Suplementi Pena Shqiptare/ Faslli Haliti: Shkulja e bostaneve

Sonte në mesnatë do të nisemi për dru në pyllin e Spolatës, tha xhaxhai që nuk bënte punë pa ne, pa mua, nipin, dhe të birin, Fadilin. Unë dhe Fadili ngarkuam në qerre degët që do të hanin qetë kur të arrinim në pyll. Fadili u fut poshtë degëve për t’u fshehur dhe e zuri gjumi nën freskinë e gjetheve të njoma të misrit. Do të niseshim aty nga mesnata. Xhaxhai po kërkonte djalin. Ku të kishte shkuar? 

-Është në shtratin e qerres, i thashë, po fle poshtë degëve të misrit. Xhaxhai u qetësua. 
-Mos e zgjo, tha, lëre te flejë. Aty nga ora një apo dy e natës, u nisëm për në pyll. Do të bënim tre ose katër orë rrugë deri në pyllin e Spolatës. Xhaxhai e ndali qerren te driza e Shurdhit. -Zbritni shpejt, tha, e mos u vononi se bëhet vonë për në pyll. Ne zbritëm nga qerrja me gëzim. Xhaxhai na dha leje të futeshim në bostanin e Daut Sefës, që të vidhnim ca pjepra, pasi bostani ynë ende s’ishte pjekur. Me t’u futur, filluam të këpusnim nëpër errësirë pjeprat e pjekur të cilët i dallonim nga era e mirë që lëshonin. Xhaxhai priste te qerrja, jo pa shqetësim. Po sikur Hysniu, roja i Daut Sefës të na kapte duke vjedhur pjepra? Por Hysniu ishte dede dhe gjumash i madh. Ndërsa ne vidhnim, ai bënte ende gjumin e thellë. As topi i karadakut s’e zgjonte dot nga ai gjumë. Me të mbërritur te qerrja të ngarkuar me pjepra dhe shalqinj, xhaxhai u qetësua. E mbushëm shtratin e qerres plot me pjepra e shalqinj. Pashë se xhaxhai u kënaq. Kur kënaqej xhaxhai, kënaqesha dhe unë, sepse ai ishte gjithmonë i ngrysur me mua. Ndërsa qerrja ecte, ne na zuri gjumi si në djep. Fjetëm që të dy mbi degët e njoma të misrit, mes pjeprave plot erë të mirë gjersa arritëm në pyllin e Spolatës në orët e para të agut. Xhaxhai na zgjoi. Në fillim zgjoi të birin me përkëdhelinë e tij të çuditshme që unë s’e kuptova kurrë se ç’do të thoshte: «Dili kabullkà, kabullkà», përkëdheli kjo që më zgjoi dhe mua. Pasi na zgjoi, xhaxhai zhbreu qetë. Unë dhe Fadili u vumë qeve përpara degat e njoma të misrit dhe qetë e lodhur e të uritur filluan të hanin duke e mbushur gojën gjithë shkumë jeshile. Ndërkaq xhaxhai shënjoi kërcunjtë që do të priste e do t’i çante me pyka, me sëpatë e vare. Xhaxhai priste dhe çante kërcunjtë e thatë, kurse ne i afronim te qerrja për t’i ngarkuar së bashku me xhaxhanë. Pasi kishte zbardhur mirë mëngjesi dhe dielli i korrikut zhuriste. Herë pas here ne futeshim e freskoheshim në hijet e lisave, shkozave dushqeve që ishin tepër të freskëta. Xhaxhai ngarkonte qerren. Kërcunjtë që i jepnim ne, ai i vendoste në shtratin e qerres. Mbahej si mjeshtri më i madh për të ngarkuar qerren me dru. Ngarkesa e drurëve zgjati, gati, dy orë. Pasi e pa qerren të ngarkuar, siç donte ai, xhaxhait iu ngop syri, u ul mbi një trung e ndezi një cigare. Duke pirë cigaren, nisi të bënte shaka me ne duke na quajtur dërdyla, ngaqë kishim ngritur goxha kërcunj. Mua më erdhi mirë që xhaxhai, na quajti dërdyla, sepse ai ishte një qiell i vërejtur plot re me mua. Kur ai tregonte pak ngrohtësi ndaj meje, unë gëzohesha, çelesha, më hapej syri. Si mbaroi së piri cigaren, xhaxhai na tha të hipnim në qerre dhe ne hipëm sipër kërcunjve, kurse vetë ai qëndroi para qeve gjatë gjithë tatëpjetës së pyllit, që të frenonte qetë, që të mos merrnin me vrap teposhtë e të përmbysnin qerren Me të mbaruar tatëpjeta, xhaxhai i zhbreu qetë e u dha ujë te burimi. Ne u freskuam të tre. Hëngrëm mëngjesin. Këtu, xhaxhai preu edhe pjeprin e fundit që ishte më i ëmbli nga të gjithë pjeprat e tjerë, kurse