Suplementi Pena Shqiptare/ Flutura Açka: “Të ftuar në rrethin e Dhjetë”

1164
Romani më i ri nga Flutura Açka: “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”

Mbrëmë, mes të ftuarve të shumtë miq e dashamirës të letrave, shkrimtarë dhe artistë, edhe të ardhur enkas nga Holanda, u bë paraqitja e romanit më të ri të shkrimtares Flutura Açka, “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”, romani i gjashtë i autores. Botuesi Richard van den Brink kopjen e parë të librit ia dhuroi autorit të Skanderbeg Books, por edhe një nga shkrimtarët që jeton jashtë Shqipërisë, shkrimtarit Arbër Ahmetaj, i cili, si lexues në dorëshkrim i veprës, foli për impresionet e tij pas leximit të saj. Sipas Ahmetajt, çdo autor shqiptar pasi ta lexonte këtë libër do të dëshironte ta zëvendësonte emrin e tij me të autores. Artistja e Popullit Tinka Kurti, recitoi dy poezi të miat nga vëllimi i fundit “Ftesë për flirt” Për të ftuarit vetë autorja Flutura Açka bëri një lexim publik të një pjese nga romani i saj më i ri. Mbrëmja u përmbyll me një bisedë me publicistin e njohur Mustafa Nano mbi temat e librit dhe çështjet e Shqipërisë së sotme, mbi raportin me besimin, politikën shqiptare, raportin me të shkuarën komuniste dhe panorama e Shqipërisë sot, emigrimin e mijëra shqiptarëve në dhjetëvjeçarët e fundit dhe identitetin shqiptar përballë atij evropian. 

Romani “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë” ndërtohet në të njëjtën shtjellë me rrathët e Ferrit të Dantes, citime të të cilit në vepër janë të shpeshta. Vepra ndërtohet mbi digresionin në 50 vitet e fundit të historisë shqiptare, e përçuar përmes jetës së tre personazheve themelorë të romanit. “Rrethi i Dhjetë” është rrethi metaforik mbi shumësinë dhe kompleksitetin e mëkateve të atyre që drejtuan Shqipërinë në 50 vitet e fundit, një vend në askundin e harresës dhe të gjykimit. Romani ka linja të shumta dhe është pasqyrimi i rrugëtimit të përbashkët të mijëra shqiptarëve që e lanë Shqipërinë pas rënies së diktaturës.

Dy fjalë mbi romanin “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”
Firence, qershor 2016. Tre miq të vjetër qysh nga fëmijëria, të cilët e kanë lënë Shqipërinë në rrethana dhe në kohë të ndryshme pas kapërcyellit të 1990-s, vendosin të festojnë së bashku 50-vjetorin e lindjes. Por në jetëshkrimin e tyre prej shqiptarësh, tashmë në emigrim, përzihen gjurmët e së shkuarës nën diktaturë, rrugëtimet e vajteardhjes së shpeshtë në vitet e lirisë mes dy atdheve të tyre dhe shenjat e përpjekjes për ta mbrojtur thelbin e tyre mes identitetit etnik të lindur dhe atij të fituar evropian. A janë ata të përgatitur ta fshijnë të shkuarën shqiptare, e cila befas ende ua dikton dhe ua helmon ndonjëherë jetën? A do të munden ata të mbeten miq edhe pas shqyrtimit që ky takim i pafajshëm do t’u kërkojë, shqyrtim që shpesh nuk lidhet me ata vetë, por që kryqëzohet dhe ndikon në jetët e tyre? Kjo rrëfenjë që shtrihet në gjysmëshekullin e fundit shqiptar dhe që merret me shtegtimin e viteve të fundit të mijëra shqiptarëve nëpër botë, është një sagë mirëfilli shqiptare e luajtur në Evropën e sotme. Ky rrëfim është një kushtim për dashurinë njerëzore, për dashurinë si sublimim që nuk e zhbën koha dhe një triumf për atdhedashurinë, të tretura në gjakun shqiptar nga substanca më e bekuar e kësaj bote: Liria.

