Suplementi Pena Shqiptare/ Fatos Arapi: Është një lojë

109

Është një lojë e madhe, e dashur
lodrojnë fjalët, ritmet, rimat;
përqafohen figurat, vijnë rreth dritave
si fluturave prej rrezeve të diellit
……….u përzhiten krahët
ato prapë gicilohen me dritat
Lojë e hapësirave
që mbyllen të gjitha në buzët e tua
kur ti vet qenke në buzë të jetës
……….firomë e mërmërimës së tyre
Është një lojë e vërtetë, e dhembshura ime
lojë e mjegullave, që treten nëpër agime
për të rilindur mbrëmjeve në gjire të fushës
………..së detit
e legjendave, që jetojnë midis mjergullave
që braktisin vet legjendat
e të nesërmen përsëri dalin prej tyre
si zogjtë e pëllumbave – prej lëvozhgës së butë
lojë e ëndrrave, që shartohen nëpër trungun
……….e ëndrrave
e dallëndysheve që sapo ngritën folenë
………. brenda syve të tu
loja jote dhe imja;
lojë e vdekjes dhe e përjetësisë.