gjysma e shalqinjve na dolën poça, të pa pjekur. Nisëm udhën për në shtëpi. Rruga tani ishte fushore. Do të kalonim Hajlerin që kishte aty-këtu ca pellgje, mbeturina të kënetës së «Tërbufit», pastaj rruga ishte e thatë deri në fshatin Plug i Madh. Sapo lamë pas të tatëpjetën e Spolatës, atë copë rrugë me pellgje kënete, po ecnim qetësisht përmes fushës së Labotit, xhaxhai ia mori këngës që, mbase kishte lidhej me xhaxheshën, gruan e tij leshverdhë për të cilën ai kishte dobësi të madhe: Shkarko drutë,/ Lidh shaminë,/Leshra verdha/Moj trëndelinë Gjate gjithë rrugës xhaxhai s’pushoi së kënduari këngë që lidheshin me gjendjen e tij shpirtërore. Vetëm, kur arritëm në atë pjesë të rrugës ku tragët e qerreve prisnin njëra-tjetrën dhe krijonin një thelë bakllavaje, xhaxhai e pushoi këngën. Shikoni, na tha, arritëm tek thela e bakllavasë. Tani s’na mbetet të udhëtojmë edhe aq shumë deri sa të arrijmë në shtëpi. Qetë vazhdonin të tërhiqnin qerren duke u përtypur, xhaxhai vazhdonte të këndonte, qete ecnin nën ritmin e këngës së tij duke u përtypur, sikur kënga t’u pakësonte lodhjen dhe t’u shtonte fuqitë. Kur po i afroheshim arës së Vidhishtës, xhaxhai zuri të këndojë përsëri këngën e tij te preferuar që lidhje, mbase, me xhaxheshën leshraverdhë: Shkarko drutë,/Lidhe shaminë/Leshverdha/ Moj trëndelinë.. Por befas, nuhati një erë pjeprash që vinte andej nga ndodhej ara e Vidhishtës. Xhaxhai e pushoi këngën sikur ajo erë pjeprash ta kishte paralajmëruar për diçka të përzishme, të kobshme. Po kjo erë pjepri, ç’të jetë, nga vjen?, E sjell era, apo…? ,na pyeti xhaxhai, e ndieni ju apo më bëhet mua se bie erë pjeprash? Po, i thamë ne, e ndiejmë. Duket se era vjen këtej nga ara e Vidhishtës. Xhaxhai u pre në fytyrë. Zbriti nga qerrja. Mori drejt arës së Vidhishtës. Ç’të shihte. Rrënjët e bostanit, së bashku me pjeprat ishin shkulur e hedhur mbi ferrën që rrethonte arën. Rrënjët e bostanit qëndronin krahëhapur mbi ferrë dhe kokrrat e pjeprave të zverdhur paksa aty-këtu, dukeshin si koka fëmijësh që i kishin rrjepur e u kishin marrë skalpin. Ç’është kjo hata e kush e ka bërë? Kush e ka shkulur bostanin tim?.. Unë dhe Fadili shikonim rrënjët e pjeprave të nderur krahëhapur mbi ferra, me kokrrat e pjeprave si koka fëmijësh që u kishin rrjepur lëkurën dhe po na vinte keq tashmë, jo për pjeprat, por për xhaxhanë që gati po tërbohej nga kjo gjemë. Xhaxhai kapi hosteni, shpoi qetë me inat, sikur ta kishin ata fajin. Qetë nxituan, kurse xhaxhai dhe ne të dy, ndiqnim qerren që nxitonte drejt shtëpisë. Për një gjysmë ore, arritëm në oborrin e shtëpisë. Në oborr kishte dalë xhaxhesha dhe nëna ime. Të dyja kunatat kishin marrë ngjyrën e dheut në fytyrë. Kur xhaxhesha pa të shoqin që ishte pjekur e bërë tullë në fytyrë, jo vetëm nga dielli, por ishte përflakur e kishte marrë zjarr edhe nga tërbimi e nga kobi që i kishte ndodhur. Pa pritur që ta pyeste i shoqi, xhaxhesha tha: -Kryetari i Këshillit, ai qeni, ai qeni i tërbuar dha urdhër të shkuleshin rrënjët e bostanit të mbjellë nëpër pambuk. Është urdhër nga lart, urdhri i qeverisë, bërtiste qeni, bostani nuk e lë pambukun të bëjë përpjetë dhe bën që pambuku të mos çel gonxhe. Si thoni ju ta lemë Kombinatin «Stalin» pa pambuk, t’i lemë punëtorët pa punë dhe popullin lakuriq? Bostanin tonë e shkuli vetë Kryetari i Këshillit, me zagarët e tij. Në asnjë arë tjetër s’vajti dhe atje, ku nuk vajti Kryetari, nuk u shkul asnjë rrënjë bostani. Ja kështu or burrë na e bëri ai, zagari i Këshillit, Ali Struga. Me ne e kishte xanxën, vetëm me ne e, me asnjë tjetër. 

