Suplementi Pena Shqiptare/ Fatos Arapi: Zëri i veçantë i poetit navator

529
Fatos Arapi lindi në vitin 1930 në Vlorë, Shqipëri. Po në vendlindje kreu shkollën e mesme, ndërsa studimet e larta i ndoqi në Bullgari (Sofje) në fakultetin e Matematikës dhe të Ekonomisë. Ka punuar shumë vjet gazetar dhe pedagog në Fakultetin Histori Filologji të Tiranës. Disa herë ka fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare për poezi. Në vitin 2008 e fitoi “Kurorën e artë” në manifestimin poetik: “Mbrëmjet e poezisë strugave” dhe është i pari poet shqiptar që e ka fituar këtë shpërblim. Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë ku ai qëndron në rreshtat e parë, F. Arapi ka shkruar disa novela: “Patat e egra”, 1969; “Cipa e borës”, 1985; “Gjeniu pa kokë”, 1999 etj; disa romane: “Dhjetori i shqetësuar”, 1970; “Shokët”, 1977; “Deti në mes”, 1986; disa drama: ”Partizani pa emër”, 1962; “Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku”, 1995; ka bërë disa përkthime: “Këngë për njeriun”, Nikolla Vapcarov, 1981; “Poezi”, Pablo Neruda, 1989; “Safo”, 1990; “Antologji e poezisë turke” etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme. Poezitë e para F. Arapi i botoi në gjysmën e dytë të viteve pesëdhjetë, dhe, përkatësisht në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet “Shtigje poetike” dhe “Poezi dhe vjersha”. Që në hapat e parë ai paralajmëroi një zë të veçantë në artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin. Fillimet poetike të Fatosit do të jenë tematikisht të rrudhura e të reduktuara, duke u kushtëzuar nga rrethanat politike të kohës. Në frymën e hovit ndërtimor dhe të entuziazmit për çlirimin e vendit, që mbizotëronte brenda parimeve krijuese të realizmit socialist poeti shpaloste besimin se Shqipëria ecte drejt një rruge të re, të lirë, dhe ky besim bënte të përballohej më lehtë durimi dhe sakrifica. 

Jeta
Jeta është stacion ndarjesh e takimesh.
Jemi përherë udhëtarë
dhe ndër duar,bagazh të pandarë,
një valixhe të vogël
përpjekjesh,sulmesh,kujtimesh.

Lamtumirë
Lamtumirë.
Marr me vete
djegie perëndimesh nëpër muzgje të qeta,
silueta qiparisash nëpër sfonde të murme
ullinjsh.
Dhe blloqet e hijeve të Çikës,
që përkunden netëve
mbi konstelacione yjesh Jonit përposhtë.

Lamtumirë.
Kudo që shkoj
jam një copëz peizazhi nga vendi im.
Ata që dashurojnë akoma
Ata që s’kanë bukë,
kur të kujtojnë bukën,
ty dhe mua le të kujtojnë.
Ata që s’kanë zjarr,
kur të kujtojnë zjarrin,
ty dhe mua le të kujtojnë.
Të pagjumët e botës,
me syrin hapur si nata,
në mesnatën e tyre
ty dhe mua le të kujtojnë.
Ata që kanë vdekur
dhe dashurojnë akoma,
ty dhe mua le të kujtojnë.

Ti do vish
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di se unë ty të pres
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet mbrëmjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vet pritjes
duke ndjer’ frymëmarrjen e vetmisë
Ti do vish, e dashur, si s’do vish?
Kur e di qe unë po të mundnja,
rreth vetvetes rruzullin do vertitnja
si një portokall’ në doren time-
të rrjedhë koha shpejt
…………e ti të vish…

Mos eja në ëndërr
Mos eja në ëndërr, e paëndërrta ime
Nuk je Safua me zemër të brishtë.-
Ngopur me vdekjen e dashurisë
gjer në grykë, jam!
Edhe në gjumin e vdekjes
trembem nga britma ime
për ty.
Mos eja në ëndërr, e paëndërrta ime.
Mos e bëj shakanë e mbrëmshme.
Si ta duroj ditën,
që më sheh me sy ëndrre?

Si s’të desha pak më shumë
Unë e desha përtej vdekjes,
Ashtu dashurova unë
Edhe prapë s’ia fal dot vetes:
S’i s’e desha pak më shumë…
Pak më shumë ku shpirti thyhet,
T’i them ndarjes: – Prit, ca pak…
Të gënjejmë mallin që s’shuhet,
Kujtimin të gënjejmë pak.
Përtej vdekjes, përtej botëve,
Atje ku nis “ca pak” tjetër,-
Asaj që më rri mes Zotave:
“Si s’të desha pak më tepër…
Ti do të më dashurosh patjetër 
Ky qiell i prillit pa ty është i vjetër. 
shkon një trishtim e ja ku vjen një tjetër. 
Në mallin tënd ky karafil i egër,- 
Ti do të më dashurosh patjetër! 
Në sytë e tu diej të vegjël 
e ndezën natën dhe ditën e ndezën. 
Mirë sot, po si durohet pa ty nesër?- 
Ti do t’më dashurosh patjetër. 
Kapërcej ty e kapërceva veten, 
dhe përtej vetes kapërceva jetën, 
dhe përtej jetës kapërceva vdekjen,- 
I hapa krahët të pushtoj ty vetëm: 
Ti do t’më dashurosh patjetër! 
Sigal