Suplementi Pena Shqiptare/ Flutura Açka: Korça mahnitësja!

633
Sigal

Edhe pse shiu nuk pushoi veçse ato pak çaste kur mbollëm pemën në Parkun e Poetëve, edhe pse tërmetet nuk reshtën së tranduri tokën dhe së kërcënuari pe vërteti korçarët, Korça, ky qytet mahnitës, më joshi të ëndërroj të jem banore e saj. Nuk të mjafton një fundjavë e gjatë të shohësh vetëm muzetë e Korçës tani, nuk të mjafton java të endesh rrethinave dhe pikave turistike të mrekullueshme të saj: Boboshtica, që është një frymë larg, Prespa, një perlë e patjetërsueshme, vetëm një e përpjetë larg, Dardha, që të kërkon një paradite mbresëlënëse, Voskopoja, ku dita do të të duket e shkurtër. Korça, me njerëzit e mrekullueshëm të saj, që ditën ta ruajnë Korçën, por jo vetëm ta ruajnë. Tani ata e kanë zbukuruar atë. Mbase është qyteti shqiptar më i denjë për t’ua rekomanduar të huajve, sepse është qyteti ku ka restorante të mrekullueshëm, bare e qoshka të pastra, të mirëmbajtura, me shije dhe bujari, ka mbrëmje të mbushura me art dhe aktivitete kulturore, dhe ka muzetë, muzetë e saj mahnitës: Muzeun Gjon Mili, Muzeun e Artit Mesjetar, Muzeun Bratko etj. As Tirana nuk e ka atë çfarë ka Korça. Ta vizitosh e të rrish në Korçë, Tirana të duket e pabukur. Ishte një kënaqësi të mbillja akacien me emrin tim në Parkun e Poetëve mes miqsh të rinj që njoha aty, të hershëm për të cilët më kishte marrë malli dhe plot të tjerë; të huaj e shqiptarë që të bëjnë të ndjehesh aq mirë. Korçën në këta vite e kanë drejtuar njerëz qe e kanë dashur fort qytetin e tyre e që meritojnë nderimin e qytetarëve të saj, por edhe të qytetarëve të të gjithë Shqipërisë, sepse, para se të jenë përfaqësues të një ngjyre, ata janë përfaqësues së ngjyrës më të bukur që ka ky qytet: Klasit dhe patriotizmit. Ai u jep edhe dizajnin rrugëve, shtëpive, artit, muzeve, klubeve te serenatës, vakteve me shije, dhe gjithçkaje me të cilën ky qytet është bekuar.
Faleminderit Kryetarit të Bashkisë Korçë, z. Sotiraq Filo!

Faleminderit gruas së përkushtuar për kulturën e këtij qyteti, aktores dhe njeriut shpirtbukur Zamira Kita!

Netët Korçare të Poezisë së shpejti mbushin 25 vjet, por ato, sikurse pema që mbolla dje, do të jetojnë më gjatë se ne dhe do të lënë shenjat te ky qytet ku rikthimi i shpeshtë është i pashmangshëm!

Fjalë udhe

Ngrihu,
Rri drejt
Si kjo pemë!

Ekon e kushedi ç’bote bën udha,
me gjuhë shenjash, për mua.

Ky kryqëzim i ngatërruar,
është ndërtuar për të ngatërruar,
gabimtarët, o grua,
jo ata që mësuar kanë dhe pemës së dimrit,
t’i dizenjojnë hijeshi.

Këqyre floknajën e saj joshëse,
përndritjen në kurmin e vakët gjethëror,
stinëve të gjata nuk epet, jo,
ditët i shenjon veç pranverë,
borërat që treten verës së vonë,
rrëkeve përcjellin të sajën shushurimë,
thëllimi që zbret shpateve në ngrijë,
topitet luginës fjetur në fash,
e fisme bën dukë, ekziston,
rrethuar nga më e pamërzitshmja ngjyrë e botës,
nga më i ngeshmi dizajn,
tranimi monoton.

Nojma e degëve, gjallimi i saj,
gjuha e fletëve, spikama e saj,
heshtja e trupit, jetëshkrimi i saj,
aty, natyrës së gjallë,
a parajsës në skaj,
vetmon.

Çudia e mbirë në sfondin e bruztë të pritjes
në sepia lë gjurmë,
në ëndrra “bën zhurmë”,
dhe ajrin e mpirë të luginës së jetës
e mbush me dritë të papraj.

 

Roja i dritës

Ti kishe kaq qiell brenda teje,
sa dhe dielli bante ndejë n’tandin sy,
e drita xhelozohej kur fikej mramjeve,
horizontit ankohej,
se s’mundej me të ngja ty.
Kurdisur n’buzëqeshje
kraharori yt ende jep gurgullimë,
andrrës dhe zhgjandrrës të çajë thurjen e pezmët
të trishtimit tonë, mësyn.
Është larg, n’rini të përjetshme,
mbretërinë e Askundit lyen me bojë njeriu,
i pakorruptueshmi shpirt,
i papërlyemi kurm,
e pavramja ndjenjë,
xeherore qe s’e prek kush thellimave,
ekzistencë diku, gega im,
“the terrible beauty”*[1] në më t’gjatin mërgim.
Ti dashuria që ecje,
ti buzëqeshja baretëse,
ti i thikti rrezatim mirësie,
kushedi në ç’mors lexon tani,
vajin tonë që lutet për kthim.
Ti roja i dritës,
përgjon errëtitë që aviten të na nxijnë,
të na derdhin mjerim.
Tani shkel në dhera të pastra,
e ëndrrash të qashtra shtigjesh nget,
ti nezra e përjetshme,
nuk fikesh si kandil,
as flakë qiriri topitur erës,
shembëllim i largët i një ylli kushediku,
tatuazh i shpirtit mbet…

[1] “The terrible beauty” (bukuri mizore), varg i John Keats