Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Llojdia: Kur Petro Marko kritikohej për tregimet, në vitin ’68

472
Sigal

Ata, që e kanë njohur Petro Markon kujtojnë peripecitë të mëdha që hasi shkrimtari, gjatë jetës së tij. Ferri i vet, u bë vetë krijimtaria e tij, që në të vërtetë godiste rëndë skematizmin realsocialist. Në një farë mënyre, talenti i tij iu kthye kundër. Petro Marko, shkrimtari antifashist e shqyrton vetë këtë gjendje në një vepër botuar pas viteve ’90: “Njerëz dhe gurë” Aty ai rrëfen se pikurish në këtë kohë rrethohet nga një vetmi e çuditshme pamje të parë, por te kjo ‘braktisje’ dhe kjo ftohje e shokëve ai arriti të gjente një arsye të thellë. Ajo mbërrinte nga dyert e rënda të Komitetit Qendror, madje atij edhe i kishin thënë: “Ta dish ti kush e pengon…, bëhej fjalë për të madhin fare….”. Shokët e vjetër ndërronin rrugë, dyert i mbylleshin para syve. E të mendosh kush ishte Petro Marko! Petrua ishte talent që në vargjet e para ka pasur frymëzimin e detit, të shkrirë me atë muzë poetike, atë gjë hyjnore, e cila mjisej, fryhej e kërkonte prej tij ta derdhte nëpër fletëzat e vogla, si valëzat e detit të ëmbël e të lehrë verës dhe harbut e dallgëshkumë në një dimër kokëfortë. Poeti dhe shkrimtari Petro, ishte antifashist,republikan, revolucionar, i ri ateist, megjithëse kishte lindur në një fshat të bregut si Dhërmiu me besim të krishterë. Por kjo cilësi e tillë e plotësonte karakterin e tij kryengritës dhe sfidat. Ai madje përdor satirën në shumë krijime, kur flet për religjionet. Kjo duket edhe në librin e tij, gjendet përshkrimi për murgjit brazilianë. Ai ishte një një krijues realist. Në të vërtetët figura e tij ka një lloj ndriçimi yllësor, ai vetë ishte i tillë e, tashmë ndriçon përjetësisht në planetin e letrave. Ai është udhërrëfyesi i poetëve dhe shkrimtarëve, duke përfaqësuar atë tip njeriu që sakrifikoi për artin e tij që u dënua për të mbrojtur dinjitetin artistik, bindjen e tij artistike për realizmin. Mirëpo a kishte pranga për të burgosur Petron? A kishte kurth që mund ta kapte zemrën e poetit. A kishte hekura për t’i lidhur ëndrrat e duart? Ndonëse dhimbshëm e lanë të presë, ndërsa drita nuk arrinte e ku poeti i robëruar nga ai realitet më mirë thotë, të vdesë. Po a vdesin poetët?!

2.

