Suplementi Pena Shqiptare/ Fran Lleshi: Poezia e mesazheve mes botës hyjnore e njerëzore në vëllimin poetik më të ri “ E-mail nga deti” të Klara Kodrës

121

Në këtë vëllim autorja spikat për mendimin e avancuar poetik, zgjerimin e temave dhe lëvrimin e hajkut. Titulli, sa magjepsës aq interesant, rrit kureshtjen e lexuesit për një thellësi leximi e kuptimi. Poezitë e saj janë përftesa që lindin nga dashuria, shqetësimet, brenga dhe mungesa duke u ngritur mbi limbin e harrimit. Poetja kërkon të zbulojë çelësin e krijimit, i bën thirrje botës intelektuale për hapa të rinj komunikimi dhe përparimi. Ja komunikimi i universit me krijuesin që i përket e shkuara dhe e ardhmja.

Me celularin e diellit

Pa pushim i çon e-maile poetit- deti.

Në sferën tënde të kristaltë

Janë shkruar

E ardhme dhe e shkuar…’’

Poetja e sheh të ardhmen te gjurmët e filizave që rriten. Ajo kritikon rreptë njerëzit që e shohin realitetin brenda mureve vetjake.

 “Ku tërë shqetësimet e jetës

 rrëshqasin pa lënë gjurmë,

Ç ‘ngjyrë ka për ta jeta?

E bardhë? E zezë? E murrmë?

Herë-herë hasim edhe inkurajimin e poetes ndaj njerëzve për dështimet e jetës.

Dashuria jote qe aq e kulluar,

më e madhe se zemra

e atij që është larguar

Bëje zemrën gur,

Ngrije fëmijën tënd si flamur .”

Autorja nuk e mat ecurinë me “ aureolën e fjalëve’’ por me veprat e kryera dhe këtë e sheh që te filizat që rriten. Ajo demaskon lavdinë e rreme, jetën artificiale të disa njerëzve.

 “Kanë një aureolë fjalësh

Shkëlqejnë si vetëtimë,

Kanë një zë bubullimë

S`bie shi veprash që lart

Po veç një vetëtimë që do të shuhet në çast.” (Mos i lini të bëhen Perëndi)

Rritjes artificiale të “shkëlqimeve” që jo pak ndodhin në realitetin shqiptar e më gjerë, autorja do t`i përgjigjej me një hiperbolë të veçantë.

Yjet në retë që lëvizin,

Yje në valë që dridhen

Më duket se yjet

Tani mund t`i prek me gisht

Pamundësia tani s`na mjafton.”(poezia Pafundësi)

Pafundësia reale i kundërvihet pafundësisë së sajuar. Ndërtimi i një figuracioni real që ka për bazë skicimin e lindjes, dhimbjes dhe vdekjes së dy poetëve në rrugë të kundërta, por që takohen te poezia,(është fjala për nënën e saj poete, Jolanda Kodra dhe Migjenin, te cilin ajo e përktheu italisht, mishërohet aq bukur me antitezat reale që i japin jetë e vlerë poezisë.

“Në vendin tënd erdhi të kërkonte dashurinë,

Në vendin e saj vajti të kërkoje jetën,

Ajo gjeti -dhimbjen tok me lumturinë,

Në vend të jetës ti gjete –vdekjen.

Ajo kish lindur aty ku ti mbylle sytë,

Ajo mbylli sytë ku linde ti,

Ecët në rrugë të kundërta po u takuat në një pikë,

Me sytë njerëzorë kurrë nuk e pe ti.” (Nëna ime Migjeni)

Edhe pse autorja ka shkruar shumë poezi për nënën në vëllimet e tjera, boshllëku i mungesës së saj do ta shoqëroje vazhdimisht.

Sa herë shkruaj në faqet

Gjithnjë mbetet një hapësirë

Një hapësirë e bardhë ku shfaqet

Fytyra jote aq e mirë.

Ti më ike aq shpejt,

Ti ike e s`më the lamtumirë.”

 “Nga pema e jetës degëgjerë

Ti re porsi fryt i arrirë.”

E realizuar bukur me një alegori të veçantë, është edhe poezia ‘Enrikos” nipit të saj:

Në flokë më shtrydhe lëng mandarine

Dhe unë të bërtita: “çun i keq!”

Fëmija është engjëll të gjithë e dinë,

Po s`ka lezet, po s`qe edhe pak dreq…”

Brenga për nënën që iu shua aq e re dhe nuk i thuri ndonjë varg sa ishte gjallë do të përcillej një anaforë therëse në një poezi tjetër:

 “Një kordele të kuqe kishe në flokë si fëmijë,

Në sytë e tu gështenjë shkreptinte një shkëndijë,

Ti lexoje në stol dhe ne luanim pranë,

Ishin çaste të thjeshta, po ikën dhe vanë.

Çaste të thjeshta e tani më duken përrallë

O fjalë,fjalë,fjalë ç ‘janë rërë a flori?

As një varg s`të solla në të gjallë dhuratë.

O e bukura e të bukurave mëngjesi t`u bë natë,

Dhe vdekja ty të mori prej krahëve të mi.” (Një buqetë për nënën)

Poezitë e këtij vëllimi shquhen për thjeshtësinë dhe modernitetin, nuk mund të vësh një kufi të prerë, pasi edhe te e thjeshta gjendet mendimi filozofik, i cili përfaqësohet që te titulli intrigues.