Suplementi Pena Shqiptare/ Gëzim Llojdia: “Ikja e Mitrush Kutelit dhe Fatos Arapit”

1226
Sigal

Ikja në qiell e poetit Fatos Arapi është dhimbje e madhe për një komb. Ikja e një njeriu që ka punuar për letrat shqipe, është dhimbje e madhe për kulturën dhe letërsinë shqiptare. Dje iku nga toka jonë, për t’u bërë i qiellit një poet. Ikja e poeti ishte si në vargjet e Lasgushit të madh: Fluturoi dhe shtërgu i fundit madhështor…

duke ikur që me natë...

Fatos Arapi si një shtërg fluturoi për të ikur drejt qiejve të përjetësisë, duke lënë ndër ne mesazhet artistike në vargje e në prozë ku patrioti, artisti, filozofi e shkencëtari shfaqej si misionar humanist. Fatos Arapi solli në letërsinë shqipe atë lloj poezie me vlera të spikatura artistike, që e bënë krijimtarinë e tij të ketë jehonë dhe të bëhet e dashur për lexuesin shqiptar e jo vetëm edhe sot e kësaj dite.

Fatos Arapi ishte nga Zvërneci, sipas rrëfimit të vetë shkrimtarit, familja e tij ka administruar edhe manastirin e Shën Mërisë, Fjetja e Hylindës në Zvërnec, deri në kohën kur ai kyçi dyert. Lidhja mes një poeti dhe frymës hyjnore është e njohur në tërë letërsinë botërore, madje për poezinë thonë se është ajo, bija e parë e frymës dhe bukurisë hyjnore. Nga thellësia hyjnore poeti i lindur në këto brigje buze lagunës dhe detit, aromës së Mesdheut, historisë me Triportin e famshëm dhe një manastir të kahershëm, vendosur në lagunën e Nartës, që i përket shek.XIV përbën mirëfilli një fatbardhësi. I kësaj balte dhe i këtij frymëzimi ishte edhe Fatos Arapi.

Një grup shkrimtarësh para ca kohësh i recitoi në Vlorë veprat e tij, kryesisht poezinë bukur dhe vizitoi madje edhe fshatin e tij. A nuk është koha, që bashkia e Vlorës të vendosë në kodër, aty ku do të bëhet një fushë sipas modelit të ri të 100 fshatrave, bustin e poetit Fatos Arapi. Nëse e keni dëgjuar Drashovicën për betejat e famshme, atë e bëri të pavdekshme edhe poezia e Fatos Arapit, “Drashovica”, botuar së pari në vëllimin poetik: “Shtigje poetike” , në vitin 1962. Ata, që nuk e kanë parë Drashovicën, pikërisht e kanë njohur atë nga vargjet e F. Arapit. Duhen lëvduar TV shqiptare, që e përcollën lajmin duke diktuar lajmet qysh në mëngjes me titra dhe zë. Sa për gazetat shqiptare kuptim kishte fotua madhe e një mashtruesi përkarshi fotos së vogël të një poeti.

Ikja e Mitrush Kutelit

Gazeta letrare e kohës: “Drita”, 1967 e paraqet ikjen e shkrimtarit të madh Mitrush Kutelit vetëm në një cep në një qoshe të kolonës me foto dhe 19 rreshta të shkruar nga Lidhja e Shkrimtarëve. “Më 4 maj, thuhet në këtë njoftim, vdiq në Tiranë pas një sëmundje të gjatë në moshën 60 vjeç, shkrimtari Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli). Dhimitër Pasko me talentin dhe aftësitë e tij si shkrimtar dhe përkthyes kontribuoi në prozën shqipe dhe në përkthimin e disa veprave të rëndësishme botërore dhe veprave të realizmit socialist. Shumë shkrime të tij para çlirimit dhe ato që krijoi pas çlirimit përshkohen nga fryma popullore nga dashuria për fjalën shqipe dhe për vendin. Me përkthime ai ndihmoi në lëvrimin e gjuhës letrare dhe në pasurimin e kulturës sonë. I shprehim ngushëllimet tona familjes dhe afërmve për humbjen e parakohshme!”.

Përse kaq pak fjalë, për ata që shkruan dhe kontribuuan aq shumë për letrat shqipe?! Në dy regjime të ndryshme. Përse regjimtarët kanë frikë nga fjala?

Fatos Arapi

E paëndërrta ime

Më duhet një gjysmë ëndrre,
E paëndërrta ime.

Vë kokën në gjoksin tënd
E tani përplasem
Te kokë e një tjetri.

Më duhet një gjysmë ëndrre.

Shigjetat e orës së dorës
Tutje i shtyjnë kalimtarët,
në ditë të rrëpirta tiranase.
Shpirtra jo shpirtra që shkojnë…
Bri meje dikush flet me vete.
pa e kuptuar besoj në rrëfimin e tij.

Dikush, prej zhgënjimi të egër,
mbërthen kryqe të reja.
I hedh një gjysmë leku
Dhe blej kryqin tim.

Tani që ta ngre
Më duhet një gjysmë ëndrre,
E paëndërrta ime.

Mitrush Kuteli

Jam shkëputur

Jam shkëputur e kam ikur shumë herë
Nga vendi im për në vende të largët,
Për një mot, për shumë vjet, përgjithnjë…
Dhe jam kthyer rishtas e rishtas
Në çerdhen time,
Nën qiellin tonë të lehtë,
Në ajrin e tejdukshëm.

Se malli i madh më digjte
Më hiqte në plëngun tim
Te varret e gjyshërgjyshërve.
Por kësaj here – më falni,
Do ik e s’do kthehem më:
– Ku? ku?
Në vendin e heshtjes së përhershmejetshme,
Ku s’ka dhimbje e ankthe,
Por gjumë harrese
dhe qetësi të katërciptë…
Fëmijë,
Mos bëni gjëmë,
Po ngazëllohi, se prehem
Pas netesh pa gjumë.
Tani pushuan të gjitha dhembjet
Dhe ankthet.
Jam mirë
Dhe qetë
I parafjetur
Përngaherë.
…U nginja nga të lehtët e qiellit,
Nga ajri i tejdukshëm
Dhe dua
Peshën e rëndë të dheut.
Dhe mugëtirën e heshtjes.
Qofshi shëndoshë,
Të lumtur!