Kanë thënë për Flutura Açkën
“Flutura Açka është një nga zërat shqiptarë sqimatarë.” Dacia Maraini, Itali
“Flutura Açka është si Marguerite Durasi – mbiemocionale.” Amelija Liçeva, Bullgari
“Açka, është një transkriptuese e fortë e emocioneve.” Ennio Grassi, Itali
“Stili i Açkës, me përfytyrime dhe skena të gjalla, ka ndonjëherë elementë të sagave të vjetra.” Arjan Peters, Holandë

Librat e botuar nga Flutura Açka

poezi
Tri vjeshta larg, poezi, Elbasan 1993
Mure vetmie, poezi, Elbasan 1995
Festë me ankthin, poezi, Elbasan 1997
Kurth’ i diellit, poezi, Tiranë 2002
Zbathur, poezi, Tiranë 2007
prozë
Vetmi gruaje, roman, Tiranë 2001, ribotuar 2002/’03, 2012
Kryqi i harresës, roman, Tiranë 2004, ribotuar 2008
Hiri, roman, Tiranë 2006, ribotuar 2012
Ku je?, roman, Tiranë 2009, ribotuar 2012
Kukullat nuk kanë Atdhe, roman, Tiranë, 2013
Të ftuar në Rrethin e Dhjetë, roman, Tiranë, 2017
të tjera
Kënga e Aretuzës, poezi, Prishtinë 1998
Stinë e ullinjve të thinjur, antologji poetike, Tiranë 2000 
Poezi, vepra poetike 1993-2003, Tiranë 2003
Lutje dimri, poezi të zgjedhura, Tiranë 2008
Rënkimi i shiut, vepra poetike, Tiranë 2011

Nga: Arbër Ahmetaj mbi romanin “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”
“Të ftuar në rrethin e dhjetë ” është roman i një ndjeshmërie të lartë qytetare. Me këtë roman Flutura Açka bën një prerje të thellë anatomike mbi shoqërinë e sotme shqiptare duke zbritur deri thellë në ditët e para të ngjizjes së shtetit shqiptar. Dinamika, subjekti, personazhet, teknikat e rrëfimit e të shkrimit janë thjeshtë marramendëse. Ky shënim duket si në konflikt interesi, pasi Flutura Açka është botuesja e prozës sime në shqip, por më duhet po ashtu të theksoj se ajo dhe unë, jemi në një konkurrencë të pamëshirshme si autorë. Pasi mbarova së lexuari në dorëshkrim këtë roman, u gëzova, jo thjesht për atë si autore, por për letërsinë dhe shkrimin shqip, pasi pa pikë dyshimi ky roman do të përbëjë një pikë shënjuese në letrat tona. Flutura edhe me romanet tjera, si «Ku je?» «Kukullat nuk kanë atdhe» etj, ka vënë stekën e saj letrare në lartësi sfiduese, por me këtë roman, ajo avancon edhe më shumë. Romani ka në qendër tre personazhe, miq fëmijërie e që vendosin të takohen pas shumë vitesh, për të festuar një përvjetor. I strukturuar në dhjetë kapituj, të thirrur «rrathë», si reminishencë e rrathëve të Ferrit të Dantes, lexuesi njihet me jetën e tyre, me jetët e tyre, me të shkuarën dhe tashmen e vendit nga vijnë dhe atdheut të cilin kanë zgjedhur për të jetuar. Përmes tyre edhe dhjetëra personazhe të tjerë hyjnë në shtjellë duke sjellë mikro dramëzat, historitë e tyre të vogla e të mëdha. Romani përshkruan njeriun e sotëm shqiptar, por edhe atë evropian, me të gjithë kompleksitetin e tij, dyzimet, luhatjet, arritjet, brengat, dhimbjet, tonet e shpirtit, shpërthimet e ndjenjave e të mendimeve. Dhurata për lexuesin është e magjishme. Pak kush mbetet pa e gjetur vetveten në këtë roman Që nga ata që na drejtuan e na drejtojnë, ata që u shuan përfundimisht përmes vrasjeve e burgimeve të pashpirta, ata që mbijetuan duke u përballur apo gjunjëzuar, ata që ikën, duke mbetur me kokë të kthyer pas, ata që na pritën, na i hapën apo mbyllën dyert e shtëpive të tyre në Evropë. Drama e personazheve zbulohet ngadalë, në një mbrëmje fiorentinase, në atdheun e Dantes. Po ashtu si dhe bota e tyre e brendshme, psikologjia shpresat, arritjet dhe dështimet e tyre.