Në 28 prill 1968, në gazetën “Drita” botohet një shkrim dy kolonësh, ashiqare ishte një kritikë e hapur për botimin fundit të Petro Markos. I kuptueshëm shkrimi i autorit V. Q që thotë: “Cikli i tregimeve të Petro Markos, përmbledhur në «Urata, dhia dhe perëndia”, është një rrëfim i thjeshtë i autorit rreshton disa ngjarje të së kaluarës, kur priftërinjtë, të mbrojtur nga ligji dhe me «fjalën e shenjtë» të perëndisë në gojë, kryenin akte të pashembullta grabitjeje, mashtrimi, imoraliteti, spiunazhi etj. Nëpërmjet tyre, autori ka bërë përpjekje, të portretizoje klerin reaksionar para çlirimit të vendit, të përshkruajë trajtat e ndryshme të figurës se tij hipokrite dhe qesharake, si vegël e verbër e regjimit obskurantist të çifligarëve si vegël e bindur që është orvatur ta mbajë popullin në injorancë të plotë duke qenë edhe vetë mishërim i injorancës mesjetare.” Duke analizuar këto tregime autori thotë: “Nga ana tjetër autori është përpjekur të na tregojë se objekt i shfrytëzimit të tyre hipokrit, ka qenë populli i thjeshtë. Shkrimtari ka krijuar në tregimet e tij tablo të gjendjes së varfër e të pambrojtur të familjes fshatare në regjimin e rëndë feudo-borgjez, të zbrazësisë shpirtërore e të qëllimeve djallëzore e cinike të priftërinjve, që as vetë s’besonin, të bashkëpunimit të tyre me forcat e tjera reaksionare të vendit, për të luajtur mbi kurriz të fshatarit të gjitha llojet e dramave. Të gjitha tregimet, kanë në qendër të subjektit të tyre një prift, i cili shërben si strumbullar rreth të cilit vërtiten pastaj ngjarjet. Kështu në tregimin e parë: «Urata, dhia dhe perëndia”, është treguar se si mbi fatkeqësinë e një gruaje të varfër fshatare, të cilës i vdes burri, prifti i pamëshirshëm i fshatit vazhdon të lozë dramën e hidhur të grabitjes së ligjshme, dhe në këtë padrejtësi fillojnë luhatjet shpirtërore dhe zgjohet urrejtja e Lekës së vogël, djalit të vejushës. Autori ka përshkruar momentet psikologjike të luhatjeve të këtij djali të vogël, që nën influencën e ngjarjeve qysh në fëmijërinë e tij nis të zgjohet nga ajo letargji fetare, nga e cila s’ka mundur të zgjohet nëna e tij. Por ky nuk është një zgjim prej ateisti dhe as që mund të pretendojmë, që një fëmijë të na kthehet përnjëherë në ateist jashtë botëkuptimit të formuar në luftën e gjerë të klasave. Ky është embrioni i zgjimit, që nesër shoqëria do ta kthejë patjetër në një zgjim të ndërgjegjshëm revolucionar, si një njeri parazit në shoqëri (tregimi «Kusari»). Por atje ku autori është prirë nga karakteri anekdotik i rrëfimit të ndodhive dhe s’ia ka nënshtruar këto ndodhi një përpunimi të gjerë ideor, jeta ka mbetur në interpretim të ngushtë, dhe qëndrimi ndaj popullit ka dalë jo konsekuent. Të marrim tregimin «Shenjtorët e uritur». Në të autori rrëfen, si një çoban, i gënjyer nga prifti, arrin t’u shpjerë shenjtoreve në ikonat e një kishe, mish të pjekur, të cilin e hanë katër gjahtarë, sipas planit të kurdisur në bashkëpunim me uratën. Ç’përfaqëson çobani dhe ç’përfaqësojnë gjahtarët? Mendojmë, popullin. Shkallë të ndryshme të zhvillimit, natyrisht, ka pasur. Por edhe, në qofte se autori do të tregojë, se në ç’gjendje primitive ishte ndërgjegjja shoqërore te disa fshatare, ai duhet ta shihte këtë si shfaqje shoqërore që i ka rrënjët në sistemin obskurantist të çifliksahibinjve, të klerit reaksionar dhe jo ta tregonte si një fragment anekdotik. Duke iu referuar së kaluarës historike, shkrimtari Petro Marko tregoi se e njeh atë, por ai nuk ka mundur gjithmonë të na riprodhojë nga e kaluara tablo realiste të jetës së fshatit, të na zbulojë fizionominë shoqërore, morale dhe psikologjike të fshatarit shqiptar në të kaluarën. Ne do t’i kthejmë sytë nga e kaluara, do ta njohim atë, do të nxjerrim andej mësime, se përndryshe do të shkonim symbyllas përpara. Natyrisht letërsia jonë do t’i japë epërsi pasqyrimit të kohës, të kontradiktave të reja në gjirin e shoqërisë sonë socialiste, të zbulojë, p.sh., luftën kundër ideologjisë fetare, që është në ditët tona një shfaqje e luftës së klasave, por pa e injoruar pasqyrimin e së kaluarës.”

