Suplementi Pena Shqiptare/ Ferit Metuku: Kaposhi që i shpëtoi dhelprës e hëngri kryetari i komunës!

905
Rrëfimi i një ish-kryetari …
Mos e beso po deshe, kismetin dhe riskun e njeriut, nuk e merr as … dhelpra!

Teksa po bisedoja me një ish-kryetar komune të një zone të veriut, më nxiti dhe më ”ngacmoi” një realitet që i kishte ndodhur atij. Virtyti prej sedrës dhe sinqeritetit të tepruar, bëri që ai kryetar, të rrëfejë gjithçka që i kishte ndodhur atij. ”Isha në një fshat brenda juridiksionit të komunës, pasi komuna që unë drejtoja në atë kohë, përbëhej nga 6 fshatra, pra kishte një shtrirje të konsiderueshme, si në numër banorësh e fshatrash ashtu dhe në shtrirje gjeografike”, e nisi rrëfimin e tij ish-kryetari i komunës, dhe vazhdoi: “Pas takimit rutinë që po zhvilloja atë ditë në atë fshat, i pyeta banorët për hallet dhe problemet që ata mund të kishin. Në fshatin që isha atë ditë, mbarështohej vetëm blegtoria, por banorët, padyshim që mbanin edhe pula. Një banor, si me të qeshur nga halli i madh që e kishte zënë, më tha se, atë ditë, pas përfundimit të takimit, nuk do të largohesha nga fshati, por do të qëndroja për darkë tek ai person. 

– Përse të rri për darkë tek ti, se ti je i varfër dhe nuk dua t’ju vë në siklet për asgjë, iu drejtova atij. 

– Do të rrini patjetër, ma ktheu ai. Më në fund, më tregoi se përse fshatari i gjorë ngulte këmbë që unë të qëndroja atë natë për darkë tek ai. Një ditë para se unë të shkoja në atë fshat, këtij fshatari i kishte rënë dhelpra në kotecin e pulave. Kishte bërë kërdinë, nga 50 pula që ai kishte pasur, ia kishte ngrënë dhelpra të gjitha! I kishte mbetur vetëm një, dhe ky që i kishte shpëtuar dhelprës, ishte kaposhi i pulave. 

– Edhe për këtë kaposh të vetëm që më ka mbetur, nuk bëhem as i pasur dhe as i varfër, as edhe pulat nuk mund t’i shtoj më, kështu që do e therim për ju z. kryetar. Për deri sa edhe dhelpra nuk e hëngri, siç duket ishte kismeti dhe risku juaj, më tha fshatari. Me gjithë gjëmën e madhe që i kishte ndodhur atij fshatari të gjorë, u detyrova të qëndroja atë natë për darkë tek ai, e të hanim atë kaposhin e vetëm, që ia kishte ”falur” dhelpra. Sinqerisht, po të kishte shpëtuar nga dhelpra të paktën një pulë e vetme, nuk do të qëndroja për darkë, se me një pulë dhe me një kaposh, me siguri që pas disa vitesh, do të mund t’i shtoheshin përsëri pulat, atij, – i kishte thënë kryetari i komunës fshatarit. Ditën e nesërme, i zoti i shtëpisë, sipas traditës, do e përcillte mikun, deri jashtë portës së shtëpisë së tij, dhe ndërkohë që po përshëndeteshin me njëri-tjetrin, kryetari i komunës i kishte thënë: 

– Ore xhaxha Sehiti, se kështu e quanin atë fshatarin, unë që e hëngra kaposhin e fundit që e kishte ”falur” dhelpra, kjo u kuptua, por dua t’ju pyes, si ky kaposh i shpëtoi dhelprës? 

– Atë natë, kaposhi nuk kishte fjetur në kotec me pulat, por ishte ngjitur lart në një pemë të madhe afër shtëpisë, dhe me sa duket, riskun dhe kismetin e kryetarit, nuk e ”gllabëron” as dhelpra! – i ishte përgjigjur fshatari, kryetarit të komunës. Në fund, pasi i kishin dhënë dorën njëri-tjetrit, fshatari i kishte thënë kryetarit të komunës: 

– Ty, të bëftë mirë dhe gjak e dhjamë kaposhi që hëngre tek shtëpia ime, por mos më harro, nëse do t’ju krijohet ndonjë mundësi nga fondet e komunës, më shkruaj edhe mua në listën e ”dëmshpërblimeve”, këtë rastin tim mund ta konsideroni dhe ta trajtoni edhe si ”fatkeqësi natyrore”, të shkaktuar nga … dhelpra!
Sigal