Lexuesit i bëhet edhe një dhuratë tjetër : romani përshkohet nga një pasuri e jashtëzakonshme informacioni mbi historinë, arkitekturën, artin dhe muzikën. Flutura Açka merr përdore lexuesin përmes bukurive të qyteteve evropiane, na shoqëron në artin dhe letërsinë e sotshme e të djeshme, duke dëshmuar njohje të thella të tyre për veten e vet, dhe një bujari të rrallë për lexuesit e saj. Personazhet, pavarësisht anëve të errëta e komplekse të jetës së tyre « udhëhiqen » përmes rrathëve të ferrit nga dashuria, si Virgjili i antikitetit shoqëron Danten. (Në roman janë përfshirë dhjetëra tercina të veprës së famshme, të përkthyera në shqip nga Pashko Gjeçi, si eko të gjendjeve të ngjashme). Dashuria, kjo ndjenjë sublime, e përndritshme e përtëritëse, jo rrallë edhe i djeg me shkëlqimin e saj tundues. Autorja ka alternuar me mjeshtri emocione të thella e të bukura, me përshkrime e qasje analitike përmes dialogesh inteligjente, duke sjellë peshën e rëndë që bartin personazhet e saj. Romani u ka shpëtuar gjithsesi toneve publicistike, pasi autorja nuk mban anë, ajo u jep hapësirën e domosdoshme gjykimeve të personazheve të veta, u jep atyre lirinë e plotë të gjykimit, liri, në kërkim të së cilës ata kanë sakrifikuar aq shumë. Gjykimi i fundit iu takon lexuesve ! Libri kënaq edhe etjen e gjahtarëve të shprehjeve të bukura, të citateve të mençura, pasi personazhet e romanit, janë njerëz me përvoja e kultura të çmueshme, gjë që u jep atyre një shkëlqim humanist !

«Të ftuar në rrethin e dhjetë » është po aq i mirë, sa edhe romani «Dernier des Notres» i Adelaide de Clairmont-Tonnerre, që ka fituar «Grand prix du roman de l’Academi Francaise 2016». Ua kam rekomanduar miqve të mi frankofon këtë roman, dhe nuk kanë mbetur të zhgënjyer : i nxis miqtë e mi të pasionuar pas letërsisë shqipe ta lexojnë romanin e Flutura Açkës,«Të ftuar në Rrethin e Dhjetë » pasi jam i bindur që do të mbeten shumë të kënaqur.

Ky roman arrin të bëjë dy gjëra njëherësh, të rrëfejë në mënyrë të mrekullueshme një histori, dhe të ngjallë emocione estetike, emocione që vijnë nga shkrimi i bukur, nga vetë fjala.

