Suplementi Pena Shqiptare/ Fan S. Noli: Sulltani dhe Kabineti

809
Sigal

Për të gjithë të apasionuarit e letërsisë Noliane po risjell poemën “Sulltani dhe Kabineti” sipas botimit të Gazetës DIELLI, 1961, duke besuar se ngjashmëritë me kohën moderne nuk janë kurrë të rastit…

Lexim të këndshëm!

Sulltani dhe Kabineti

Shokë, sot kam panair,
Shokë, bëmëni sehir;
Sillni kupat e gostisë,
Sillni shishet e rakisë!

*****

Kup’ e parë, jam Aga,
Kup’ e dytë, jam Pasha,
Kup’ e tretë, çpall ferman,
Ngjesh një pall’ e jam Sulltan.

*****

Jam Ali Qopeku i Parë,
Qen si unë s’kini parë;
Pra, kur leh, dorëtrokitni,
Zbrasni topa e brohoritni.

*****

Jam imami e jam dovleti,
Padishahu e Muhameti,
Jam Xhenemi e jam Xheneti,
Kijameti e selameti.

*****

Jam xhamia e jam namazi,
Jam zinxhiri e jam kafazi,
Jam budrumi e jam zullumi,
Kush ngre kokën e mërr lumi.

*****

Kush do ligj’ e republikë
Me statut e me llogjikë
E ka pisk, dhe ngorth si horr
Në konop si tradhëtor.

*****

Jua nisa historinë
Dhe ju solla prokopinë;
Lë pas meje dinasti
Për vazhdim dhe për lavdi.

*****

Nukë pata parë-ardhës,
Po ju le një bir pasardhës
Gjyrmën time të pasonjë
Dhe vatanin t’a sundonjë.

*****

Shkruaj ti, 0 Bash-Qatip,
Shkruaj mpreht’ e me tertip,
Lidhi llomatit e mia
Shkrepi nesër tek xhamia.

*****

Ty, Abdull-Jezid Sersem,
Ty të bëra Sadrazem;
Nxir nga burgu çdo rezil,
Çdo kusar dhe çdo katil.

*****

Ty, Abdul-Xhahil Nefer,
Ty të bëra Serasqer;
Bjeru armiqve, shuaji,
Thyeji dhe bluaji.

*****

Ti, Halim që s’di këndim,
Je vezir për arësim;
Mbylli shkollat, se na nxinë
Me kalemn’ e tradhësinë.

*****

Leri hapur medresetë,
Seminiaret dhe teqetë,
Po me gjuhët Arabishite,
Hebraishte dhe Gërqishte.

*****

Këtë urdhër çpalle me vrap:
Libër, ti llaik, mos hap;
M’Ungjillin dhe Kuranin
Merret Prifti me Imamin.

*****

Me këta të dy pastaj
E ujdis Dervish Pashaj;
Papazllar’ e hoxhallarë
Janë vllezër të pandarë.

*****

0 Kalam, kaur bekri,
Ty të bëra Bash-Myfti;
Çpall: Rakia ësht e lirë
Për Myslim’ e për Qafirë.

*****

0 Turgut, o Turk i lik,
Ty të bëra Bash-Patrik;
Çpall: Kauri s’merr dot grua,
Se prej Krishtit u ndalua.

*****

Grat’ i marrin kapedanët,
Pashallarët dhe Sulltanët;
Dhe kështu bashkohen fetë
Në këtë dhe n’atë jetë.

*****

Kështu thot, Ungjill’ i Shenjtë
Për të gjithë të mbëdhenjtë:
I ka bërë Perëndia
Të na zerë llahtaria.

*****

Ti, Selim, Vezir Kusar,
Ruaj arkën me hanxhar;
Sillm’a plot me çdo çare,
Merr dhe ti nonjë meze.

*****

Çelo, hudhër tarator,
Ty të bëra Ambasador;
Qorr Maliq, o martalloz,
Ty të bëra konçolloz.

*****

Ty, Haxhi Domuz evlat,
Ty të bënj Vezir Xhelat;
Lith litar, dhe mpreh sëpatë,
Varrë e ther, po pa shamatë.

*****

Vraji, preji kundrështarët,
Si të funtmët dhe të parët,
Se m’a prishnë qetësinë,
M’a çkallmuan mbretërinë.

