritmë moj, se unë nuk e kam mbaruar (nuk e kam sosur) ci(n)garin. Në variantin më të përhapur, të këngës, ai është ende më i ngeshëm. Dale thotë, se po dredh cigaren, pastaj ta ndez, ta sos… Prisni ju halldupë madje edhe litari të presë, se unë jam burrë, jam një shqiptar dhe vdekjes i dola zot, që kur u bëra kaçak. Nga ana tjetër ata që ngelën gjallë: O Progonati me vulë/çu shtrove, çu bëre pulë/Tre pashallarë u çkulë/ Progonat vanë e u ngulë/çe bënë sa dolli ujë/për Birbilë e për Resulë. Ka një lloj revolte të rapsodit për progonatasit që i lanë vetëm kaçakët. Progonati ajo krahinë trimash, u bë pulë në rastin e bilbilenjëve nuk i mbrojti ata, përkundrazi. Gjithsesi fundi është i pashmangshëm: Bilbilenjtë trembëdhjetë/ vanë në litare vetë/ashtu lidhurë si deshtë/posi deshtë në kurban/ Lanet paç’ o kajmekam! Sigurisht që gruaja e Bilbilit është një gushëbardhë, një perri, një grua besnike. Të gjitha historitë e këtij lloji mbyllen me vajtimin e gruas, të nënës ose motrës sipas rastit dhe gjendjes. Qaj me lot moj gushëbardhë/se Bilbil Sakon e vranë/më zinxhirë e më litarë/Qaje, qaje, qaje mirë/se Bilbil Sakon e lidhë. Në vargun e parafundit tre herë përsëritet fjala ‘’qaje’’, si urdhër, si kuje, si humbje, si porosi dhe përjetësim. Pastaj: ‘’Qaj e qaj, e qaj me lot/Bilbil Sakon s’e gjen dot/Pa burra në radhë ka plot.’’!! Ky burrë, ky trim është i pashoq, meriton nder dhe respekt për bëmat dhe sfidën që i bëri vdekjes. 
Sigal