Suplementi Pena Shqiptare/ Flutura Açka: Thurima e hekurt e parkut Anconella

418
Sigal

Nga vera e vitit 2016, ndërsa hartoja strukturën e romanit tim të radhës “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”, ngjarjet e të cilit nisin në Firence, bashkë me tim Bir kuturisëm të kërkonim miniaturën e Duomos, për të cilën kisha dëgjuar se ishte ngritur në një nga parqet e qytetit. KinseDuomo u kishte kërkuar njëzet vjet punë një grupi arkitektësh e studentësh, me në krye profesor Riccin, me qëllimin për të zbuluar një nga enigmat më të mëdha të historisë së arkitekturës: Çfarë fshihej prapa Duomos së Firences, një vepër e pamundur në vitet 1300, e realizuar nga Filippo Brunelleschi? Si mbaheshin në këmbë 37 mijë ton materiale dhe si rrinin në ajër 4 milionë tullat, që sot na mrekullojnë me pamjen e kupolës së Santa Maria del Fiore, një nga simbolet e Firences. Pas kërkimesh më në fund e gjetëm Parkun Anconella, në jug të qytetit, bri Arnos. Dhe bëmë festë atë ditë. Aty, ulur në një stol të parkut Anconella i shpjegova të gjithë historinë e gjatë që dija. Pastaj morëm rrugën për në Piazzale Michelangelo, ku na zuri edhe mbrëmja. Nga aty mund ta shijonim perspektivën që Brunelleschi i kishte dhënë Firences, arkitekturës dhe vetë kësaj bote të gjallë. Këto ditë u ktheva në parkun Anconella, që tani është pikëpjekja jonë. Parkun e gjeta të rrethuar me hekura, hapësira m’u duk e rrudhur, bari ishte vrarë vende vende edhe tabela që shënjonte zbulimin e enigmës, ishte fshirë. Fëmijë të gëzuar që dikur e popullonin, nuk kishte më. U ula në stolin tonë për të soditur KinseDuomon, por magjia kishte ikur. Thonë se është rrethuar, pasi natën bëjnë strehë refugjatët e e rinj që kanë dyndur Italinë, njerëz të pastrehë që kjo botë e trazuar prodhon përditë e më shumë. Parku Anconella ishte ndarë nga lumi Arno ku e treste shpesh mjegullën e pemëve të tij. U largova nga parku i zymtë dhe eca nëpër rruginën anash ku në ca gurë të lagësht janë gdhendur poezi të Niccolo Andreas. Ndala te njëra prej poezive:

“Jeta rrjedh dhe na braktis,

por ajo që na lë,

s’është urrejtje a trishtim,

ç’mbet,
një burgu të shkatërruar i ngjet”.