Suplementi Pena Shqiptare/ Gaqo Veshi: Amanet

767
Tregim 
Gjyshi im, rahmet pastë, e kishte lënë me gojë, që kur të ndërronte jetë, ta shpinim në fshat ku i kishte rënë koka e t’ia ndërtonim banesën e përjetshme në oborrin e kishës së Shën Thanasit, atje ku ishin edhe banesat e shokëve të tij. Donte që për çdo përvjetor të ndarjes së tij nga jeta, të vinim në fshat, të mbushnim me vaj kandilat e kishës, të ndiznim qirinj në shandanët e saj, të ndanim grurë për shpirtin e tij e të vendosnim në banesën e tij një tufë me manushaqe prilli, që sa jetoi në këtë botë s’i hoqi nga dora e hundët, për të thithur erën e tyre të këndshme. Këtë amanet të tij e zbatova pikë për pikë dy vjet me radhë. Por erdhi një ditë e errët, që të gjitha objekteve të kultit (ne iniciativë nga “poshtë” e me “vendim” nga lart) u vunë kazmën nga themelia. Nga ky vendim s’kishte si mos e pësonte dhe kisha e fshatit tonë. Kjo bëri që, jo vetëm mos plotësoja amanetin e gjyshit, të ndizja kandilat e qirinjtë në kishë, por të mos vija dot as te banesa e tij e përjetshme, të vendoja në krye të saj tufën me manushaqe prilli e të ndizja një qiri, pasi hafijet i mbanin sytë çelur e veshët ngritur për të njoftuar atje ku duhej, se s’i kisha hequr nga koka lakrat e besimit e “opiumin” fetar, që të përballesha me nenin famëkeq të agjitacion- propagandës të Kodit Penal. Kjo histori s’mbaroi me kaq. Kur Partia-shtet dha direktivën: “T’u qepemi kodrave dhe maleve që t’i bëjmë pjellore si dhe fushat”. (që një miku im ma thoshte me humor, si parodi të saj: “T’u qepemi vajzave që t’i bëjmë pjellore si dhe gratë”) Për të hapur toka të reja iu qepën dhe oborrit të kishës të Shën Thanasit, ku ishin banesat e përjetshme të atyre që i kishin thënë, rri me shëndet kësaj bote. Kur u përmbys e vajti në esfelt regjimi diktatorial e filluan të ringriheshin objektet e kultit. Kjo nuk mund të përjashtonte edhe fshatin tim. Kishin kaluar disa vite që nuk e kisha zbatuar porosinë e gjyshit. Isha i bindur se nuk do ta plotësoja tërësish, pasi banesa e tij nuk i kishte shpëtuar direktivës për hapjen e tokave të reja, që do të prodhoni pa hesap patate, misër e grurë (por në vend të tyre selitën gjemba për gomarët) dhe eshtrat e tij kushedi ku kishin përfunduar, në ndonjë lumë a përrua, si kishin përfunduar ato të poetit At Gjergj Fishta në lumin e Kirit në Shkodër. Por të paktën të plotësoja gjysmën e amanetit. Të mbushja me vaj kandilat e kishës të ringritur, të ndizja një qiri e të ndaja grurë për shpirtin e tij të bardhë. Kështu vendosa, prandaj një ditë u hipa këmbëve, pasi ish-fshati im ka një shekull që s’ka parë makinë me sy e me gjithë premtimet e shumta, që bëjnë qeveritarët e deputetët s’besoj të shohë sa të marr frymë në këtë bota. Kur me shpirt ndër dhëmbë sosa në vend, më dolën përpara nja dy a tre djem a burra të armatosur, që më urdhëruan të qëndroja në vend e të mos hidhja asnjë hap më tej. -More të uruar! – i mora me të mirë. –Ç’kini me mua?! Kam ardhur të plotësoj amanetin e gjyshit, të mbush me vaj kandilat e kishës, të ndez një qiri e të ndaj grurë për shpirtin e tij, që ta kujtoj e të mos e harroj. -Pa qëndro aty e mos lëviz, në do të që të mos kafshosh dheun! – më tha njëri prej tyre, duke më drejtuar tytën e armës. -Amaneti i gjyshit tënd pret, siç ka pritur kaq vite, prandaj prit aty ku je, sa të mbledhim e të paketojmë kanabisin që kemi kultivuar! – më urdhëroi tjetri. Desha s’desha, përpara tytave të armëve të tyre u detyrova të zbatoja urdhrin. Tek qëndroja më këmbë si hu gardhi, mendoja me vete. Gjysmë shekulli më parë të ndalonte partia-shtet të vije e t’i faleshe Zotin në shtëpinë e tij të shenjtë. Kurse tani të dalin përpara e të ndalojnë ata që kultivojnë bimë narkotike në malësi, vend e pavend dhe i ruajnë, si sytë e ballit, me armë në dorë. Madje kjo viran bime fitimprurëse, është si orizi, do shumë ujë që të zhvillohet, prandaj dhe kultivuesit e saj i kishin shteruar burimet e krojet, që sipër kishës të Shën Thanasit e deri sipër te çairet e lëndinat, të kthyera në parcela kanabis sativa, aq sa të thahej buza për një pike ujë. Si prita sa u lodha, pasi ata, djem a burra me armë në dorë s’të linin të hidhje një hap përpara, mora rrugën e kthimit. Sa lashë rrugën malore e iu qasa fushës, shoh dy barinj me kërraba në duar, që kishin vënë përpara tufën e dhënëve. Si u përshëndeta me ta, i pyeta: -Pse po i largoni dhentë nga kullotat malore tani në mes të verës, apo u mbarua bari e tërfili në bjeshkët? -E kemi nga halli e jo nga mali!- më tha njëri prej tyre. Dhe më sqaroi se kullotat i kanë zënë bimët narkotike dhe kultivuesit e tyre, s’të lejojnë t’u afrohesh se i mbrojnë me arme në dorë. Dhe me që kullotat verore i kishte zaptuar bimët narkotike, për kullotjen e bagëtive të tyre kishin mbetur stallat dimërore në zonat fushore! I lodhur e i kapitur, sa arrita në shtëpi, qëndrova përpara portretit të gjyshit në kornizën e madhe dhe, si ndeza një qiri, iu luta të më falte që s’ia plotësova dot amanetin. Në fillim ma preu rrugën diktatura, që, me “iniciativë nga poshtë e me vendim nga lart”. rrënoi kishën e varret. Ndërsa tani, pas kaq vitesh, për ta kryer amanetin tënd, o gjysh i nderuar, më ndaluan me armë në duar kultivuesit e bimëve narkotike.


Sigal