*****

Të pabesët me sevap
Piqi paq si shish-qebap,
Të paudhët me usull
Zieji, bëji si qull.

*****

Ty, onbash, të bënj binbash
Shpejt e shpejt, o dinkardash;
Ty hajdut, të bënj policë,
Vith pa frik’ e me shumicë.

*****

Ty, Mazllum, o arkadash
Ty të bëra Akçi-Bash;
Ziej çorbë dhe tërhan
Me tenxher’ e me kazan.

*****

Bëj bollgur e bëj pilaf,
Bostantavë, orman-qebap;
Bëjmë qoftë dhe çomblek,
Paçe e shqemb’ edhe byrek.

*****

Bëjmë dollma me japrak,
Bëjmë kos e kaçamak;
Pimë mish e pastërma,
Kavurma dhe kapama.

*****

Bëjmë imam-bajildi,
Kukurec edhe jani;
Mbush një torbë kashkavall
Dhe m’a lith në kapistall.

*****

Bëjmë hallv’ e bakllava,
Kadaif e dondurma,
Hyshmeri, muhalebi,
Teleme dhe revani.

*****

Bëj simit’ e bëj kulaç
Bëj lakror’ e bëj syltiaç,
Petulla për çdo mëngjez
Plot me mjalt’ e me pekmez.

*****

Bëj llokum e bëj hoshaf,
Mos çaj kokën për mastraf;
Këtë piun’ e ka Hajdari,
Hesapçiu e taksildari.

*****

Mos harro, jam trim dhe ha
Sa një buall dhe një ka;
Pastaj sillmë tri kafe
Dhe dy shishe nargjile.

*****

Si të ha, bej temena,
Ngrer-më me një makara,
Më vëndos mi një sofat
Urt’ e but’ e me rehat.

*****

Gjellët siç i Kam gëlltitur
Leri, s’duhen kolovitur;
Ndryshe krisa si rufe
Që nga qjelli gjer mi dhe.

*****

Kur të shtrihem, nga çdo anë
Vermë nga një shishe pranë,
Vermë kupa dhe meze,
Ndryshe gjumi, or vlla, s’më zë.

*****

Posa të lëshonj shkëndija,
Rentni, zjarr m’u ndes rakia!
Vala ujë shtirmëni
Dhe nga furra nxirmëmi.

*****

Ty, or Hajrullah Sevda,
Ty të bënj Këzllar-Aga;
Ti haremin m’a përmbush
Plot me çupa sheg’ e rush.

*****

Sillmë lule dhe burbuqe
Qimezeza, qimekuqe,
Ca të vogla, ca të gjata,
Ca të kolme, ca të thata.

*****

Xhan, mos u çudit me mua,
Që të gjitha nuk i dua;
Që të gjitha do t’i mbleth,
Njëzë vetëm do të zgjeth.

*****

Atë njëzë, or vlla hadëm,
Ty ta dhashë për hanëm,
Ty ta fala si dhuratë,
Sehir bëje dit’ e natë.

*****

Ty të çqepi tirania,
Mua hamja dhe rakia;
Që të gjitha, o Perëndi
Na i bën me urtësi.

*****

Dhëmp na dhe, tërbohemi,
Çkule, qetësohemi;
Mënt na dhe, çpikim barut,
Dhe ia shkrepim në tabut.

*****

Na dhe shpatë dhe kërbaç,
Tani gje-na një ilaç;
Se me luftë pritemi,
Digjemi dhe vritemi.

*****

Na dhe brirë mbretërorë,
Na stolise me kurorë,
Na lëshove nëpër dhëntë
Dhe na fluturuan mëntë.

*****

Sillmë, o xhan, dhe nja dy kupa,
Sillmë, o xhan, dhe nja tri çupa;
Eni, çupa, hidhuni,
Shkunduni, përdridhuni.

*****

Eni, zëmrën ngrohmani,
Eni, mëndjen rokmani.
Zot, nga hyqi s’heqim dorë
Mos bëj dashër me këmborë.

*****

(E përktheu nga Persishtja Namik Namazi më 17 të Janarit 1961, dhe e plotësoj sipas një dorëshkrimi që u zbulua në bibliotekën e Gollomboçit).

(DIELLI, 5 Korrik 1961)