Autori i këtij shkrimi në gazetën “Drita” shkruan: “Nuk mund të biem dakord me pikëpamjen, që mohon trajtimin e kësaj teme lidhur me të kaluarën, të shprehur nga dy autorë rreth librit të mësipërm. Edhe një libër me temë nga e kaluara mund të jetë aktual në ditët tona dhe t’u përgjigjet kërkesave revolucionare të kohës”. Kishte një vit në Shqipëri, prej 6 shkurtit 1967, kishte filluar lufta kundër besimeve fetare. Tema që filluan të trajtojnë shumë autorë rrekte pikërisht subjektet e krijimeve temën mbi religjionet. Duke vijuar kritikën e tij autori shkruan: “Prej këtej na duket skematike dhe e padrejtë ankesa, që «autori nuk na jep gjë të kuptojmë se ç’duhet të bëjmë sot për të shkulur rrënjët e mbetura të ideologjisë fetare». Duke analizuar një tregim tjetër si thotë: “I përafërt me zhgënjimin dhe indinjatën, që zgjohet që në fëmini ndaj priftit është edhe tregimi «Urrejtje», ku Pavllua i vogël sheh me sytë e vet, se si prifti afetar i fshatit nuk është veç një kalorës i shenjtë i interesit dhe fitimit. Autori tregon gjithashtu nëpër faqet e tregimeve, viktimat e hipokrizisë makutërisë dhe poshtërsisë se klerit në fshatin shqiptar në të kaluarën. Por duke pasqyruar të kaluarën e fshatit shqiptar, kryesisht në fushën e marrëdhënieve midis klerit dhe popullit, autori e ka ngushtuar kornizën shoqërore, nuk ka mundur të japë gjithmonë fshatin si një organizëm social, në të cilën lëvizin edhe heronjtë e tij negativë, priftërinjtë. Autori ka lokalizuar vëmendjen e tij te veprimet e heronjve, e kanë tërhequr në përgjithësi bëmat, aventurat e tyre, dhe nuk ka zbuluar thellë domethënien shoqërore të veprimeve. Kështu të gjitha ngjarjet e treguara, sido që janë marrë nga jeta, ato kanë mbetur pjesërisht të shkëputura nga jeta, shpesh si tregime me karakter anekdotik. Tipik në këtë drejtim është tregimi «Zhgënjimi i Marisë», ku autori tregon si një grua fshatare humbet çdo respekt për priftin, të cilin e gjen natën të dehur në përruan e fshatit, me rrason të hedhur mbi shkëmb. Autori me të vërtetë e ironizon dhe e stigmatizon këtu fenë, por ne nuk shohim stigmatizimin e ideologjisë fetare, sepse tregimi mbetet gjithnjë në kufijtë e një ‘tregimi anekdotik’. Është detyrë e letërsisë së realizmit socialist jo vetëm të tallë e të stigmatizojë fenë e njerëzit e fesë, por edhe të thellohet në burimet ideologjike të saj, në lidhjen e saj të gjerë me jetën dhe kohën që përshkruhet. Pikërisht duke mos ia nënshtruar ngjarjet analizës së thellë shoqërore, por duke i rrëfyer ato shpesh si ngjarje të shkëputura nga jeta, autori nuk ka arritur të na japë një qëndrim plotësisht konsekuent ndaj popullit. Ai vende-vende këtë qëndrim e ka të përcaktuar mirë ka zbuluar edhe diferencimet në radhët e popullit në qëndrimin ndaj fesë, bile është ngjitur gjer atje sa të tregojë se fshatari ynë i thjeshtë është në thelb afetar dhe se e sheh priftin pa idealizime por me realizëm. Çdo vepër letrare është pasqyre realiste e një periudhe të caktuar shoqërore dhe ajo u shërben edhe periudhave të tjera të mëvonshme nëpërmjet materialit të saj njohës dhe reflektimit të ideve të saj përparimtare, duke dalë kështu nga kufijtë e një periudhe të vetme. Mendojmë se vëllimi «Urata, dhia dhe perëndia» në tërësinë e vet i zbulon lexuesit botën e klerikëve të vdekur, si forcë e errët shoqërore, ka një sarkazëm të thellë mbi këtë forcë të errët. Që të krijonte figurën e tyre, ai padyshim do të krijonte edhe ambientin, aq me tepër, që t’i ironizonte ata, ai do t’i vinte në atë ambient fetar, që për ne është sot i huaj, prandaj gjithashtu na duket e padrejtë vërejtja e artikullshkruesve që zumë në gojë për të mos i përmendur lexuesve tanë «hollësira për fenë, te cilat shumëkush nuk i di». Qëllimi i autorit nuk ka qenë përmendja e kamilafit, ujit të bekuar, epitropit apo kallogjerit, por krijimi i atmosferës në të cilën lëvizin personazhet. Veç kësaj këtu mohohet njohja. Siç thamë më lart, tregimet kanë thuajse një strumbullar ideo tematik dhe kjo ka sjellë krijimin e situatave të përafërme dhe një farë monotonie, të cilat autori mund t’i kishte evituar me një përpunim artistik më të mirë të materialit. Kështu thuajse të gjitha tregimet e ciklit janë të zgjatura, me përsëritje momentesh të njëjta psikologjike, të cilat nuk pasurojnë përmbajtjen ideore. Duke pasur vërejtjet që përmendem më lart për ciklin e tregimeve, ne nuk pajtohemi me kërkesat, shumica jashtë përmbajtjes së librit, në artikullin e lart përmendur…”