Xhaxhait i hipi tërbimi aq sa s’mbante më. 
-Ali Struga, Ali Struga, nisi të bërtasë tërbimshëm, xhaxhai, ti edhe buajt e beut, në vend që t’i ftohje e t’i lerosje, i mbysje në strugë, dhe thoshe fare pa të keq se buajt, pëlcitën vetë nga vapa e madhe. Pa e mbaruar mirë fjalën, xhaxhai kapi sëpatën që e kishte varur në rrapinën e qerres pranë shtambës së ujit dhe vrapoi për në zyrën e këshillit. 

-Ku po shkon kështu?, i bërtiti xhaxhesha. 
-T’i pres kokën atij qenit, Kryetarit të Këshillit. T’ia rrjep lëkurën dhe t’ia hedh në ferrë, atje ku ka hedhur ai rrënjët e pjeprave të mi. 

-Po ai është Pushteti Popullor, mor burrë. Ngrihet sëpata kundër Pushtetit Popullor? 
-Nëse Pushteti Popullor është ai, aq më mirë atëherë. Do t’ia pres kokën e do t’ia hedh në ferrë, atje mes pjeprave të mi që i shkuli vetë ai me dorën e tij...
-Po mua, ku do të më lesh? Po fëmijët? Por xhaxhai me sëpatë në dorë vrapoi i përflakur për në zyrën e Këshillit, ku ishte strukur Ali Struga. Atje ai e ndjente veten të sigurt, të pacënueshëm, të mbrojtur si në kullën e vet. 
-Iku, tha xhaxhesha, iku, do më bëjë hatanë..., por do zoti e s’e gjen në zyrë Kryetarin e Këshillit... Po afronte mesnata dhe ai s’po vinte, atëherë xhaxhesha nuk priti më, por shkoi të pyeste në polici...