Fragment nga romani “Të ftuar në Rrethin e Dhjetë”
FILLESË- Njëzet vjet më parë, kur vendosa ta lë Shqipërinë, nuk e kisha menduar kurrë që një pjesë e jetës sime, do të endej nëpër qiejt e Evropës, në këtë vejevijë mes atdheve që unë zgjodha, ose që fati më dha të zgjedh për veten. Atë çast kur zbres shkallët e avionit në tokën shqiptare, veçmas pas një qëndrimi të gjatë jashtë saj, e ndiej se jam më shumë holandeze, sepse më duhen disa ditë të mësohem me tjetër bioritëm, sepse dua një Shqipëri që t’i ngjajë Holandës në disa gjëra, të jetë më e pastër, më pak bjerraditëse, të ketë më pak politikë, por kur zbres në tokën holandeze, ndjehem më shumë shqiptare dhe dua që Holanda t’i ngjajë ca Shqipërisë sime të dashur, të jetë më e beftë, të ketë më shumë diell, pse jo, të ketë edhe male. Ashtu nëpër qiej, në kufijtë e ëndrrës, kjo betejë mes identitetit tim etnik dhe identitetit tim evropian, fashitet brenda meje. Si njeri i kësaj bote të madhe, që është Atdheu im i vërtetë si qenie njerëzore, kufijtë e humbin vlerën dhe i dua të dy atdhetë e mi njëlloj. Kjo blojë, që me vite e mbaja brenda meje në atë vrap të gjatë dhe shpesh të lodhshëm mes këtyre dy atdheve, m’u shfaq si plagë një ditë të thjermët janari të vitit 2015, kur bashkë me dy miq të mi të hershëm, që të tre të njohur qysh nga fëmijëria jonë, që të tre fqinj të dikurshëm dhe nxënës të së njëjtës klasë, dhe që fati për çudi na e kishte shkruar të shtegtonim nga Atdheu pas rënies së diktaturës, vendosëm një ditë të takoheshim, nga rrugë të ndryshme, në qytetin e bukur të Triestes. Nga ai gji, një shekull të shkuar, dërgatat nga Evropa, misionarë ushtarakë, politikanë, turistë të rëndomtë, dinjitarë e poliglotë shqiptarë e të huaj, hulumtues e antropologë, vullnetarë të çuditshëm, fisnikë të shumtë, princër pa kurorë, kureshtarë të gjithfarë të asaj Evrope të ngarkuar me lëvizje të ngadaltë trenash dhe avulloresh, mëtonin nëpër Adriatik t’i sillnin edhe frymën e bërjes së shtetit një Shqipërie të vogël, ende e pasigurt për kufijtë e saj, pa e ditur se do ta braktisnin shumë shpejt, sapo Lufta e Parë Botërore të shfaqej në prag. Aty në Trieste, mbase si kurrë më parë, në fuajenë e Savoia Excelsior Palace, u mblodhën më 1913 dinjitarë shqiptarë me emër, por dolën prej aty pa mirakandjen me të cilën edhe kishin hyrë, pa mundur të zgjidhnin një princ evropian për Atdheun e tyre ende në shpërgënjtë otomanë. Gjithçka që ndodhi më pas e ka historia shqiptare, shpesh e ndërtuar edhe keq dhe me zbrazëtira, që ende presin të plotësohen me të vërtetën historike. Njëqind vjet më pas, tek e sillja në mend këtë ngjarje po nga ai gji triestin që ka këtë shenjë shqiptare, në shoqërinë e dy miqve të mi të një jete, të cilët janë tani edhe evuropianë prej njëzet e pesë vitesh, e ndjeva se shtegtimi ynë prej Atdheut, dhe rikthimet tona të përherta aty, i ngjanin atyre ëndrrave që bëhen nëpër avullore e që janë më nanuritëse, më të qeta dhe kanë më shumë hapësirë se ç’kanë ëndrrat mes mureve të ngrehinave. Aty, në atë breg, ku fëmijëria na u bë e pranishme me të gjithë bujarinë e saj plot kujtime, nisi edhe ky libër, me ndjesinë se të gjithë ata që jetojnë larg, e kanë një ndjeshmëri po aq të lartë për Atdheun, sa edhe ata që nuk e kanë braktisur kurrë atë, pasi braktisja jonë, sado që mund të duket pjesë e dëshirës, po aq është pjesë e rrethanave, e fatit tonë shqiptar, arsye pse kjo ndjeshmëri nuk ka ndryshuar as pas dekadash jete në dhé të huaj. Ajo i ngjan brishtësisë së pendulit të Grotta Gigande të Triestes, që rri varur në një ndër shpellat më të mëdha turistike në botë, një pendul që arrin të ndiejë çdo lëvizje dhe frymëmarrje të gjoksit të tokës, edhe në largësitë më të mëdha, peshën e borës mbi alpe apo prurjet e lumenjve, edhe të atyre nëntokësorë. Ashtu edhe ne të tre, edhe mijëra shqiptarë që e kanë tani të shënuar në jetëshkrimin e tyre të jenë të huajt e shtëpisë sonë, dhe njëherësh, të huajt e shtëpisë së huaj, jemi tani si ai penduli që edhe nga larg, ia ndiejmë çdo frymëz dhe çdo lëvizje që i ndodh gjoksit të Atdheut tonë, peshën e borës në malet e tij, rrëmbesën e lumenjve të tij, edhe të atyre nëntokësorë. Ndoshta nuk i shohim dot, por i ndiejmë. Kjo vepër i kushtohet Monikës, Gazmendit dhe brezit tim, që e jetoi fëmijërinë në kohëra të ndaluara për substanca të bekuara.

MBARESË- “A ishin ata tani tërësisht shqiptarë? Vinin, endeshin disa ditë në Atdhe, takonin miq dhe të afërm, shpiknin festa që të mblidheshin për t’u takuar, shëtisnin dhe vizitonin çfarë nuk kishin mundur të shihnin dikur, bënin pushime që t’i linin paratë te gjaku i tyre, sillnin dhurata, blinin shtëpira, sistemonin paratë e kursyera nëpër banka, shkonin nëpër dasmat e shumta — që të afërmit i linin enkas në kohën kur ata vizitonin Atdheun — dhe ktheheshin. Te shtëpia e tyre. Te kulmi i tyre që ishte tani diku gjetkë, te streha e tyre dhe me fqinj të panjohur. Ndonjëherë vinin të varrosnin prindërit, ndonjëherë ndonjë sëmundje e parakohshme vëllai a motre, i sillte më shpesh në Atdhe. Por prapë kishin filluar të ndiheshin të huaj. Vinte një çast i fundmë, një orë tragjike, që e urrenin, kur duhej të ktheheshin atje te shtëpia e re — kur duhej të iknin. Zinin e përgatiteshin për ikjen, ashtu valixhehapur me ditë, me javë, pasi ishin mësuar të iknin. Ç’ishte ky vrap që i sillte dhe ky nxit që i largonte? Rri dhe pak, thotë prindi me orën e tij shqiptare, që ndal kur dëshiron të ndalë. Ik shpejt, thotë e huaja me orën e saj të huaj, që nuk ndal kur dëshiron të ndalë. Ora e huaj me përpikmërinë e saj, kishte ndërtuar atdhera prej vërteti, ku ata ishin tani qytetarë dinjitozë dhe i shërbenin ta bënin edhe më të bukur. Secili prej tyre kishte historinë e tij, e gjatë për t’ua rrëfyer të tijve, e shkurtër për ta ruajtur në kujtesë, por ngaqë ishin mijëra, ishin edhe të ngjashëm, në atë përpëlimën për identitet në këtë vejevijë kombëtare, në ato baritje rrugëtimi e lëvizjesh të shpeshta fizike dhe shpirtërore, që bënin mes vetes dhe vetes, pasi ajo vetja e dikurshme, ai thelbi i tyre, ishte ende atje, e trazuar dhe e paqetë. Atje ku ishtë Nëna, atje ku ishte Babai, atje ku ishte Gjaku. Tutje larg, në mesin e Evropës bujare, afër dhe larg thelbit, ata ndërtonin atë urën e brishtë të refugjatit për të tyrët — kur ktheheshin në Atdhe — dhe të emigranit për buajtësit e huaj — kur ktheheshin Atje. Në Atdheun e ri ishin shqiptarë. Në Atdheun e tyre nuk ishin më aq shqiptarë, ishin më të kuruar, më të pasur, më të pastër, më të kujdesshëm, më të edukuar, më të sjellshëm dhe më të dhembshur. Këtë, dhembshurinë, e kishin ruajtur si pjesën e tyre më të padukshme. Por, sa keq, kishin filluar të flisnin një shqipe të çuditshme, ajo shqipja e tyre kishte nisur të shfaqte një theks tjetër, që ata vetë nuk e dallonin dot, por ua vërenin të afërmit, kur u duhej të mendoheshin për ndonjë fjalë që e kishin harruar, se si hutoheshin nga lajme të çuditshme që dëgjonin dhe nga bëmat që vetëm mes shqiptarëve ndodhnin. Pasi e mbaronin gjithë këtë peligrinazh, zakonisht behareve, iknin, gjer një ditë kur do të ktheheshin sërish. Shqiptarët e kësaj bote të madhe, ishin tani njolla me identitet që përpiqej të mbijetonte në këtë hapësirë kërcënuese për çdo identitet, në mesin e kësaj bote të madhe…”
Sigal